MEDITIMI I DITËS – FSHEHTËSITË E FESË

Written by on April 24, 2017

Gjn – 3,7-15 FSHEHTËSITË E FESË

 

Kërkoj hirin që të rri në përvujtëri para fshehtësive të fesë dhe t’i pranoj ato.

 

«Jezusi i tha Nikodemit: 7 Mos u çudit që të thashë:‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’ 8 Era fryn në drejtimin që do; … Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.»

Jezusi e ka përvojën e thellë të njësisë me Atin dhe me Shpirtin Shenjt. Është i njëjti Shpirt, që çdo i krishterë e merr dhuratë në Pagëzim. Secili e ka dhuratën e vet, që është e ndryshme nga çdo dhuratë që morën të tjerët, por është prej të njëjtit Shpirt. Shpirti i Hyjit na bashkon në njësi, kështu që nuk jemi më njerëz të vetmuar, njerëz që nuk kanë nevojë për njëri-tjetrin. Sa shpesh në jetën time si besimtar, meshtar, rregulltar e harroj këtë të vërtetë të rëndësishme: morëm dhuratë Shpirtin e Hyjit! Ai është në ne. Dëshiron të veprojë përmes nesh në botë. E kemi lënë pas dore besimin tonë në Shpirtin e Hyjit. Prandaj, me të drejtë në himnin e Shpirtit Shenjt, këndojmë «Çka është ftohtë, me flakë rretho, çka është shtrembër, ëmbël drejto… » Ne, shpesh, jemi të fortë si guri e të ftohtë si akulli.

«9 Nikodemi e pyeti: “Si mund të bëhet kjo gjë?»

Dialogu vazhdonte. Nikodemi dëshironte të sqarohej. Nuk e kuptonte mësimin e Jezusit. Nuk kishte frikë ta pyeste. Ndjehej i lirë dhe ndjehej mirë në praninë e Jezusit, të cilit i pëlqente të fliste. Edhe pse ishte natë, ndenji me Nikodemin dhe donte që ta mësonte. Mirëpo, edhe Nikodemi dëshironte që të merrte mësim prej Tij. Nuk tërhiqej kur haste në gjëra, që nuk i kuptonte. Dëshironte që Jezusi t’ia sqaronte dhe t’ia shpjegonte deri në fund.

Mund ta marr me mend lehtë këtë ngjarje, që na e përshkruan Shën Gjoni. Dy bashkëbisedues të sinqertë: Jezusi dhe Nikodemi. Edhe njëri, edhe tjetri dinë edhe të flasin, por edhe të dëgjojnë kur tjetri flet.

A di unë që të jem si Nikodemi në lutjen time? A guxoj që edhe unë ta pyes Jezusin? A di ta dëgjoj fjalën e Tij, që ma drejton? Lutja e ka përmasën e bisedës. Lutja ime, a është bisedë apo është monolog?

«10 Jezusi iu përgjigj: “Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq? 11 Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them: ne flasim çka dimë e dëshmojmë çka pamë, e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.»

Në shkollën e Hyjit nuk mjafton vetëm aftësia mendore. As nxënësi e as mësuesi nuk guxojnë të mbështeten vetëm në dhuratat dhe talentet që i kanë, sado të shkëlqyeshme të jenë ato. Nikodemin, edhe pse ishte mësues, Jezusi e ftoi që ta pranonte se ishte i vogël dhe i pamjaftueshëm. Në këtë gjë, atij i duhej të lindte përsëri. Shpirti i Hyjit nuk vepron kur njeriu është mendjemadh dhe i dashuruar në vetveten, duke i detyruar të tjerët që të marrin vetëm ato gjëra që Ai ia jep.

Po unë, a mbështetem vetëm në të vërtetat e mia? Ndoshta dëshiroj që të tjerët t’i marrin patjetër ato. A di që t’i pranoj në përvuajtëri misteret e fesë sonë?

Na duhet të lutemi, në mënyrë që të shohim me sytë e Jezusit, që të dëgjojmë me veshët e Tij. Kur në ne është Shpirti i Tij, atëherë do ta dëgjojmë me besim fjalën e Tij dhe do ta lejojmë që Ai të na udhëheqë në atmosferën e Hyjit. Shpirti i Hyjit e sjell paqen në ne, na jep ngushëllimin dhe kënaqësinë e thellë. Këtë gjë mund ta hasim te njerëzit e thjeshtë, që ia dorëzuan Hyjit jetën e tyre me besim dhe dinë më shumë për Hyjin se ata që mësojnë dituritë filozofike dhe teologjike nëpër katedra.

Jezusi, që në fillimin e veprimtarisë së vet publike, hasi në refuzim, në mbylljen e njerëzve dhe në moskuptim. Për këtë gjë, ia bëri vërejtjen edhe Nikodemit. Gjithçka është njësoj edhe në ditët tona. Ose e pranoj porosinë e Hyjit, edhe pse nuk i kuptoj të gjitha, ose me dyshimin tim dhe me kritika rrëshqas ngadalë në sferën e mosbesimit dhe të refuzimit.

«12 Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë si do të më besoni në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit?13 Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli.»

Të besosh në Jezusin do të thotë të pranosh ato gjëra që Ai i thotë, të njohësh në të Birin e Hyjit, i cili paraqet Atin dhe premton Shpirtin Shenjt. Ai e ndërtoi «urën» mes gjërave tokësore dhe qiellore. Ai zbriti nga qielli në tokë. Ai e tregon rrugën për në atdheun e vetëm dhe të vërtetë. Atje arrijmë përmes fesë në Të. Prandaj thotë:

«14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.»

Jezusi do të ngrihet në drurin e kryqit, me anën e të cilit do të bëjë «kalimin» mes tokës dhe qiellit. Me vdekjen e vet në kryq dhe me ringjalljen, e hapi rrugën drejt qiellit. Rruga për në qiell është rruga e fesë.

O Zot, më ndihmo që, edhe pranë dëshpërimeve dhe mossukseseve të mia, të di të shikoj në kryqin Tënd. Bëj që të mos mburrem me njohuritë e mia, por të di që me përvujtëri t’i pranoj misteret e fesë që i tejkalojnë arsyetimet e mia. Bëj që, pranë gjithçkaje, të di të shikoj në qiell dhe thjesht ta ndjej praninë Tënde në mua, që ta ndjej këtu në kohën e kalueshme amshimin, jetën që nuk mbaron, në të cilën do të arrij me anë të fesë.

 


Current track

Title

Artist