MEDITIMI I DITËS – HYJI I NGUSHËLLIMIT
Written by Radio Maria on December 6, 2016
Is 40, 25-31 HYJI I NGUSHËLLIMIT
Kërkoj hirin: që të di të vërej krijesat e Hyjit që flasin për të.
25 “Po me kë do të më krahasoni, që të jem unë i njëjtë me të?” pyet Shenjti. 26 Çoni lart sytë tuaj e shikoni: kush i krijoi trupat qiellorë? ‑ Ai që të gjithë i qet në rresht të luftës e secilin e thërret për emër!
Izraelitet në Babiloni ishin në rrezik që t’i nënshtroheshin shkëlqimit të kultit të perëndive të Babilonisë. Ishin në rrezik që tu nënshtroheshin zotëruesve të vet dhe t’i pranonin perënditë e tyre. Prandaj Profeti i qorton dhe i thërret që t’i drejtohen Hyji që i zgjodhi si popull i cili nuk është aspak më i vogël për sa ju përket perëndive të Babilonisë dhe perëndisë kryesor të tij Mardukut të cilin babilonezët e nderojnë si krijues të botës dhe si zotërues të jetës.
Njeriu bashkëkohorë është pothuajse në të njëjtën situatë të rrezikut po që ka një parashenjë tjetër. Në vend të perëndive të Babilonisë që i lejojnë të zotërojnë në qiellin e tyre, ose si thotë Haine «ju lëshojnë qiellin trumcakëve», dhe në vend të një Hyj të vetëm dhe të vërtetë vendosin forcën dhe pushtetin e njeriut. Njeriu i sotëm kthehet drejt vetvetes dhe arritjeve të veta dhe vetveten e paraqet si masë të të gjithave. Prandaj humb ndjenjën për mbinatyroren. Nuk dëshiron që dikush të jetë «mbi» të. Kështu nuk e njeh Hyjin.
Profeti e thërret popullin e vet që mos t’i mbyll sytë përpara të vërtetave të dukshme. Duhet shikuar rreth vetes për të parë veprat e Hyjit. Krejt gjithësia është vepër e Hyjit. Ai e krijoi. Në qoftë se Izraelitet mahniteshin para atyre gjërave që bëri njeriu, pse nuk kanë mundësi të mahniten para asaj që bëri Hyji? Kjo pyetje na drejtohet edhe ne. Nëse njeriu hulumton hapësirat e gjithësisë dhe iu mahnitet arritjeve të veta në fushën e diturisë dhe teknikës, përse nuk mahnitet para gjithë asaj që pikërisht në gjithësi e zbulon, në botën lëndore që tashmë ekziston, por ende nuk e ka plotësisht në dorë? Përse nuk mahnitet para qiellit plot me yje, para pjesëve të mrekullueshme të natyrës të cilat thjesht i shikon dhe janë para syve të tij edhe pse në formimin e tyre nuk mori pjesë? Thjesht, duhet hapur sytë dhe duhet shikuar.
27 Përse thua, o Jakob, përse flet, o Izrael: “Udha ime është e fshehtë për Zotin, s’kujdeset për të drejtën time Hyji im?” 28 Pse a s’e di? Pse a s’ke dëgjuar? Hyji është Zot i amshueshëm, Krijuesi i botës skaj më skaj.
Pyetjet vijnë njëra pas tjetrës. Profeti rrëmon ndërgjegjen e popullit. Tërheq vërejtjen para rrezikut të harresës. Në kushte të vështira jetësore Izraelitet pyesnin vetën, a thua Hyji si harroj dhe si braktisi? Si mos ta interesonin udhët e tyre, udha e tyre vuajtjes. Kjo është situata e secilit njeri që është në vështirësi dhe në vuajtje. Njeriu në këtë situatë të vështirë pyet: ku është Hyji? A thua nuk e ka braktisur dhe nuk e ka lënë fatin e jetës së tij në dorë të njeriut? Ky është përjetimi i dhimbshëm i secilit prej nesh kur vuajmë dhe biem nën peshën e barrës së kryqit që na shtyp.
Profeti e kujton të vërtetën themelore: Zoti është Hyji i amshueshëm. Ai është krijuesi i çdo gjëje. Këtë gjë nuk guxojnë ta harrojnë, kjo vlen edhe për ne. Në lutjen time do të përpiqem të bëhem i vetëdijshëm për bukurin dhe shkëlqimin e gjithësisë së krijuar që ekziston sipas dëshirës së Hyjit dhe drejtohet sipas ligjeve që Hyji i vulosi; lëvizja e yjve dhe e Tokës në të cilën jetojmë; lëvizja dhe lindja e diellit që na ngrohë dhe na shndrit me dritën e vet. Do ta falënderoj Hyjin për këto dhurata të cilat mi dhuron çdo ditë e pa të cilat nuk kam mundësi të jetoj. Sa shpesh të gjitha këto as që i kujtoj e as që falënderoj për to.
Ai nuk lodhet, ai s’moliset, e pashqyrtueshme është dija e tij. 29 Ai të lodhurit i jep fuqi, të pamundshmit ia shton fuqitë.
I tillë është Hyji, Krijuesi, Ati ynë qiellor. Ai është Hyji i ngushëllimit dhe i butësisë së madhe. Ai të lodhurit i jep pushim, të dobëtit i jep forcë. Kujdeset për ata që janë më të vegjlit dhe më të dobëtit. I përngjan nënës e cila kujdeset për ata që kanë më së shumti nevojë në familje. Besoj, o Hyji im, se ti mendon për botën time të vogël. Besoj se më forcon kur jam i dobët, se më jep fuqi kur jam i lodhur. Ti as nuk lodhesh as nuk ndalesh duke u kujdesur për mua. Të falënderoj që je pranë meje edhe atëherë kur unë nuk mendoj në ty. Të falënderoj për ndjenjën e sigurisë se gjithnjë kërrusesh mbi mua.
30 Lodhen të rinjtë edhe meken, marrin në thua të rriturit e rrëzohen, 31 kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin edhe kurrë nuk meken.
Profeti vazhdon për ta kujtuar kujdesin që ka Hyji për njeriun dhe nevojat e tij. Ai e shpall kujdesin e Hyjit për popullin e vet në këto momente të shpërnguljes dhe të mundimeve në të cilat gjendet. Edhe pse është pamasë më i madh se njeriu dhe e tejkalon në mënyrë të pakufishme, ai është në mënyrë të pabesueshme afër njeriut, ndjen më të në çastet kur më së shumti ka nevojë. Atij që hapet para ti dhe dëshiron të komunikojë me të ia jep mundësi e komunikimit. O Zot, të falënderoj që ma ripërtërinë fuqinë, të falënderoj që kam mundësi të mbështetëm në ty dhe llogarisë në ty. Më ndihmo që të hapem plotësisht para teje.