MEDITIMI I DITËS – FIKU I ZAKEUT

Written by on October 29, 2016

Lk 19, 1-10 FIKU I ZAKEUT

 

Kërkoj hirin: që në zhurmën e përditshme të di të dalloj zërin e Jezusit i cili më thërret që të zbres dhe të kaloj me të disa çaste.

 

19 1 Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet. 2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.

Për të gjithë ata që shtegtojnë në Tokën e shenjtë Jerihoni është një oazë e veçantë në të cilën kanë dëshirë të ndalen. Me këtë rast ju tregohet “fiku i Zakeut”, një dru i madh nën të cilin ose mbi të cilin njerëzit me dëshirë fotografohen. Jerihoni vërtetë është oazë në atë pjesë shkretëtire. Në shumë çka është i veçantë. Ky është qyteti që është 250 metra në nivelin e detit. Ky është një ndër qytetet më të vjetra mbi tokë. Rrënojat e tij i përkasin kohës tetë mijë vjet para Krishtit. Ky është qyteti i parë që pushtuan Izraelitet kur hynë në Tokën e premtuar. Jerihoni është qyteti i fundit ku kalonin shtegtarët izraelitë para se të vinin në Jerusalem.

Jezusi është herën e fundit në këtë qytet. Këtu ndodhi takimi i jashtëzakonshëm me një njeri. Si ta prisnin njëri-tjetrin. Takimi është i jashtëzakonshëm në të gjitha detajet e tij që janë të pasura, të pakalueshme dhe tërheqëse.

O Zot, ky qytet vendoset thellë ndër ne dhe na kujton çdo gjë që është e ulët dhe e thellë, larg prej teje. Zakeu ngjitët në dru por edhe në këtë lartësi ai gjithmonë është shumë thellë dhe poshtë. O Zot, ti erdhe tek ne këtu poshtë, në thellësitë tona, në humbjet tona. Dëshiron të takohesh me ne sikurse dëshirove të takohesh me Zakeun. Na ndihmo që të jemi të kujtueshëm në mënyrën dhe në dëshirën tonë për të parë. Çdo gjë tjetër do të jetë dëshira dhe vullneti yt, siç ishte në takim me Zakeun.

 5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin: “Ktheu të rrijë te një mëkatar!”

Atë ditë askush në Jerihon nuk e kishte një dëshirë aq të madhe për ta takuar Jezusin siç e kishte Zakeu. Askush nuk pati një ide aq gjeniale që ta shohë Jezusin siç e kishte Zakeu. Të gjitha këto i pëlqyen Jezusit. Prandaj ndalet nën fik dhe e thërret në emër këtë njeri të veçantë. Zakeu u befasua, edhe më shumë u befasuan ata nën fik. Menjëherë e pranon ftesën. Sa më të shpejtë zbret. Ftesa nuk përfundon këtu. Duhet shkuar me tutje, në shtëpi. Zakeu ndoshta vetëm parandien. Ata që nuk dinë murmurojnë. Vërtetë kjo është një pamje e jashtëzakonshme. Zakeu ecën krah për krah më një Rabin, e ku, në shtëpinë e vet. Të tjerët ndoshta e kanë formuar harkun rreth tyre si të ishin të gërbulur. Kështu i linin që të flasin të qetë për ato gjëra që ata dëshironin. Pamje e paparë. Xixëllonin shikimet e pamëshirshme të atyre që u gjenden aty. Asgjë nuk kuptojnë. Prandaj e gjykojnë Jezusin dhe Zakeun.

O Zot, kush ka mundësi ta kuptojë mirësinë tënde dhe mënyrën e veprimit tënd! E do Zakeun si mikun tënd më të dashur. Si të njiheshe me të. Ty nuk të pengon aspak që hebrenjtë e tjerë e konsiderojnë mëkatar. Ti dëshiron të shpërblesh dëshirën e Zakeut që të të shohë qoftë edhe nën pengesën e gjetheve të fikut, vetëm shpejt e shpejt, vetëm për rrugë, vetëm duke kaluar aty pranë, vetëm shkurtimisht… Të falënderoj, o Zot, që interesohesh për secilin njeri. Të falënderoj që sot e sheh dëshirën tonë që të takohemi me ty dhe bën çdo gjë që kjo të ndodhë. Do të doja që sikur Zakeu të takohem me ty. Më thirr që të zbres nga druri im i mendjemadhësisë dhe i egoizmit, i turpit të rremë dhe i frikës…

8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: “Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!” 9 Atëherë Jezusi i tha: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

Ky përfundim është i veçantë dhe i vetëm. Kush pati mundësi të parashikojë një gjë të tillë. Hiri veproi në zemrën e Zakeut. Nuk pati turp të ngjitet në fik që ta shohë Jezusin. Tani nuk ka turp të pranojë mëkatet e veta dhe të premtojë se do të përpiqet që të përmirësohet. Ai do të përjetojë shumë takime të padëshirueshme me njerëzit të cilëve do t’u kthejë atë që padrejtësisht ju mori. Do të ketë fjalë të rënda. Zakeu i pranon të gjitha. Ndjen se zemra e tij është e lirë. Ndjente shtypjen e jetës së keqe, tani gjeti daljen prej saj, ndjen lirinë. Asgjë nuk ka mundësi të krahasohet më këtë lindje që tani po fillon dhe po e ndjen.

Jezusi tregon qartë çfarë ndodhi. Këtu pra syve të tyre është një njeri i shëlbuar së bashku me shtëpinë e tij. Jezusi e nxori Zakeun nga thellësia në të cilën gjendej. E gjeti në depresion, në nivelin e detit nën të cilin Zakeu kishte humbur, ku ishte varrosur në botën e vet në të cilën dëmtonte njerëzit. Tani të gjitha përfunduan.

O Zot, kur e takon njeriun që të kërkon sinqerisht dhe ta hap zemrën, vetëm atëherë fillon të plotësohet mrekullia e takimit. Vjen deri te shndërrimi që është i ndezur diku thellë por mbuluar me hirin e të keqes, që pastaj shpërthen si vullkani. Ti, te Zakeu e ndeze këtë zjarr që ishte i ndezur dhe tani flakëroi në kthimin e tij të sinqertë. Më ndihmo që edhe në brendinë time të ndodhë kthimi. Me nxirr nga vendi ku jam fshehur dhe më ndihmo t’i gjej ikjet dhe humbjet e mia në të cilat endem andej e këndej.


Current track

Title

Artist