MEDITIMI I DITËS – FJALA U BË NJERI

Written by on January 3, 2020

E diela e dytë pas Kërshëndellave

 

Gjn 1-18; ose 1, 1-5. 9-14 FJALA U BË NJERI

 

Kërkoj hirin: që të jem i hapur para Fjalës së Hyjit që dëshiron të banojë në mua

 

1 1 Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. 2 Kjo ishte në fillim në Hyjin. 3 Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, 4 e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; 5 e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. 6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. 7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. 8 Ai nuk ishte Drita,  por   për të dëshmuar Dritën. 9

Ndoshta pyesim përse ky tekst në kohën e Kërshëndellave. A thua vërtetë, nuk ka asgjë në të për misterin e Kërshëndellave? Aty nuk është Jezusi i vogël as barinjtë, nuk janë as engjëjt as dijetarët. Pastaj këto mendime në mënyrë teologjike janë aq të thella sa që nuk është lehtë të kuptohen siç janë paraqitjet e lindjes së Jezusit. Mirëpo, pikërisht kur përpiqemi pak më seriozisht të merremi me këtë pjesë të Ungjillit të Shën Gjonit, atëherë do të kuptojmë më mirë thellësinë e tij dhe arsyet për shkak të të cilave ky tekst e gjeti vendin e vet në misterin e Kërshëndellave.

            Në shikim të parë shohim se si Shën Gjoni e fillon Ungjillin e vet ndryshe prej ungjilltarëve të tjerë. Ai e fillon në mënyrë festive. Kjo pjesë është si himni që këndohet para ndonjë kremtimi të rëndësishëm ose shërbese hyjnore. Qartë, Shën Gjoni me këtë gjë dëshiron të tregoj vlerën dhe madhërinë e veprës në të cilën hyn kur fillon të shkruajë Ungjillin e vet. Pastaj ky himn i llojit të vet i paraprin çdo gjëje që ndodhi Kërshëndellave. Ky na çon në fillime, atje ku as me mendime e as në shpirtin tonë nuk mund të depërtojmë. Na çon te ekzistenca e Krishtit në amshim, jashtë vendit dhe kohës, e jo vetëm tek mishërimi dhe lindja që ndodhi në vend dhe në kohë. Fjala për të cilën Shën Gjoni shkruan nuk e ka domethënien e një fjale të kotë që thuhet, siç mund të jetë fjala jonë. Kjo fjalë është Person, Personi i dytë i Të Shenjtërueshmes Trini. Ky është i njëjti Jezus për lindjen dhe fëmijërinë e të cilit këtyre ditëve meditojmë. Këto mendime na çojnë atje ku filloi gjithçka, atje ku është fillimi i shëlbimit tonë pa të cilin nuk do të kishte Kërshëndella.

            O Zot, këtyre ditëve biem në gjunjë para grazhdit tënd, lutemi para teje dhe të këndojmë. Këtu para këtij teksti përpiqemi që të shikojmë ato gjëra që i paraprin ngjarjes së lindjes sate dhe të asaj që do të pasojë pas saj. Po, ti je që nga amshimi dhe përmes teje u bë çdo gjë. Ti je drita që shndriti natën e Kërshëndellave. Ti je drita që vazhdueshëm shndriti në mesin tonë. Ti je drita që shndrit gjithmonë. Ty errësira nuk të kaplon. Ty errësira nuk ka mundësi të të errësojë. Ne shumë shpesh, o Zot jemi në errësirë dhe nuk e shohim dritën. Vijmë te ti edhe këtyre Kërshëndellave dhe dëshirojmë të shndrisësh errësirën tonë, brenditë dhe zemrat tona. Shndriti me dritën tënde.

Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri,  erdhi në botë. 10 Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. 11 Erdhi ndër të vetët,  e të tijtë nuk e pranuan.

Kjo është një ndër temat që Shën Gjonit i pëlqen shumë – Drita. Ajo është e pranishme në fillimin e këtij teksti, e do ta përshkojë krejt Ungjillin e tij. Shën Gjoni menjëherë paraqet “fatin” e Fjalës dhe të Dritës. Zotëria vjen ndër ne, vjen për të na ndriçuar, por ne nuk e njohim dhe nuk e pranojmë. Kjo është porosia e fortë e Kërshëndellave që na jep Shën Gjoni. E kemi shumë të lehtë të kalojmë ndonjë çast afër grazhdit, ta shikojmë Jezusin foshnje, të këndojmë këngët e bukura të Kërshëndellave dhe të përgatitemi nga jashtë për ngjarjen e Kërshëndellave. Mirëpo, t’i përjetosh Kërshëndellat, ta pranosh Dritën e Kërshëndellave dhe ta lejosh të depërtojë nën pullazin e brendisë sonë është diçka shumë më kërkuese dhe më serioze se çdo gjë e jashtme. Gjëja më e keqe që mund të na ndodhë është mospranimi. Edhe pse e konsiderojmë veten që jemi të tij, ka mundësi të ndodhë që ai të mbetet jashtë çdo gjëje që është e jona. Jezusi këtu nismën na le në dorë ne. Ai pret gjithmonë i gatshëm. Nuk detyron. Nuk bën asgjë me dhunë, por gëzohet shumë kur ne e pranojmë. Ai pikërisht për këtë gjë erdhi.

            O Zot, shtëpia dhe bashkësia ime le të pranojnë dhe le të njohin si Dritën e vërtetë. Na shndrit me gëzim të jashtëm, por edhe me gëzim të vërtetë përbrenda, në zemrat tona.

12 Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. 13 Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por   Hyji. 14 E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij,  atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë. 15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“ 16 Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. 17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. 18 Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm   që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.

            Këtu kemi kulmin e kësaj pjese të Ungjillit të Shën Gjonit. Hyji u mishërua dhe banoi ndër ne. Për këtë gjë gjatë kësaj kohe të Kërshëndellave meditojmë. Për këtë arsye ky tekst hyri në misterin e Kërshëndellave. Ai na fton fuqishëm që ta pranojmë Fjalën e Hyjit. Vetëm kështu do të bëhemi bijtë e Hyjit.

            O Zot, të falënderoj që edhe këtyre Kërshëndellave kam mundësi ta ndjej praninë tënde. Të falënderoj që erdhe dhe që për çdo të kremte të Kërshëndellave të lavdërojmë në mënyrë krejt të veçantë. Dëshiroj që në shtëpinë time dhe në bashkësinë time ta ndjesh veten në mesin e njerëzve të tu. Edhe kur ndonjëherë gjërat nuk janë si duhet dhe nuk jemi të gatshëm për të pritur, në zemrat tona prania jote është gjithmonë e mirëseardhur. Brendia e zemrës sime më shumë i përngjan atij ambienti në të cilin ti ishe në Betlehem, në shpellë. Shndrite me Dritën tënde. Mbushe me Fjalën tënde. Do të doja, në të vërtetë, që përjetësisht të vendosesh në mua, dhe të gjitha Kërshëndellat të bëhen rast të përjetoj në mënyrë të re dhe të të lavdëroj.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend