MEDITIMI I DITËS – GËZIMI NË NDARJE!

Written by on June 1, 2019

Lk 24, 46-53 GËZIMI NË NDARJE!

 

Kërkoj Hirin që Ngjitja e Jezusit në qiell të jetë nxitje për shpallje të gëzueshme!

 

Të ngjiturit e Zotit tonë Jezus Krishtit në Qiell – C

 

46Jezusi u tha nxënësve të vet:  “Kështu është në Shkrimin shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. 49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti.”

            E lexojmë faqen e fundit të Ungjillit të cilën e ka shkruar Shën Luka. Jezusi përsëri iu flet nxënësve të vet ato gjëra të cilat në asnjë mënyrë nuk i kanë kuptuar, edhe më pak i kanë pranuar derisa ai me ta i kalonte rrugët e Galilesë. Ju flet për vuajtjen e vet, vdekjen dhe ringjalljen. Ju flet për këtë gjë në përfundim të pranisë së tij fizike mes tyre. Koha e shfaqjeve të tij pas ringjalljes tashmë po përfundon dhe Jezusi përsëri dëshiron të theksojë atë që është më e rëndësishmja. Vërtetë, ky është mësimi më i vështirë i teologjisë dhe guri më i madh në të cilin merret në thua në jetën tonë. Ky do të jetë themeli i predikimit të nxënësve: mundimi, vdekja dhe ringjallja e Zotërisë që i thirri të jenë me të e që tani i dërgon nëpër mbarë botën tek të gjithë popujt. Në dërgimin e tyre do t’i thërrasin njerëzit në kthim, do të çlodhin njerëzit duke ua marrë barrën e mëkatit dhe do t’i zgjidhin ata që i lidhen zinxhirët e të Keqit. Çdo gjë që dëgjuan prej Zotërisë dhe çdo gjë që panë duke bërë, duhet edhe ata të predikojnë dhe të dëshmojnë për këtë gjë. Në këtë mënyrë bëhen dëshmitarë, sepse e kanë dërgimin e Zotërisë që të dëshmojnë për atë që dëgjuan dhe morën prej tij.

            Edhe një gjë të rëndësishme Zotëria e kërkoi prej nxënësve të vet. Duhet të mbetën në qytet duke pritur që “të vishen me fuqi prej së larti”. Nuk mund të shkojnë në botë për të bërë ato gjëra si atyre u pëlqen duke predikuar. Nuk janë “gjuetarë të lirë” që formojnë taktikën e vet dhe nuk japin përgjegjësi para askujt për atë gjë që bëjnë. Para tyre është detyra serioze dhe për të duhet të përgatiten. E vetmja gjë që duhet të bëjnë është që të presin. Ju duhet të presin, e kjo gjë ndonjëherë është gjëja më e vështirë. Pranë kësaj, ai nuk u tha se sa duhet të presin. E kjo gjë është shumë e vështirë për natyrën e tyre të varfër njerëzore. Duhet të presin derisa mbi ta mos të arrijë Premtimi, derisa mos t’i përfshijë pushteti i Hyjit. Edhe ne, derisa presim na duket se jemi të padobishëm dhe se koha na kalon kot. Prandaj nuk dëshirojmë të presim. Jemi të padurueshëm, sidomos kur na mundon mendimi sa të mirat do të kishim mundësi t’i bëjmë në atë pritje të pafryt. E pra për zbritjen e Pushtetit prej së larti nuk ka rrugë tjetër as mënyrë pos të presësh. Nuk kanë mundësi të dëshmojnë pa e marrë Shpirtin Shenjt. Pa të janë në rrezik që të jenë dëshmitarë të këqij dhe të rrejshëm. Ai është Pushteti që do t’i shndërrojë dhe do t’i bëjë të besueshëm.

            O Zot, ti më së miri e di se për çfarë kanë nevojë nxënësit e tu. Edhe një herë u fole për atë gjë që nuk e kuptuan derisa ishin me ty në rrugët e Palestinës. Mundimi, vdekja dhe ringjallja nuk hynin në mendimet e tyre as nuk ishin tema të bisedave që bënin. Prandaj ju duhet të presin ende. Këtu do të piqen dhe do të kuptojnë. Kur ta marrin Forcën prej së larti do të jenë të gatshëm të nisën në mesin e të gjithë popujve që të predikojnë gjithçka ju urdhërove, mundimin, vdekjen dhe ringjalljen tënde. Të gjitha këto, o Zot, vlejnë edhe për ne. Duhet të dimë të presim dhe t’i njohim shenjat tua. Duhet të përgatitemi që ta pranojmë Fuqinë prej së larti që të na forcojë që në kohën tonë të jemi dëshmitarët e tu mes të gjithë popujve.

50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. 51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. 52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem 53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.

Kështu Shën Luka e përfundon Ungjillin e vet. I përshkruan çastet e ndarjes së Jezusit nga nxënësit e tij. I solli në atë vend ku rrinte me gëzim. Aty ishin miku i tij Lazri dhe motrat e tij. Çdo gjë zhvillohet thjeshtë dhe në varfëri. Nuk është kjo ndonjë gosti siç dimë ne t’i organizojmë kur ndahemi. Nuk ka fjalime, zhurmë, lot. Çdo gjë zhvillohet në një ambient shpirtëror. Jezusi i shtrinë duart mbi apostujt e vet dhe i bekon. Ata ranë para tij me fytyrë për dhe, në këtë mënyrë tregojnë nderimin e tyre, besnikërinë dhe përkatësinë. Jezusi “shkoi”. Nuk është më i pranishëm në mënyrë të dukshme mes tyre. Por ata ndjejnë praninë e tij në një mënyrë tjetër, sepse ai vazhdon të jetë me ta. Prandaj kthehen të gëzueshëm në qytet. Shkojnë në Tempull që ta bekojnë dhe ta nderojnë Hyjin. Ndoshta kemi pritur dhimbjen dhe pështjellimin pas ndarjes. Ne në këto raste zakonisht na mbushin këto ndjenja. Sigurisht këtu është fjala për një ndarje tjetër.

            O Zot, kur u ndave nga nxënësit e tu i bekove. Kjo është hera e parë që mbi ta e zbraz bekimin. Duart e tua pushuan mbi ta, ndërsa bekimi yt i përcjell në udhët e tyre nëpër të cilat do të ecin pasi ta marrin Fuqinë prej së larti. Më këtë Fuqi do t’i bekojnë të tjerët dhe do t’i zgjidhin prej prangave të së keqes me të cilat ishin lidhur. Kjo gjë i mbush me gëzim edhe pse ti ngjitesh në qiell dhe nuk je më i dukshëm mes tyre. Ata tashmë janë të vetëdijshëm çfarë duhet bërë dhe e dinë se nga tani je i lidhur me ta me lidhjet tjera. Ata e dinë se nuk janë vetëm por ti je me ta. Shtrij, o Zot, mbi ne duart tua dhe na beko. Bekoje çdo gjë që bëjmë dhe bëj që puna jonë të jetë bekim që ta bëjmë ty dhe lavdi i mbretërisë sate. Jam në gjunjë para teje dhe të lutem të më bekosh. Më mbush me gëzim që të jem dhurues i gëzueshëm. Më ndihmo që falënderimi im dhe lavdi në tempullin tënd të jetë shpallje e gëzueshme e Ungjillit dhe dëshmi e gatshme e çdo gjëje që më besove.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend