MEDITIMI I DITËS – FITORJA MBI BOTËN

Written by on May 26, 2017

Gjn 16, 29-33 FITORJA MBI BOTËN

 

Kërkoj hirin që të besoj në fitoren e Jezusit mbi botën dhe që ta shikoj i qetë të ardhmen.

 

«29 Në atë kohë Nxënësit thanë Jezusit: “Tani po flet haptazi e nuk po përdor kurrfarë shëmbëlltyre. 30 Tani e dimë se di gjithçka e nuk është nevoja të pyesë ndokush. Prandaj besojmë se dole prej Hyjit”.»

Kjo ishte mbyllja e mësimit të Jezusit, që ua drejtoi nxënësve të vet. A e kuptuan nxënësit mësimin që ua dha Jezusi? Në Ungjill, shumë herë hasim në moskuptimin e nxënësve ndaj Jezusit dhe dërgimit të Tij. Jezusi i qortoi për këtë gjë. Ja, tani, në përfundim, ata e dëshmuan besimin e vet në Jezusin, të dërguarin e Hyjit. Pas aq shumë dyshimeve, ndalesave, kuptimeve të gabueshme të veprave të Jezusit, duket se arritën deri te besimi. Mirëpo, nuk ka përfunduar çdo gjë, sepse feja e tyre ishte ende në provë. Mirëpo, këtu na paraqitet një dritë e re, një pohim i ri i besimit të tyre gjatë takimit të fundit të përbashkët me Jezusin para mundimit të Tij. Ata dëshironin të besonin, por kjo nuk ishte ende feja, të cilën e përfshin fuqia e Zotërisë së ngjallur dhe e Shpirtit Shenjt.

O Zot, sa i shpejtë jam në fjalë. Shumë shpejt premtoj se do të jem besnik, se do t’u shërbej të tjerëve. Mirëpo, kur më duhet që ta bëj konkretisht këtë gjë, harroj çfarë kam thënë dhe nuk e kryej premtimin. Të falënderoj që Ti nuk më braktis, që nuk dëshpërohesh për shkak të pretimeve të mia të paplotësuara. Dua që të marrë fund jeta e tillë në fe. Të falënderoj që më mbështet dhe më pret, që më në fund ta tregoj besnikërinë time.

«31 Jezusi u përgjigj: “Tani besoni? 32 Ja, po vjen koha ‑ madje arriti ‑ kur ju të shpërndaheni secili në punë të vet e mua të më lini vetëm”.»

Çfarë menduan nxënësit në të vërtetë, ndërsa e shfaqën besimin në Jezusin? Jezusi nuk e vuri në dyshim përgjigjen e tyre. Ata nuk ishin ende të vetëdijshëm se si do të silleshin me Jezusin atë natë. Ata ende nuk e dinin se çfarë domethënieje kishte nata e provës, në të cilën do të hynte besimi dhe mosbesimi i tyre. Të gjithë do të silleshin në të njëjtën mënyrë. Do të iknin dhe do ta linin vetëm Jezusin. Ai iu foli për këtë gjë. Nuk i qortoi, as nuk i dënoi. Dëshironte vetëm që t’i përgatiste për ta duruar më lehtë çka do të vinte. Nuk i nënçmoi, as nuk i refuzoi për këtë gjë. Ai i donte, pa marrë parasysh se si do të silleshin atë natë. Dëshironte t’u thoshte se feja e tyre do të provohej ende, se duhej të kalonin nëpër zjarrin e mundimeve, nëpër mohim, dëshpërim dhe mossuksese. Vetëm pas këtyre, do të ishin më të përvuajtur në besimin e tyre.

Kështu ndodh edhe me besimin tonë. Edhe para meje janë pyetjet: a beson? Çfarë ndodh me besimin tënd? Ti që beson, çfarë ke që nuk e kanë ata që nuk besojnë? Nuk guxoj të besoj lehtë, as të mbështetem në veten time. Unë mund ta nënçmoj e ta lë pas dore besimin tim. Nuk guxoj të harroj se jam i paqëndrueshëm. Nuk mjafton ta lus lutjen BESOJ, as t’i kryej dosido detyrat e mia si besimtar. Më duhet që të lutem çdo ditë për besimin tim. Mosbesimi im dhe tradhtitë e përditshme mund të më ndihmojnë që të jem më i vërtetë, më i thjeshtë dhe më i përvuajtur. Sa shpesh më duhet të iki në botën time, duke e lënë Zotërinë të vetmuar. Kam frikë ta jap mendimin tim dhe të marr qëndrim në shoqërinë e atyre që nuk besojnë. Besimin, shpesh, e mbyll në gjërat e mia private, ndërsa në jetën publike flas, sillem dhe dëshmoj ndryshe. Ndoshta e bëj të kundërtën: publikisht tregohem «i zjarrtë», besimtar i madh, ndërsa, privatisht, kur të tjerët nuk më shohin, nuk e zbatoj ligjin e Hyjit. Këto janë ikjet, këto janë tradhtitë që tregojnë se nuk e lejova Zotërinë që të vendoset në mua dhe në të gjitha hapësirat e jetës time.

«Por, unë nuk jam vetëm, sepse me mua është Ati. 33 Jua thashë këto që ta keni paqen në mua.»

Jezusi e dinte se nuk do ta kishte mbështetjen e nxënësve të vet. Asnjëri prej tyre nuk do të ishte pranë Tij në ato çaste vendimtare të jetës; askush, përveç Nënës, disa grave të përshpirtshme dhe Gjonit, që do ta përcillnin me dhimbje dhe pikëllim. Ekzistonte dikush, në të cilin Jezusi mbështetej gjithmonë. Ky ishte Ati. Ai ishte me Të. Dhimbja, e shkaktuar prej vetmisë dhe braktisjes, do të ishte aq e tmerrshme, saqë një çast Jezusi do të klithte: «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje!» Mirëpo, në fjalët e veta të fundit, Ai do t’i dorëzohej plotësisht Atit dhe kështu do ta dëshmonte deri në fund bashkimin me Të dhe besnikërinë ndaj Tij.

Në lutjen time, do ta përsëris se Zotëria është me mua, se Ati është pranë meje, se më përcjell Shpirti Shenjt. Nuk jam vetëm. Kjo gjë është e rëndësishme, sidomos në çastet e provës, të tundimit dhe të dobësisë. Jo, askurrë nuk jam vetëm! Të falënderoj, o Zot!

«Në botë keni vuajtje, por mos u trembni ‑ unë e munda botën!»

Kjo është nxitja e fundit. Nxënësit do të përjetojnë mundime në botë, por ata do ta dinë se e njëjta botë që mundohet ta tregojë pushtetin dhe forcën, është bota mbi të cilën korri fitore Zotëria. Kam nevojë për guxim, o Zot! Bota ngrihet me mburrje dhe me pushtet. Sa shpesh zotëron e keqja në këtë botë. Shumë herë jam në rrezik që t’i nënshtrohem shpirtit të botës dhe përngjasimit të tij. Ti korre fitore mbi botën. Nuk ka më vend për pikëllim dhe zhgënjim.

 


Current track

Title

Artist