MEDITIMI I DITËS – HYJI I FSHEHUR

Written by on June 3, 2017

Gjn 20, 19-23 HYJI I FSHEHUR

 

Kërkoj hirin: që feja ime në Shpirtin Shenjt dhe dhuratat e tij të jenë më të gjalla dhe më reale!

 

19 Në mbrëmjen e po asaj dite   të parën ditë të javës   ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.

            Jemi në përfundimin e kohës së Pashkëve dhe para syve tanë është përsëri shfaqja që ndodhi në fillim, Pashkëve. Kështu filloi koha e Pashkëve dhe e shfaqjeve të Jezusit para nxënësve të vet. Kjo ngjarje është e lidhur ngushtë me të kremten e sotme të Rrëshajëve kur kremtojmë shfaqjen e madhërueshme të Shpirtit Shenjt në të cilën shohim lindjen e Kishës. Në takimin e parë të Jezusit të ngjallur me nxënësit e tmerruar Shpirti i Hyjit ngadalë dhe në mënyrë të padukshme merr vendin e vet në jetën e tyre dhe në jetën e bashkësisë së parë të krishterë, Shpirti i Hyjit i cili në të kremten e sotme do të “eksplodojë” me pushtetin dhe shkëlqimin e vet.

            Dita e sotme ishte me madhërueshme dhe e mrekullueshme, mahnitëse dhe e paharrueshme. Ajo ditë e parë e Pashkëve, të cilën na përshkruan pjesa e Ungjillit të sotëm, përkundrazi ishte e qetë, “e fshehur” dhe e mbështjellë me frikë. Në mbrëmje të kësaj dite të parë, kur errësira mbuloj qytetin, nxënësit janë së bashku dhe bisedojnë për të gjitha. Flasin nën zë, sepse kanë frik që do t’i dëgjojnë. Dera është e mbyllur. Në këto çaste, ja Jezusi. Nuk trokiti në derë. Ato nuk u hapen fare dhe asgjë nuk lëvizi. Aq më shumë, Ai nuk kaloi me dhunë nëpër to. Thjeshtë ai është këtu me ta, në mesin e tyre. Përnjëherë, pa u lajmëruar aspak. Flet me atë zë të cilin ata e njohin mirë. Ai jehon edhe sot e kësaj dite në veshët e tyre. Ju tregon duart dhe kraharorin, sepse që nga mëngjesi nuk ju kanë besuar grave të cilat e panë dhe i lajmëruan se është i gjallë. Ai nuk është ndonjë fantazmë as kukull. Nxënësit nuk mund të vijnë në vete. Në zemrat e tyre të hutuara dhe të frikësuara u mblodhën shumë gjëra. Thjesht nuk mund të vijnë në vete, sepse çdo gjë ndodh aq shpejt dhe pothuajse në mënyrë të pabesueshme. Që nga vdekja e turpshme e Zotërisë së tyre, ja tani këtu i gjallë dhe i lavdishëm. Në ta ende është i pranishëm mosbesimi, mirëpo pak nga pak i përfshin gëzimi që është fryma e vërtetë për të pranuar lajmin e ringjalljes.

            O Zot, jeta jonë i përngjan kësaj pamjeje të ditës së parë të javës. Edhe pse vjen tek ne dhe e dimë se je në mesin tonë, frika u struk në jetën tonë dhe banon në zemrat tona. Frika nga e nesërmja e pasigurt, frika nga lajmet e këqija të cilat çdo ditë na mbulojnë, frika nga sëmundja, frika nga mossuksesi, frika së të afërmit tonë do të na braktisin, frika nga fyerjet që të afërmit tonë na i shkaktojnë… Në çdo hap të jetës sonë dhe në çdo përmasë të të jetuarit tonë janë vulosur gjurmët e frikës. Disa përjetojnë paranojën e vërtetë dhe jeta  e tyre u shndërrua në frikë nga ikja dhe në tmerr të përndjekjes. O Zot, dua të dëgjoj dhe dua të përjetoj fjalët e tua: “Paqja me ty!” Dua të dëgjoj fjalët e tua të paqes të cilat si pikat e buta të vesës bien në brendinë time të tmerruar. Jam mbyllur para të tjerëve dhe jam tërhequr në vetvete. Nuk di të mbrohem para frikës së menduar që më përndjek. Mëkati dhe trishtimi më kanë mbyllur para hirit tënd. Ti, o Zot, gjeje mënyrën që të hysh në brendinë time, nën pullazin tim. Thuaje vetëm një fjalë të paqes dhe më shëro nga frikësimet e mia. Gëzimi yt le të krijojë frymën në të cilën ringjalljen tënde do ta pranojë plotësisht dhe do të jem i gatshëm që në mua të banojë Shpirti yt.

21 Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” 22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merreni Shpirtin Shenjt! 23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”

            Këtu në heshtjen e dhomës ndodh mrekullia. Por çdo gjë është e qetë dhe e heshtur. Ky është lajmërimi i të kremtes së sotme në të cilin do të fryjë fryma e madhe dhe do zbresë zjarri, do të ketë popuj të shumtë që flasin gjuhë të ndryshme. Në këtë natë nxënësit marrin pushtetin edhe për një sakrament në të cilin me pushtetin e Jezusit do të pajtojnë njerëzit me Hyjin, me veten e vet dhe me njëri-tjetrit. Pas Eukaristisë të cilën iu besoj ndonjë ditë më parë, ja edhe sakramenti i ri që është i lidhur ngushtë me Eukaristinë. Ai është përgatitja që të kemi mundësi ta marrim Trupin dhe Gjakun e tij. Zotëria hukati mbi ta dhe kështu në atë çast iu dhuroj dhuratën më të madhe të brendisë së vet. Çdo gjë që do të bëjnë do ta bëjnë me fuqinë e Shpirtit Shenjt të cilin iu dhuron. Kjo gjë do të ndodh në heshtjen e rrëfyestores, por me fuqinë e Shpirtit të Zotërisë.

            O Zot, edhe mua ma dhurove Shpirtin tënd. I pranova në secilin sakrament që mora. Mirëpo prapëseprapë me duket, që kjo mos të shihet në jetën time. Si meshtar shumë shpesh humbi shpresën për shkak të mossukseseve dhe të dëshpërimit në apostullatin tim. Me ke thirrur që të tjerët t’i ngushëlloj e sidomos me sakramentin e pajtimit ta kthej paqen në zemrat e tyre. Si kam mundësi ta bëj këtë gjë nëse unë nuk kam paqe! Si baba dhe nënë nuk kam guxim të mjaftueshëm as forcë që fëmijët e mi t’i drejtoj në rrugën tënde.  Si edukator dhe profesor shumë rrallë flas për vlerat të cilat janë të vërteta dhe ashtu si duhet, e aq shpesh me tërheqin bisedat e ditës, të zbrazëta dhe të kota. Si punëdhënës nuk i kryej detyrat themelore ndaj punëtorëve të mi. Si politikan flas gjysmën e të vërtetës dhe atë gjë që i pëlqen partisë sime. O Zot, ti të gjithë neve na dhurove Shpirtin tënd që përmes tij të veprojmë fuqishëm. Këtyre ditëve do të lexoj ngadalë himnet dhe këngët në nder të Shpirtit Shenjt. Le të jetë kjo fryma e re në hovin e ri që do të zëvendësojë gjithçka në jetën time.


Current track

Title

Artist