MEDITIMI I DITËS – GJITHMONË ËSHTË NË PYETJE!
Written by Radio Maria on July 12, 2019
E diela e pesëmbëdhjetë gjatë vitit – C
Lk 10, 25-37 GJITHMONË ËSHTË NË PYETJE!
Kërkoj hirin: që amshimin tim ta ndërtoj duke iu bërë mirë sidomos atyre që janë në nevojë!
25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” 26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?” 27 Dijetari iu përgjigj: “‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“ 28 Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”
Më në fund një pyetje e cila nuk ka për qëllim për ta vënë në provë Jezusin, ose për t’i vënë kurth, por dëshiron të hapë një bisedë të sinqertë. Pyetja e amshimit është një ndër pyetjet themelore të jetës sonë. Siç është pyetja për Hyjin. Edhe përgjigjet janë të ndryshme. Kështu ishte në kohën e Jezusit, kështu është edhe në kohë tonë. Ka njerëz që besojnë dhe ka njerëz që nuk besojnë, së paku kështu deklarohen. Secili njeri gjatë jetës që jeton, pyet për kuptimin e jetës së tij, për dobinë e jetës dhe për domethënien e saj. Të gjitha këto pyetje në vetvete fshehin dëshirën për amshimin dhe të pakalueshmen. A thua jemi në këtë botë vetëm për të fluturuar nëpër këtë jetë pa ditur as nga vijmë as ku shkojmë. Nëse ekziston amshimi, si kemi mundësi për ta përvetësuar, si kemi mundësi ta marrim? Kjo gjë e mundonte edhe këtë mësues të ligjit.
O Zot, kjo pyetje doli nga zemra e sinqertë. Këtë njëri e ndihmove me kundër pyetje që të përgjigjet në të dhe të shkoj më tej në meditimin e vet. Ky njeri e njihte Ligjin, ishte mësues i Ligjit. Ky ishte profesioni i tij. A deshi vetëm të vërtetohet dhe të gjej pohimin te ti për ato gjëra që besonte? Ti ja vërtetove të gjitha dhe e nxite. O Zot, më ndihmo që edhe unë të bëj të njëjtën gjë. Që të dua me krejt qenien time dhe mos ta harroj të afërmin tim. Kjo është rrugë për në amshim. Më ndihmo që të kuptoj se rrugë tjetër nuk ka.
29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” 30 Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë. 31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën.
Pas të gjithave ky njeri pati mundësi të niset në paqe. Prapëseprapë, diçka po e nxit në zemër. Në qoftë se çdo gjë e kishte “të qartë” për Hyjin, duket se nuk i kishte të qarta të gjitha gjërat për njeriun, për të afërmin. Jezusi filloi tregimin qartë dhe kuptueshëm. Dy dijetar të liturgjisë hyjnore, dy mësues të liturgjisë, prifti dhe leviti, njerëz që në mënyrë të përpiktë e mbanin Ligjin dhe shërbenin në Tempull, na japin shembull të cilin nuk guxojmë as nuk duhet ta ndjekim. Këta dy njerëz që ishin në shërbim të Hyjit e harruan njeriun. Sjellja e tyre ndaj fatkeqit që ra ndër cuba, që ishte i plagosur dhe i copëtuar, gjysmë i vdekur është shkandulluese. Mos t’i ndihmojmë njeriut që është në rrezik jete është e pakuptueshme dhe jo njerëzore. Merituan gjykimin.
O Zot, më ruaj nga kjo sjellje që e treguan këta dy shërbestarë të tu. Nuk guxoj ta “kapërcej” njeriun për të ardhur tek ti. Dashuria ndaj të afërmit është e patejkalueshme në rrugë drejt teje. Më ruaj, o Zot, nga arsyetimet sa herë që nuk kam qenë i gatshëm për t’i ndihmuar të afërmit tim. Bëj që besimi im në të të jetë praktik dhe veprues.
33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ 36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” 37 Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”
Këtu kemi mbarimin e një prej shëmbëlltyrave më të bukura dhe më mësimdhënëse të Jezusit. “Një Samaritan”, armik i hebrenjve, tradhtar, njeri që meriton përbuzjen, që kurrë nuk ka shkel në Tempull, njeri që duhej shmangur… ky ndalet, bashkëndjen dhe tregon dashuri. Kjo faqe e Ungjillit e shpall dashurinë e Hyjit. A thua nuk është vetë Jezusi ky Samaritan i mirë, njeriu që ra ndër cuba, a thua nuk është mbarë njerëzimi i shtypur dhe i plagosur me çdo të keqe? A thua nuk është Kisha “bujtina” në të cilën Jezusi i sjell të plagosurit dhe fatkeqët që t’i shpëtojë? Këtu mësojmë çfarë Hyji bën për ne, për mua personalisht. Këtu na tregon se rruga jonë duhet të na çojë tek i afërmi. Në këtë mënyrë bëhem i afërmi i afërmit tim. Në qoftë se amshimi jonë vjen në pyetje, kjo do të ndodh sepse nuk treguam dashuri, pse nuk qemë të gatshëm të jemi të afërmit e të afërmve tonë.
O Zot, të falënderoj për këtë shëmbëlltyrë. Pranoj se është e mrekullueshme në secilin element. Na zbulon egoizmin e atyre që thonë se të përkasin ty dhe dëshirojnë të të shërbejnë, dhe zemërgjerësinë e atij që e kemi përjashtuar dhe shihet me sy të keq. Po të lutem, O Zot, që në vetvete të kem shpirtin bujar që kishte Samaritani. Të falënderoj që kërrusesh mbi mua, që më ngrit dhe kujdesesh për mua. Ti je Samaritani im i mëshirshëm. Më ndihmo që të përngjaj. Më ndihmo që ta dëgjoj urdhrin tënd: “Shko e bëj edhe ti kështu”.