MEDITIMI I DITËS – HYJI I DO TË GJITHË

Written by on August 22, 2017

Mt 20, 1-16 HYJI I DO TË GJITHË

 

Kërkoj hirin: që të mos të jem xheloz që Zoti i do të gjithë njerëzit.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet.

Jezusi e tregon shëmbëlltyrën e të ashtuquajtur «punëtorët e të njëmbëdhjetës orë». Derisa e lexojmë ndjejmë se bëhet fjalë për zot shtëpinë e veçantë. Zot shtëpie të tillë nuk ka në këtë botë. Përgjithësisht, derisa i lexojmë shëmbëlltyrat e Jezusit sidomos shpjegimin e tyre, duhet t’i kemi parasysh disa gjëra. Shëmbëlltyra është lloji letrar në të cilën duhet kërkuar porosinë qendrore. Veçantitë nuk janë aq të rëndësishme. Ato janë të pranishme që të na tërheqin vëmendjen por nuk duhet të ndalemi në to, sidomos nuk duhet ta ndërtojmë në to porosinë e shëmbëlltyrës. Në themelin e veçantë të kësaj shëmbëlltyre nuk guxojmë të përfundojmë se si Jezusi flet për ndonjë padrejtësi shoqërore me të cilën dëshiron të thotë se paga e punëtorëve nuk është e barabartë. Gjithashtu nuk mund të përfundojmë se punëdhënësit kanë mundësi sipas dëshirës personale dhe si të duan ata tu caktojnë të ardhurat punëtorëve. Po çfarë dëshiron të na thotë Jezusi me këtë shëmbëlltyrë? Ja, Mbretëria qiellore është si vreshti në të cilën i zoti dërgon punëtorë. Vreshti është temë shumë e dashur e Jezusit. Më këtë gjë, Jezusi tregon se është sipas shpirtit dhe traditës së Besëlidhjes së vjetër që flet për popullin e Hyjit që shumë herë krahasohet me vreshtin. Vreshti është fjalë që në secilin prej nesh zgjon ndjenja të veçanta. Për vreshtin duhet kujdesur. Kjo gjë nuk është e lehtë sepse kërkon punë të mundimshme dhe njohuri.

Do të thotë, Hyji kujdeset për ne ashtu si vreshtari i mirë kujdeset për vreshtin e vet. Në këtë mënyrë unë personalisht jam njeri për të cilin kujdeset Hyji.

2 E, si u mor vesh me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa disa të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’  5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’

I zoti i vreshtit merr punëtorë në mëngjes siç bëjnë zakonisht të gjithë. Mirëpo ai del në shesh edhe në orën nëntë, në drekë, në orën tre dhe pothuajse në përfundimin e ditës në orën pesë, dhe i dërgon punëtorët në vreshtin e vet. Është një gjë e veçantë të cilën kemi mundësi mos ta shohim, e na flet për një gjë të rëndësishme në sjelljen e të zotit të vreshtit. Ai del dhe i shikon njerëzit. Nuk i shikon si fuqi punëtore. Kujdeset për ta. I pyet: «përse rrini këtu të papunë?» ka dhimbje për njerëz të cilët nuk gjetën asnjë punë. Dëshiron që edhe ata të fitojnë diçka për vete dhe për të vetët.

Deri më tani në shëmbëlltyrë çdo gjë e kemi kuptuar. Çdo gjë ishte e qartë dhe në një farë mënyre patëm mundësi ta pranojnë. Mirëpo këtu nuk është diçka në rregull me mënyrën e llogaritjes. Me këtë gjë nuk mund të pajtohemi. Këtu është «ndarja» e mënyrës së veprimit të Hyjit dhe të njerëzve. Ai që të fundit e vendos në vend të parë dhe i jep në mënyrë të njëjtë siç u jep të parëve, qartë nuk është punëdhënës dhe zot shtëpie i zakonshëm. Ai që mbron të varfrit dhe të fundit i vendos përpara të parëve ka mundësi të jetë vetëm Ati qiellor, Zotëria i Mbretërisë së qiellit.

8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë i ankoheshin të zotit të shtëpisë12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’

Në këtë gjë shihet forca e dallimit mes mendimit të njeriut dhe mendimit të Hyjit. Kush ka mundësi t’i kërkojë të drejtat e veta dhe të bazohet në to përpara Hyjit? Jemi të tillë atëherë kur e kundërshtojmë Hyjin pse nuk na i plotëson disa gjëra për shkak të meritave dhe lutjeve tona!

13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u more vesh me mua për nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’ 16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”

Ky është kulmi dhe qendra e shëmbëlltyrës. Ajo zbulon mirësinë e Hyjit dhe egoizmin e njeriut. Edhe një herë Jezusi na thotë se Ati qiellor e bën hapin e parë drejt njeriut dhe ia dëshiron të mirën dhe gëzimin. Ai është Atë që i ndan të mirat e veta sepse është i mirë dhe nuk dëshiron asnjë të mbajë për vete. Shëlbimi të cilin na ofron falas është dhuratë e pastër e bujarisë dhe e mirësisë së tij. Të falënderoj, o Jezus, që na zbulon pasurinë e re nga jeta e Atit tonë qiellor. Të falënderojmë që e dimë se na do dhe dëshiron të na shëlboshë. Na ndihmo që në lirinë tonë mos të punojmë kundër vetes, por të dimë ta pranojmë vizitën e tij qoftë edhe në orën njëmbëdhjetë.

 


Current track

Title

Artist