MEDITIMI I DITËS – GURËT NË DUAR

Written by on April 5, 2019

E diela e pestë e kreshmëve.

Gjn 8, 1-11 GURËT NË DUAR

 

Kërkoj hirin: që të mos gjykoj të tjerët por të shoh cilat mëkate kanë bërë folenë në zemrën time!

 

8 1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. 2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. 3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes 4 dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. 5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” 6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin.

            Jezusi i donte çastet e heshtjes dhe të vetmisë. Për këtë arsye tërhiqej në Malin e ullinjve. Atje kishte mundësi të ishte në vetmi dhe të lutej. Ndonjëherë dinte gjithë natën ta kalojë në lutje. Këtu Shën Gjoni na paraqet një rast të rrallë duke shkruar një ndër faqet më të bukura të këtij Ungjilli. Pas kohës që kaloj në qetësi dhe lutje, Jezusi është në Tempull. Aty është turma që e pret dhe vërsulet tek ai. Jezusi nuk ik prej njerëzve, por thjeshtë do të jetë në vetmi duke u lutur. Shkëputjet e tij në vetmi janë shembull se si duhet të jemi në vetmi së bashku me Atin tonë qiellor. Vetëm aty mund të gjejmë paqen e brendshme për të cilën kemi nevojë për komunikim të mëvonshëm me të tjerët.

            Kur Jezusi është vend publik ose në Tempull, atëherë për të nuk ka as paqe as qetësi. Njerëzit i vërsulen dhe i kërkojnë ndihmë, por te ai vinë edhe ata që dëshirojnë t’i vënë kurthin e të cilët e hetojnë. Me këta të fundit nuk është aspak e lehtë sepse janë të këqij, dinak dhe armiqësorë. Edhe kësaj radhe bëjnë një gjë që na habit dhe na bënë të çuditemi. Para tij sjellin gruan e mjerë që u zu në kurorëshkelje. Duan që Jezusi të gjykojë. Ata e kanë të qartë çfarë duhet bërë, por Jezusit ia përgatisin kurthin. Kësaj radhe, mendojnë nuk i ndihmon asgjë. Nëse do të jetë i mëshirshëm ndaj gruas, atëherë do të mëkatojë rëndë kundër Ligjit. E kush mund ta bëjë këtë gjë pa pasoja. Nëse e gjykon sipas Ligjit, atëherë ku është mëshira e tij dhe kujdesi për njerëzit e vegjël dhe mëkatarë. Prisnin me padurim në vete gjykimin e Jezusit që tashmë e kishin renditur në zemrat e veta.

Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. 7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” 8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe.

            Kur prisnin fjalën e Jezusit, ai përkulet dhe si të ishte plotësisht i vetmuar shkruan në dhe. Kemi mundësi vetëm të imagjinojmë se çfarë befasie ishte në fytyrat e të pranishmëve, e sidomos në fytyrat e atyre që gruan e kishin sjellë para Jezusit që ta gjykonte. Këtë gjë ata nuk e presin. Jezusi i befasoi. Në vend që të gjykojë në mënyrë të qartë, ai bën kinse nuk janë aty fare, shkruan në dhe. Mirëpo ata nuk tërhiqen, janë edhe më kërkues. Atëherë vjen ajo që askush nuk e pret. Jezusi i bie të gjithë ata para gjykimit, e jo gruan. Kjo ishte ajo që i befasoi e që se prisnin aspak.

            O Zot, e pranoj se gjykimi yt më mbushi më gëzim. Është i drejtë dhe më i miri. I përngjante çekiçit që thyen mburojën e dyfytyrësisë dhe të lavdërimit. Askënd nuk e kundërshton, askënd nuk e gjykon, vetëm gjërat i vendos ku e kanë vendin. Këtu e sollën vetëm gruan. Po ku është burri për të cilin është paraparë i njëjti ndëshkim. Ti e dite se ky gjykim ishte kurth që të përgatitën ty. Ti nuk thua se gruaja nuk ka mëkatuar, por dëshiron që së pari të gjithë ta kuptojmë atë gjë që e bëjmë vetë dhe t’i shikojmë mëkatet tona që i mbartim dhe atëherë kurrë nuk do të shohim mëkatet e të tjerëve. Me vjen keq, o Zot, kur tjetrin e sjell në gjyq dhe e dënoj, e nuk e shikoj veten dhe mëkatet e mia.

9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes. 10 Jezusi iu drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” 11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo. “As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”

            Një nga një, të turpëruar ikin. Ishte ky mësimi i mrekullueshëm. Askurrë nuk do të harrohet. Fatkeqësisht prej tij do “të mësojnë” që Jezusin ta urrejnë edhe më shumë. Kështu mbetën të vetmuar Jezusi dhe gruaja. Deri atëherë Jezusi nuk e kishte shikuar. As ajo nuk e kishte shikuar askënd. Priste gjykimin. Vetëm tani kur nuk ishin më ata që e përbuznin, ndjen se ka mundësi ta shikojë Jezusin. Kjo i mjaftoi që ta kuptonte se vetëm tani kishte mundësi të fliste dhe të dëgjonte. Askush nuk u denjua ta hedh “gurin e vet” mbi të. Vetëm tani i dëgjoj ato fjalë të cilat askurrë nuk do t’i harrojë që  ia kthyen dinjitetin si person dhe si grua. Askush askurrë nuk i tha një gjë të tillë e këtë gjë e priste më së paku derisa po e sillnin tek Jezusi. Kjo ia kthej fuqinë që kurrë më mos të mëkatojë dhe i dha vullnet që ta jetojë jetën e ndershme.

            O Zot, kah fundi i këtyre kreshmëve, po të lutem me ndihmo që ta shikoj jetën time. Më ndihmo që të vij deri tek rrëfyestorja dhe t’i pranoj sinqerisht çdo gjë që më mundon dhe me shtyp, çdo gjë që mëkatova. Po, më duket se jam në gjyq dhe ndjehem si gruaja të cilën e sollën para teje. Ti je butësia dhe falja. Nuk kam pse të kem frikë. Nuk kam kohë të gjykoj të tjerët, sepse kam mjaft gjëra të sjell para teje që ti të më lirosh. Të falënderoj që secilën herë kam mundësi të dëgjoj se ti nuk më gjykon, por me fal. Më përfshij me mëshirën tënde dhe më jep fuqi të jetoj një jetë të denjë.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend