MEDITIMI I DITËS – FEJA E FORTË

Written by on February 7, 2017

Mk 7, 24-30 FEJA E FORTË

 

Kërkoj hirin: që feja ime të jetë e fortë si feja e gruas sirofenikase.

 

24 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur. 25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndytë.

Kjo pjesë e Sirisë kufizohet me Galilenë. Ishte pjesë e theksuar pagane dhe banorët e saj ishin armiq të përbetuar të Hebrenjve. Jezusi përsëri është jashtë kufijve të vendlindjes së vet në mesin e paganëve. Ai hynë në një shtëpi pagane dhe dëshiron të thotë se kjo gjë njeriun nuk e bënë të papastër në qoftë se ka për zemër gjërat thelbësore, nëse ka në mendje mendimet e Hyjit dhe nëse dëshiron ta kryej vullnetin e Hyjit.

Pasi që erdhi në këtë vend, Jezusi nuk dëshiron të bëjë ndonjë «shou» për të kënaqur turmën. Zëri për të është përhapur tashmë në këto anë. Prej këtyre anëve njerëzit kanë ardhur në Galile që ta dëgjojnë dhe ta takojnë. Tani Jezusi erdhi që të takohet më ta, Ai dëshiron që çdo gjë të bëhet në qetësi dhe me dinjitet. Nuk do as zhurmë as reklama. Mëson në vazhdimësi se dëshiron të veprojë në paqe dhe në heshtje. Kjo është mënyra e veprimit të Hyjit, në kundërshtim të plotë me ato gjëra që dëshirojnë të bëjnë dhe me mënyrën e sjelljes së njerëzve.

Në ditët tona çdo gjë i nënshtrohet reklamës, lajmërimeve të llojeve më të ndryshme, spektaklit, gjirimeve filmike dhe shkrepjeve të fotoaparateve. Sa konkurrencë të sëmurë ka në të gjitha këto, xhelozi, dinakëri, smirë. Sot heshtja ka filluar t’i irritojë dhe tu pengojë njerëzve, dhe kur diçka nuk është e zhurmshme duket se aty nuk ndodh asgjë. Të gjithë kërkojnë vetëm spektakël dhe afera. Kështu edhe brenda Kishës të gjitha duhet  të shpallën nën tingujt e kambanave. Sa procesionet, simpoziumet, promovimet, koncertet e organizuara, në vend përshpirtërive të vërteta të atyre që ndërmarrin sipërmarrje të tilla? Këtë vetëm Hyji e di.

Jezusi na thotë që të mos bëjmë kështu. Ai na mëson që të veprojmë në heshtje dhe në përvujtëri. O Zot, ma jep këtë hir që mos ta paraqes vetveten, që mos të kërkoj kurrfarë veçantish as pranimesh nga të tjerët. Ti nuk pate nevojë për reklamë as që u interesove ta kesh aparatin publicitar që do të vepronte për ty. Mirësia dhe fisnikëria jote ishin garanci të mjaftueshme që njerëzit të kërkojnë dhe që të dëshirojnë të jenë me ty.

Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.  26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj.

Gruaja është para Jezusit. Nuk i lutet për vete por për vajzën e saj të cilën e mundon shpirti i ndyrë. Ajo u njëjtësua me bijën e saj. Del guximshëm para Jezusit dhe i lutet. Duke shikuar në shpirt këtë skenë të përmallshme të nënës që e ka thyer dhimbja që i lutet Jezusit, dhe vuajtjen e vajzës së saj, do t’i kujtoj dhe do të lutem për aq shumë nëna të cilat vuajnë në mënyrat më të ndryshmet për arsye të fëmijëve të tyre. Këto nëna shumë shpesh janë nëna të vuajtjes së vërtetë. Fëmijët i kanë të hendikepuar, të sëmurë, fëmijë që marrin droga, alkool, fëmijë së morën rrugën e krimit, të së keqes, prostitucionit… O Zot, shikojë mundimin e tyre. Jepu fuqi që mos të mposhtën, që mos të rrëzohen nga barra që tejkalon forcat e tyre.

27 Ai i tha: “Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.” 28 Ajo u përgjigj: “Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve!”

Sa dialog i mrekullueshëm! Nuk ka të ngjashëm në Ungjill. Jezusi merr qëndrim mjaft të rreptë përpara saj dhe e nxit. Mirëpo, kjo grua nuk lejon të turbullohet. Vuajtja e saj është tepër e madhe dhe lutja është shumë e sinqertë që të turbullohet dhe të tërhiqet. Ajo ka shkathtësi të jashtëzakonshme. Në këtë bisedë shihet se ajo që bënë Jezusi nuk do të mbetet në kufijtë e «sofrës», që këtu është simboli i popullit të zgjedhur, por do të zgjerohet «nën sofër dhe jashtë sofrës», kjo do të thotë në të gjithë popujt. Kjo do të jetë detyra e madhe e Kishës së parë në diskutimet mes të krishterëve që vinin nga hebraizmi dhe të krishterëve që vinin nga paganët.

29 Ai iu përgjigj: “Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës sate!” 30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.

Kjo skenë është shembull i fesë së vërtetë. Për shkak të përgjigjes së urtë të gruas, por edhe më shumë për shkak të besimit të saj të pafund që e jep si përgjigje, Jezusi i përgjigjet duke ia dëgjuar lutjen. Kjo grua paraqiti qëndrueshmëri edhe pse dukej se Jezusi po e refuzonte. Kështu ajo u bë shembull i të gjithë paganëve jo vetëm të asaj kohe, por edhe i të gjitha kohërave. Kjo është shembull edhe i të gjithë të krishterëve, është shembull për ne që shumë shpesh na dobësohet feja dhe turpërohemi për shkak të mosbesimit. O Zot, më ndihmo që të jem i qëndrueshëm dhe besnik edhe atëherë kur me dukët se e ke fshehur fytyrën tënde para meje.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend