MEDITIMI I DITËS – FRYMËZIMI I SHPIRTIT

Written by on October 20, 2017

Lk 12, 8-12 FRYMËZIMI I SHPIRTIT

 

Kërkoj hirin: që të jem i hapur para frymëzimeve të Shpirtit të Hyjit që dëshiron të më udhëheq.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 8»Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tij para engjëjve te Hyjit. 9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.

Për secilin që ka njohur Ungjillin dhe e pranoj fenë ekziston vetëm një zgjedhje: ta pranojë Jezusin ose ta refuzoi. Rrugë tjetër nuk ka. Këtë gjë në mënyrë të qartë ju tha Jezusi nxënësve të vet dhe të gjithë atyre që për shkak të fjalës së tyre do ta pranojnë mësimin e Krishtit. Këtu nuk ka tregti, nuk ka kompromis as alternativë. Kemi një përmbajtje të vetme dhe të plot që i përket zgjedhjes së vetme: për Krishtin ose kundër tij. Përcaktimi nuk është i lehtë, nuk i përket vetëm një pjese të jetës së njeriut ose disa interesave të tij. I kërkon të gjitha pa ruajtur asgjë. Ky vendim bie në pikëpyetje jo vetëm jetën tokësore por edhe të përjetshmen. Jezusi thekson qartë se këtu bëhet fjalë për gjyqin e fundit dhe takimin më të para engjëjve. Kur do të ndodh kjo, atëherë do të jetë një ripërsëritje e asaj që kemi jetuar këtu në tokë. Ashtu si angazhohemi këtu për Krishtin dhe sa shihet kjo gjë në jetën tonë që e kemi jetuar dhe dëshmuar për të, ashtu edhe Krishti do të jetë për ne para engjëjve në qyq kur do të na marrin në pyetje për të jetuarit tonë.

O Zot, më jep fuqi që të dëshmoj për ty, edhe pse kjo gjë nuk është gjithmonë e lehtë. Kam frikë nga mendimi i njerëzve. Kam frikë që të tjerët të me përqeshin dhe të më konsiderojnë të prapambetur dhe njeri që nuk është i kohës.

10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje.

Çfarë dëshiron të na thotë Jezusi më këtë gjë? A nuk tha pak më parë se duhet t’i përkasim, se duhet të dëshmojmë për të dhe ta pranojmë para njerëzve? A nuk e bëri këtë, kusht për jetën e pasosur për secilin prej nesh? Tani i lejon njeriut që të ketë diçka kundër Birit të njeriut dhe kjo gjë do t’i falet. Për çfarë bëhet fjalë? A i lejon Jezusi dyshimet e caktuara në lidhje me të si njeri? A lejon që njeriu të thotë diçka kundër tij dhe se kjo gjë nuk do të jetë e pafalshme për të? Për çfarë bëhet fjalë, saktësisht nuk e dimë. Mirëpo është e sigurt se Pjetrin, pasi që e mohoj e fali. Ai derisa ishte i varur në kryq, i fali duke i përligjur për shkak të mosdijes për atë që po bënin, të gjithë ata njerëz që e munduan. A janë fjalët që njeriu i thotë kundër Birit  të njeriut ato që i falen? Duket se kështu duhet të jetë!

Mirëpo, Jezusi thotë së është shumë më vështirë kur njeriu e shan Shpirtin Shenjt dhe se kjo gjë nuk do t’i falët. Jezusi tërheq vërejtjen se kundërshtimi ndaj Shpirti Shenjt dhe shenjave që ai bënë në botë, është mëkat i tillë sa që njeriun e përjashton nga çdo gjë që është e Hyjit dhe e mbyll përballë jetës së hirit. Shpirti Shenjt do të vazhdojë veprën e Krishtit prandaj është i nevojshëm bashkëpunimi me të. Mos të bashkëpunosh me Shpirtin Shenjt do të thotë të nënçmosh dhuratat e tija. Kjo është sharja. Kjo është ajo gjë që nuk falet dot.

A e kam në vetvete Shpirtin e Hyjit? O Shpirt Shenjt, mi jep sytë e ri që në mënyrë të drejtë t’i shikoj të gjitha gjërat rreth vetes. Ma jep zemrën që do të besojë në fjalën tënde, që do të dashurojë më sinqeritet dhe që do të shpresoj më krejt fuqinë.

11 Madje, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni se si do të mbroheni e çka do të thoni: 12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.«

Nuk pati ndonjë periudhë gjatë historisë në të cilat nuk u ngritën procese kundër të krishterëve. Gjithmonë pati përndjekje. I krishteri, që jeton Ungjillin, është shenja e Hyjit në botë. Prandaj është sfidë dhe pengesë për të gjithë ata që janë kundër Ungjillit. Historia e të krishterëve është histori përndjekjesh. Disa përndjekje ishin të hapura dhe të drejtpërdrejta. Të tjerat të mbyllura dhe të fshehura, por aspak më të rrezikshme. Jezusi nga ngushëllon dhe na jep guxim. Nuk duhet të shqetësohemi për këtë gjë. Na duhet të kemi shpresë në Hyjit. Nuk duhet të ndërtojmë mbrojtjen, as të shqetësohemi për t’i zgjedhur fjalët. Shpirti Shenjt është së bashku me ne. Ai do të na mësojë çfarë duhet bërë, në qoftë se jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me të. Prandaj Jezusi do që gjithsesi të jemi të hapur para Shpirtit të Hyjit.

O Zot, ty po të dorëzohem plotësisht. Më ndihmo që të hapem para Shpirtit tënd, para Shpirtit të së vërtetës dhe të qartësisë. Që ta shoh çdo gjë që dëshiron të ma tregosh. Që mos ta mbyll zemrën time para nxitjeve që Shpirti Shenjt dëshiron të mi bëj. O Shpirt Shenjt, me ndihmo që ta kuptoj porosinë e fjalës së Hyjit. Që të dijë të dalloj në zemrën time frymëzimet e tua nga frymëzimet e të Keqit. Ma jep dhuratën e dallimit. Bëj që t’i dalloj tundimet që lajmërohen në mua dhe ta shoh ngashënjimin e tyre shkatërrues. Më mëso ta kërkoj vullnetin e Hyjit në jetën e përditshme. Bëj që të besoj në ndihmën tënde sa herë që do iu nënshtrohem tundimeve. Bëj që të besoj në fuqinë tënde, sa herë që të më gjykojnë dhe do të më qesin para njerëzve të dhunshëm të kësaj bote.

 

 


Current track

Title

Artist