MEDITIMI I DITËS – FRYTI I TALENTAVE
Written by Radio Maria on December 31, 2016
1 Gjn 2, 22-28 FRYTI I TALENTAVE
Kërkoj hirin: që të japin fryt dhuratat me të cilat Hyji me pajisi!
22 Kush është rrenacak në qoftë se nuk është ai që pohon se Jezusi nuk është Mesia? Antikrishti është ai, që mohon Atin e Birin. 23 Secili që mohon Birin nuk e ka as Atin. Kush pranon Birin, ka edhe Atin.
Shën Gjoni mbron thelbin e besimit të krishterë. Ai e diti në mënyrë të përsosur se kush është Jezu Krishti. Më të i kaloj ditët më të bukura të jetës së vet. Gjoni e di se përse erdhi Jezusi dhe çfarë bëri për njeriun. Dashuria të cilën Jezusi e tregoi ndaj tij thjeshtë e nxit që të ngrihet në mbrojtje të Krishtit. Gjoni e di shumë mirë se kjo fjalë është në themelet e fesë. Në qoftë se këto themele luhatën dhe rrënohen, atëherë mbi këto rrënoja do të bie gjithçka. Është e qartë se në këtë kohë u lajmëruan disa njerëz të cilët filluan ta kundërshtojnë Krishtin dhe mësimin e tij. Gjoni ishte shumë i ndjeshëm për ato gjëra që i përkisnin Zotërisë. Edhe pse ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe shumë i butë në komunikim me të tjerët, por kur është fjala për mbrojtje të mësimit të vërtetë të Mësuesit të vet, atëherë nuk ndalet dot. Nuk ka frikë nga heretikët për t’i quajtur antikrishta.
Jezusi nuk është vetëm njeri, ai është edhe Hyj. Krishti është themeli, plotësia dhe qëllimi i besimit të të gjithë të krishterëve. Edhe pse është Hyj, lindi si njeri që secili njeri në të, të ketë mundësi ta takoj dhe ta njoh Hyjin. Këtë gjë e përjetojmë dhe e kremtojmë këtyre ditëve. Vijmë deri tek grazhdi që ta adhurojmë Hyjin që u bë njeri. Të mohosh hyjninë e Jezusit dhe mos të besosh në të si në Hyjin, Shën Gjoni na thotë se kjo do të thotë ta ndëshkosh vetveten sepse e ke mohuar Hyjin. Kurrfarë ndjenjash fetare as kërkime filozofike nuk kanë mundësi të na tërheqin tek hyji as nuk ndihmojnë që të takohemi me të. Këtë gjë ka mundësi dhe e bënë vetëm Jezusi. Ai është zbulesa e vërtetë e Hyjit. Prandaj takimi i vërtetë me Hyjin ndodh afër grazhdit.
Ja, jam këtu para teje, o Zot Hyji im, dhe të falënderoj që erdhe tek ne dhe që na udhëheq në fshehtësinë e jetës sate hyjnore. Të falënderoj që kam mundësi ta shikoj fytyrën tënde prej të cilës e hoqe velin që ma ndalonte të shikoj të gjitha gjërat hyjnore.
24 E ju – çka dëgjuat që prej fillimit, ajo edhe le të mbetet në ju. E nëse do të mbetet në ju çka dëgjuat që prej fillimit, edhe ju do të mbeteni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që Ai na e bëri: jeta e pasosur. 26 Kaq ju shkrova lidhur me ata që kërkojnë t’iu gënjejnë.
Sikurse Shën Gjoni ruajti në vetvete të gjitha ato gjëra që mori dhe i dëgjoi nga Zotëria, na mëson edhe ne që ta bëjmë të njëjtën gjë. Për takimin me Hyjin së pari duhet ta rregullojmë vendin në vetvete. Na duhet të takohemi me Të dhe ta dëgjojmë fjalën e tij. Në ne duhet të jetë vendbanimi i tij, kështu edhe ne do të jemi në të. Këtë pasuri e jetës shpirtërore e ruaj dhe e mbroj nga çdo gjë që ka mundësi ta dëmtojë dhe prej të gjithëve që dëshirojnë të ma marrin. Në botë kam mundësi të jem i pranishëm plotësisht kur Hyji është në mua dhe kur dëshiroj botës t’ia dhuroj Hyjin. Ka njerëz të tillë që dëshirojnë të na ngashënjejnë dhe të na detyrojnë ta marrim mësimin e tyre. Kur e adhurojmë Zotërinë në grazhd, atëherë e kuptojmë në cilën rrugë duhet të ecim. Kjo është udha e tij që me drejton në jetën e amshuar.
27 E ju – Shugurimi që keni marrë prej tij, qëndron në ju dhe nuk keni nevojë t’iu mësojë kush, por çdo gjë ju mëson Shugurimi i tij – është e vërtetë dhe nuk është gënjeshtër – dhe, siç ju ka mësuar, qëndroni në Të.
Shën Gjoni së bashku më nxënësit e tjerë këtë mësim e mori nga Jezusi, ky është mësimi të cilin e vulosi hiri i Shpirtit Shenjt, është mësimi i vetëm dhe i vërtetë. Ne nuk morëm asnjë mësim tjetër. Këtë mësim apostujt ua shpallën dhe ua dorëzuan breznive të të krishterëve të parë. Të njëjtin mësim e morëm edhe ne. Në prehrin e Kishës e morëm Lajmin e gëzueshëm. Kisha mësuese rri zgjuar për të ruajtur të vërtetën e Ungjillit dhe për ta mësuar. Askush tjetër nuk ka mundësi as nuk duhet të na mësojë. Shpirti Shenjt dëshmon për të vërtetën dhe besueshmërinë e atij mësimi të cilin Kisha na mëson. Kur të paraqitën mësimet e gabuara ose njerëzit që dëshirojnë në emër të përparimit të botës dhe të «humanizmit» të korrigjojnë disa qëndrime që Kisha i mëson, na duhet që edhe më shumë t’i dorëzohemi Kishës dhe të lidhemi me të. O Krisht, ji i vetmi banor i zemrave tona. Në shkretëtirën e pafund të botës sonë sille vërshimin e shugurimit tënd.