MEDITIMI I DITËS – FEJA IME
Written by Radio Maria on January 30, 2017
Mk 5, 21-43 FEJA IME
Kërkoj hirin: që feja ime të jetë e pastër, personale dhe e qëndrueshme.
21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të. I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë. 25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” 29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.
Një judeas fisnik i lutet Jezusit. Ai i lutet për vajzën e vet që është në fill të vdekjes. Më siguri i bëri të gjitha, sepse ishte i pasur dhe i njohur, por asgjë nuk i ndihmoi. Vajza tashmë është në fill të vdekjes. Jezusi niset për të shkuar tek ai. Ja në turmë një grua që bëri gjithashtu çdo gjë për tu shëruar. Krejt pasurinë e shpenzoj për tu shëruar por nuk i ndihmoi askush. Aq më keq, ajo ishte edhe më e sëmurë. Njeriu në vuajtje, njeriu në nevojë. O Zot, sa shumë ka sot prindër që janë të pafuqishëm pranë fëmijëve në fill të vdekjes. Dhimbja e tyre është shumë e madhe. Si tu ndihmojmë, si t’i ngushëllojmë. Po të lutem për ta që dhimbja e tyre mos t’i largojë prej teje. Bëj që edhe në këto situata të kenë mundësi ta pranojnë vullnetin tënd edhe pse nuk e kuptojnë. O Zot, sa shumë njerëz edhe sot e kësaj dite vuajnë nga sëmundjet e ndryshme të pashërueshme dhe luftojnë për shëndetin e tyre. I ndërmarrin të gjitha. Shkojnë nga ky mjek tek tjetri, nga ky qytet në tjetrin, kërkojnë specialistet më të mirë… Asgjë nga të gjitha këto. Këta njerëz kthehen në shtëpi të pafuqishëm dhe të dëshpëruar. Si tu afrohemi? Çfarë duhet thënë atyre në këto situata? Ata pyesin se a ekziston ti dhe pse ju ndodh kjo pasi që e duan jetën dhe dëshirojnë të jetojnë.
O Zot, po të lutem për njerëzit e tillë. Largoje prej tyre frikën që i përndjek. Ndihmoi që të dinë jetën ta shikojnë ndryshe, që sëmundjen dhe dhimbjen të dinë ta shohin ndryshe, nën dritën e perspektivës së jetës së pasosur. Kjo gjë nuk është e lehtë dhe kanë nevojë për fe. Për fe po të lutem.
30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” 31 Nxënësit e tij iu përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“ 32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur. 33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”
Gruaja që e theu ligjin. Për shkak të sëmundjes së vet ishte e papastër dhe nuk guxonte ta prekte askënd. Për fat të mirë ajo e preku atë që është mbi ligjin dhe që erdhi pikërisht për ata që ishin të përjashtuar dhe të heshtur në skajin e shoqërisë. Të falënderoi, o Zot, që i kupton frikësimet tona, nevojat tona dhe që ke dashuri të madhe për ne. Të falënderojmë që lejon të të prekim. Më ndihmo që të afrohem më shumë dhe në afërsinë tënde të gjej fuqinë për jetë.
Ti e di se kush të preku. Por dëshiron që këtë gjë gruaja ta pranojë para të gjithëve që kështu të bëhet e njohur dhe mos të jetë më e përjashtuar. Dëshiron ta lirosh nga frika. Në këtë mënyrë ti e pastron fenë e saj që në fillim ishte e paqartë dhe e papërcaktuar. Duke vendosur kontaktin e jashtëm me të, feja e saj bëhet personale, publike dhe e drejtë.
Pastroje edhe fenë time. Pastroje fenë e të gjithë atyre njerëzve që luten duke mos ditur aspak çfarë bëjnë, përdore edhe këtë për shëlbimin e tyre.
35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!”
Këto ishin çastet e tundimit të madh për Jairin. Përfundoi çdo gjë, u bë shumë vonë. Ndoshta Jairi në këtë moment edhe u ndal. Nuk dinte çfarë të bënte. Në këtë moment ndërhyri Jezusi. I pëlqeu kryetari i sinagogës që e luste sinqerisht për fëmijën e vet. Prandaj e nxiti.
O Zot, ti je i jashtëzakonshëm. Nuk e fikë shkëndinë që tymon as nuk e thyen kallamin e plasaritur. Feja ime shumë shpesh është e tillë. Më nevojitet mbështetja dhe ndihma. Që të dëgjoj dhe të besoj se si edhe mua pikërisht në ato momente të rënies dëshiron të më thuash: «mos ki frikë vetëm beso!» Sa ngushëllim i madh është ta dëgjosh këtë gjë, por sa e vështirë është për të besuar, o Zot!
37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën. 40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.
Besimi i Jairit që shpërblyer me mbushullim. Jezusi është Zotëria i jetës dhe vdekjes. Këtë gjë duhet besuar. Pas ngjalljes së tij vdekja është gjumë i vërtetë para zgjimit përfundimtar. Ky është themeli i fesë sonë. Kjo skenë më bënë ta dëgjojë Jezusin duke më nxitur: «ti vetëm beso!»