MEDITIMI I DITËS – FJALËT DHE QORTIMET
Written by Radio Maria on August 29, 2017
Mt 23, 27-32 FJALËT DHE QORTIMET
Kërkoj hirin: që fjalët dhe qortimet e Jezusit t’i marr seriozisht.
Në atë kohë Jezusi tha: 27 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie.
Jezusi dëshiron të na zbulojë çdo gjë që është e pranishme nën paraqitjen e jashtme të farisenjve dhe të skribëve. Paraqiteshin para njerëzve ndryshe nga ajo që ishin përbrenda. Për këtë arsye këtë gjë Jezusi e paraqet si dyfytyrësi, që do të thotë jashtë janë ndryshe nga ajo që janë përbrenda. Jashtësia e tyre të cilën e shikonin njerëzit nuk i përgjigjej asaj që kishin përbrenda. Jezusi shikonte çfarë ishte nën fytyrat e tyre. Ua shihte zemrën dhe shpirtin. Krahasimi të cilin e përdor është tepër i dhimbshëm dhe shkatërrues për farisenjtë. Në kohën e Jezusit varrezat i zbardhonin që të shiheshin mirë dhe njerëzit rastësisht mos t’i prekin, sepse në këtë mënyrë bëheshin të papastër edhe kjo gjë ishte formalizëm. Si të bëhej i papastër vetëm pse rastësisht e preku varrin! Jezusi i krahason pikërisht me këto varreza. Nga jashtë ishin të dukshëm dhe të bojatisur, përbrenda mbyllnin çdo ndyrësi, erë të keqe, kalbësi dhe shkatërrim të trupit.
28 Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi.
Jezusi tregoi guxim të jashtëzakonshëm kur farisenjtë që konsideroheshin të pastër dhe skribët që konsideroheshin më të diturit, i krahasoi me kalbësirën që gjendet në varr. Jezusi ju thotë në sy, se janë të njëjtë në varrezat e tyre. Nga jashtë paraqiten me fytyrë të drejtë dhe të sinqertë, përbrenda janë plot dyfytyrësi dhe keqbërje.
Nuk guxojmë të mendojmë se këto fjalë ju përkasin vetëm farisenjve dhe skribëve të kohës së Jezusit. Secila kohë dhe secila brezni i ka njerëzit e tillë. Secili prej nesh, deri diku, e ka në vetvete shpirtin e farisenjve, shpirtin e dyfytyrësisë dhe të keqbërjes. Secili prej nesh e ndjejmë në vetvete dallimin mes asaj që vërtet jemi dhe të asaj që lejojmë që të tjerët ta shohin, të asaj që fshehim thellë në vetvete për të cilën shumë shpesh kemi turp dhe të asaj që lejojmë të shihet.
O Zot, ti i vetmi ke qenë i sinqertë dhe i shenjtë. Brendia jote në mënyrë të përsosur i përgjigjej asaj që njerëzit kishin mundësi ta shihnin. Fjala jote, sot, rri para nesh dhe na duhet ta shikojmë vetveten në të. Ndjej vogëlsinë dhe hiçin tim për shkak të të gjitha gjërave që i përjetoj në takim me fjalën tënde. Më ndihmo që të kem mundësi ta pastroj dhe ta rregulloj brendinë time në atë mënyrë siç përpiqem ta pastroj dhe ta rregulloj jetën e jashtme. Bëj që zemra ime t’i përgjigjet asaj që shihet në fytyrën time. Që jashtësia ime ta paraqesë gjithmonë atë gjë që kam në shpirt.
29 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u ndërtoni profetëve varrezat e u stolisni të drejtëve monumentet 30 dhe thoni: ‘Të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve.’
Në këto fjalë të Jezusit shohim përmasën e re në sjelljen e farisenjve dhe të skribëve. Ajo vetëm përplotëson figurën që ata e paraqesin për veten, atë figurë të cilën njerëzit e thjeshtë nuk patën mundësi ta shihnin për të dalluar mungesat, sepse me shkathtësi i mbulonin qëllimet e veta të vërteta. Paraqiteshin si të pafajshëm dhe si ata që kishin dhimb për profetë të cilët etërit e tyre i vranë. Në këtë gjë dëshirojnë të ndahen prej tyre duke pasë dhimbje për atë gjë që ndodhi. Në këtë mënyrë nuk bënin asgjë tjetër përveç se e lartësonin veten mbi breznitë e shkuara duke i dënuar ato, derisa vetveten e paraqisnin si shembull pas të cilit duhet shkuar. Në këtë mënyrë paraqesin prizmin e ri të fariseizmit dhe dyfytyrësisë duke e konsideruar veten më të mirë se breznitë e shkuara. Secila brezni është në tundim të njëjtë, kur gjykon ata që jetuan më parë, e konsideron veten më të mirë dhe më të drejtë. Gjithashtu nuk është e drejtë që asnjëra gjeneratë ta gjykojë dhe ta kundërshtojë tjetrën duke ia lënë të gjitha fajet. Kjo gjë ndodh shumë shpesh mes të vjetërve dhe të rinjve. Në këtë mënyrë ndërpritet çdo bashkëbisedim dhe mundësi e jetës së përbashkët.
31 Kështu ju vetë dëshmoni kundër vetvetes se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. 32 Mirë, pra, kryeni ç’filluan etërit tuaj!
Jezusi tregon, se si me sjelljen e tyre ata bien në kurth. Si bij të vrasësve nuk janë aspak më të mirë se etërit e tyre.
O Zot, më ndihmo që të jem kritik ndaj vetvetes. Që veprimet e mia t’i shikoj sipas shpirtit të fjalës sate. Sa shumë gjëra më duhet t’i shoh dhe t’i përmirësoj! Më ndihmo!