MEDITIMI I DITËS – FITMTARI MBI ÇDO TË KEQE

Written by on July 3, 2018

Mt 8, 28-34 FITMTARI MBI ÇDO TË KEQE

 

Kërkoj hirin: që të besoj palëkundshëm në Jezusin që është fitimtar mbi çdo të keqe.

 

28 Kur Jezusi kaloi në bregun tjetër – në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalojë asaj rruge.

Pas qetësimit të stuhisë në det, Jezusi së bashku me nxënës vjen në një krahinë të pazakonshme. E ka emrin sipas qytetit të Gadarës që është në pjesën juglindore të liqenit të Gjenezaretit, por mjaftë në thellësi të vendit. Kjo pjesë është gurore, plot me shpella dhe varreza. Këtu është çdo gjë ideale për fshehje të kriminelëve dhe të njerëzve të çuditshëm prej të cilëve njerëzit e thjeshtë kanë frikë dhe i shmangin. Posa Jezusi erdhi në këtë anë, i vinë në takim dy njerëz të djallosur që banonin atje. Njerëzit e atyre anëve i njihnin mirë dhe iu shmangeshin atyre rrugëve që të mos takoheshin me ta. Ishin të dhunshëm dhe nuk i linin në paqe kalimtarët. «Ishin të rrezikshëm.» Këtu bëhet fjalë për zotërim të rëndë të djallit. Banimi i tyre në varre tregon se këta njerëz vërtetë ishin nën pushtetin e të Keqit, sepse në kohën e Jezusit njerëzit besonin se varrezat janë vend i privilegjuar i shpirtrave të ndytë.

Fuqitë e të keqit e sulmojnë njeriun dhe nuk e lejojnë që të vazhdoj udhën e vet. E keqja është kundër njeriut dhe përpiqet për ta penguar që të rritet në përsosmërinë e vet natyrore dhe mbinatyrore. Të gjithë ne në udhën tonë të shëlbimit hasim në kundërshtime të cilat na i bënë i Keqi që të na drejtojë në udhën e shkatërrimit. Këtë gjë gjithmonë nuk e kemi të qartë, sepse shumë çka na ofron nën dritën e të mirës që në fund të fundit të na sjell tek qëllimi që ka. Na duhet të jemi të vëmendshëm dhe të dimë mirë t’i dallojmë shpirtrat të cilët luftojnë në brendinë tonë.

29 Dhe ja, bërtitën: »Çkado prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?«

Këta menjëherë hyjnë në ngatërresë me Jezusin. Është më se e vërtetë se pyetja e tyre është plot tmerr dhe frikë. Ata janë të vetëdijshëm se në krahinën e tyre erdhi dikush që është më i fortë se ata dhe se ka pushtet më të madh. Jezusi e di kush janë dhe çfarë dëshirojnë t’i bëjnë njeriut. Por edhe djajtë e dinë se kush është Jezusi. Ata janë më të urtë se njerëzit. Shohin dhe gjykojnë më mirë dhe më qartë se ata. Kanë frikë, sepse Jezusi erdhi që pikërisht këtyre tu marrë pushtetin. Dërgimi i tij është lufta kundër të Keqit dhe të keqes. Do të bëhet luftë e madhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij publike. Shpirtrat e këqij e dinë gjithashtu se kanë një farë lirie në veprimtarinë e tyre në tokë deri Ditën e gjyqit. Këtë liri më së shumti e shfrytëzojnë duke i zotëruar njerëzit. Ditën e gjyqit pushteti i tyre do të shkatërrohet plotësisht dhe më në fund e keqja do të shkatërrohet. Prandaj plot frikë i thonë Jezusit se ka ardhur para kohe.

O Zot, të falënderoj që edhe përpara fitores përfundimtare mbi të Keqin Ditën e gjyqit fillove t’ia marrësh pushtetin. Të falënderoj që kam siguri në ty, sepse ti je më i fortë se çdo fuqi e keqe. Kam mundësi bashkë me ty t’i kundërshtoj të gjitha sulmet e të Keqit. Besoj dhe e di se me ndihmën tënde kam mundësi të fitoj mbi çdo të keqe. Më ndihmo që në brendinë time ti ndjej dhe t’i dallojë sulmet e të Keqit, që t’i shoh dhe t’i refuzoj, që të kem mundësi të jem bashkëpunëtori yt, bashkëpunëtor i Shpirtit të mirë.

30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe thish. 31 Shpirtat e këqij iu lutën Jezusit: »Nëse po na dëbon, na ço në tufën e thive!« 32 Ai u tha: »Shkoni!« Ata dolën e hynë në thi. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë.

Skenë e jashtëzakonshme. Këtu kemi të pranishme simbolikën e pasur të krejt kësaj ngjarjeje. Derri, për hebrenj është kafshë e papastër dhe është e ndaluar të hahet mishi i tij. Këtu kemi një tufë të tërë thish. Qartë, kjo pjesë është pjesë pagane. Shpirtrat e ndytë hyjnë në thi dhe mbytën në det. Thellësitë e deti janë gjithashtu vend ku rrinë fuqitë e keqja. Prandaj gjëja më logjike është që kjo ngjarje të përfundojë kështu. Në këtë mënyrë më se miri është shkatërruar e keqja duke shkuar atje ku e ka vendin, në thellësitë e detit.

33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. 34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.

Njeriu ka mundësi të mësohet me të Keqin dhe të bashkëjetojë me të. Tolstoji tha: «Mëkati në shpirtin tonë së pari është i huaj, pastaj mysafirë, e më në fund zot shtëpie!» Jezusi me sjelljen dhe mirësinë e vet i befasoj njerëzit që jetonin rreth liqenit të Gjenezaretit. Edhe pse i liroi nga i Keqi, ata iu lutën që të largohet prej vendit të tyre. Kjo është fshehtësia e lirisë njerëzore të cilën Hyji e nderon. Njeriu lirinë e vet ka mundësi ta keqpërdor dhe kështu të gabojë. T’i lutemi Zotërisë që të na ndihmojë që të vlerësojmë drejt çdo gjë dhe ta përdorim si duhet lirinë tonë. O Zot, m’i hap sytë për lirinë e vërtetë dhe rri në vendin tim!

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend