MEDITIMI I DITËS – GOSTI PA MBARIM

Written by on May 4, 2017

Gjn 6, 52-59 GOSTI PA MBARIM

 

Kërkoj hirin që Kungimi të jetë burimi dhe qendra e përshpirtërisë time.

 

«52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?” 53 Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!»

Përveç shpjegimit të këtij teksti në mënyrë krejtësisht shpirtërore dhe në mënyrë krejtësisht eukaristike, ekzistojnë shumë interpretues bashkëkohorë të Shkrimit Shenjt, të cilët e bëjnë si njërin edhe tjetrin shpjegim. Pjesa e parë e fjalimit të Jezusit i drejtohet fesë, e cila na ndihmon që të ushqehemi me «Kungimin», mendimin dhe fjalën e Tij. Pjesa e dytë e fjalimit drejtohet në mënyrë eukaristike. Eukaristia na ndihmon që të ushqehemi «me trupin dhe me gjakun e Tij».

Jezusi nuk u përpoq aspak që ta zbuste fjalën e vet. Nuk u tërhoq edhe pse e pa se si njerëzit e kuptonin fjalë për fjalë fjalimin e Tij. Nuk donte kurrfarë kompromisi mes asaj që thoshte dhe kuptimit të njerëzve. Nuk donte kurrfarë pazari. Jezusi ishte i hapur dhe i drejtpërdrejtë: «… nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut dhe nuk e pini gjakun e Tij, nuk keni jetë në vetvete!» Në këto fjalë të Tij, ndjehej mendimi i Kalvarit, paraqitja e trupit të Tij, që falë flijimit në kryq do të paraqitet ditë për ditë në flijimet tona eukaristike. Jezusi, me këtë bisedë për «ngrënien e trupit dhe pirjen e gjakut të Tij», i përgatiti dalë-ngadalë nxënësit e vet që ta kuptonin më lehtë atë gjë që do të ndodhte në Darkën e fundit. Atëherë, si zot shtëpie në atë festë të dashurisë, Ai e theu bukën dhe ua dha nxënësve të vet duke thënë: «Ky është trupi im që flijohet për ju.» Gjithashtu, Jezusi ua dha edhe gotën e bekuar me verë duke thënë: «Pini prej saj të gjithë! Ky është gjaku im…»

Ushqimi eukaristik dhe urdhri i Jezusit «Bëjeni këtë në përkujtimin tim!» i bashkonin të krishterët e parë në kremtimin e Pashkëve dhe i lidhnin në bashkësi. Shën Luka i përshkruan kështu këto bashkësi të para në Veprat e Apostujve: «E ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje» (Vap 2, 42).

Sot ndoshta shumë pak jetojmë nga kremtimi i përditshëm i Eukaristisë. Kjo gjë ndodh sepse jemi të lodhur, të varfër dhe e kemi zemrën e mbyllur. Nuk duhet ta harrojmë se Eukaristia është burimi i mëshirës dhe i dashurisë. Çfarë është pjesëmarrja ime në Eukaristi?

«54 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë.»

Shën Gjoni nuk ka folur për themelimin e Eukaristisë gjatë Darkës së fundit. Mirëpo, këto janë po ato fjalë dhe mendime që Jezusi i shprehu gjatë Darkës së fundit, ndërsa e themelonte Eukaristinë. Në të vërtetë, këto ishin vetëm vërejtje dhe shenja të asaj që do të ndodhte në Darkën e fundit. Porosia është e qartë: pa ngrënë trupin dhe pa pirë gjakun e Krishtit, nuk ka jetë të pasosur, që e jep Ai; nuk ka ngjallje në fuqinë e Shpirtit të Tij. Jezusi këtu e theksoi qartë se pa Eukaristi nuk ka jetë të pasosur dhe ngjallje. Zotëria i ngjallur në Eukaristi, na e dhuron farën e re të «pavdekësisë». Në Darkën e fundit, Ai foli për «gostinë e amshueshme», në të cilën do t’i bashkojë të gjithë miqtë e vet. Të ushqyerit në gostitë eukaristike na kujtojnë këtë gosti të amshueshme, që nuk mbaron kurrë.

O Zot, bëj që të rritem në kuptimin e këtij misteri dhe të dashurisë tënde, nëpër të cilën më dhurohesh në Eukaristi. Bëj që në Eukaristi ta sjell gjithmonë krejt veten dhe jetën time. Bëj që ushqimi me trupin dhe gjakun Tënd të më përfshijë dhe të më ushqejë për jetën e pasosur.

«56 Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. 57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë për mua.»

Eukaristia, përveçse na ushqen për jetën e pasosur, ajo na lidh me Krishtin dhe na shenjtëron me Krishtin. «Kush ha trupin dhe pi gjakun Tim, mbetet në mua dhe unë në Të». Lidhja është e qartë: të ushqehem me Krishtin, do të thotë të jem në Të; të ushqehem me Krishtin, do të thotë se Ai mbetet në mua. Të jesh në Hyjin dhe të jesh shtëpi e Hyjit, është gjëja më e lartë që mund ta arrijë njeriu. Hyji, përmes meje, bëhet veprues dhe unë e mbart në vetvete jetën e Tij. Ne nuk jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm për këtë gjë, prandaj Eukaristia nuk vepron përmes nesh me atë fuqi që e ka në vetvete.

Sikurse Jezusi iu kushtua Atit dhe jetonte sipas Tij, kështu edhe ai që ushqehet me Krishtin, i kushtohet Atij dhe jeton prej Tij. Eukaristia më thërret që të jetoj për Krishtin. Eukaristia më drejton në udhën e Tij: «… nisu, nisu udhës së Krishtit, udhës së Krishtit dhe të dashurisë!» Të falënderoj, o Zot!

«58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.»

Në gostitë eukaristike mbëltohet drita e ngjalljes dhe e jetës së pasosur!

 


Current track

Title

Artist