MEDITIMI I DITËS – FATI I PROFETIT
Written by Radio Maria on February 2, 2019
Lk 4, 21-30 FATI I PROFETIT
Kërkoj hirin: që me gatishmëri ta pranoj fatin e profetit në vendin tim!
21 Jezusi u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.” 22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”
Kështu Jezusi e kreu predikimin e parë kur erdhi në Nazaret pasi filloi jetën e vet publike. Haptas dhe në mënyrë të qartë e paraqet tekstin, që shumë moti e kishte shkruar Isaia profet e që tash po plotësohej që nga dita e sotme. Njerëzit mbetën të mahnitur nga mënyra se si u fliste Jezusi. Çuditeshin nga i vinin të gjitha këto, sepse ju duket tani është ndryshe nga ajo që gjatë tridhjetë viteve jetoi dhe punoi si “Biri i Jozefit” në mesin e tyre. Pikërisht kjo “sot” e Jezusit edhe ne na zgjon nga ëndrrat. Kjo “sot” është gjithmonë e pranishme dhe aktuale. I përngjan hekurit brenda kambanës. Paraqet përmasën ekzistenciale të Ungjillit që vlen gjithmonë, i përket secilës “të sotme”, çdo breznie, çdo njeriu të veçantë. Si jehon sot kjo fjalë e Jezusit në zemrën time? A e dëgjoj? Ose e shikoj si pjesë të historisë, që ndodhi para më shumë se dymijë viteve?
O Zot, hapi veshët e mi që të dëgjoj sikurse nxënësit. Ma hap zemrën që ta pranoj Fjalën tënde që të kem mundësi të jetoj sipas saj! Kjo “sot” le të jehojë edhe në jetën time.
23 Atëherë u tha: “Me siguri do të ma thoni atë fjalë: ‘Mjek, shëro veten!’ Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!’ 24 Për të vërtetë po ju them vazhdoi asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet. 25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.”
Jezusi ndjen mrekullimin dhe mosbesimin që ishte në zemrat e nazaretanëve. Ai iu përgjigjet në këtë mosbesim. Ata do të donin ngjarje të mrekullueshme. Kërkojnë ato gjëra që nuk janë as të rëndësishme, as thelbësore. Ngjarjet e tilla ushqejnë imagjinatën dhe e largojnë përkohësisht mërzinë. I pëlqejnë ata që janë sipërfaqësorë dhe nuk zbresin në thelbin e Fjalës së Zotërisë as të porosisë së saj. Jezusi paraqet fatin e Elisë profet dhe të pasardhësit të tij Elizeut. Edhe pse qenë dërguar te populli i tyre, prej tyre përfituan të huajt të cilët e dëgjuan dhe e pranuan fjalën e tyre. Kështu tani Jezusi vendoset në mesin e profetëve që i rrahën erërat e kritikës dhe të refuzimit. Ata flasin shpesh pikërisht ato gjëra që njerëzit nuk dëshirojnë t’i dëgjojnë. Paraqitën, tërheqin vërejtjen dhe dëshmojnë në kohërat e heshtura të natës dhe në zhurmën e madhe të ditës. Prandaj nuk janë të dëshiruar. Kisha edhe sot e ka rolin profetik. Në të, Papa është i pari që është i thirrur të jetë profet. Në mënyrë profetike duhet të veprojnë të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët dhe shekullarët. Ungjilli shpesh herë është i papërshtatshëm për ta dëgjuar, sepse flet ndryshe nga ajo që dëshirojmë ne të dëgjojmë dhe na nxit që të ecim kundër rrymës. Kjo gjë nuk është aspak e lehtë as e përshtatshme.
O Zot, kur Kisha flet sot për përmasën shoqërore në shoqëri, kur tregon ndarjen e padrejtë të të mirave, në ekonominë e tmerrshme dhe paraqet sistemin bankar si të pamëshirshëm, atëherë e kritikojnë dhe nuk është e mirëseardhur me vërejtjet e veta. Kur Kisha tregon kurthin e formimit të familjeve të të njetit seks, në homoseksualitet, atëherë është e prapambetur dhe e errët. Kur pendohet për lëshimet e pjesëtarëve të saj, atëherë është dyfytyrëshe. Çfarëdo të thotë, dikujt nuk i pëlqen. Më së miri të heshtë ose të mos ishte fare. O Zot, mos lejo që të na frikësojnë kritikat. Na ndihmo që të jemi të hapur për dialog dhe kritikë ndërtuese që anon nga e Drejta dhe e Vërteta.
28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.
Sa shpejt në ta u shndërruan ndjenjat dhe qëndrimet. Nga njerëz të mahnitur bëhen të hidhëruar. Nga pranimi kalojnë në përjashtim. Çdo gjë dëgjuan dhe kuptuan sipërfaqësisht prandaj bien fli e tekave të veta. Nuk e pranojnë Jezusin ashtu siç është. Për të e kanë figurën e vjetër të cilën nuk duan ta braktisin. Që në fillimin e paraqitjes së Jezusit ndodhi ajo që do të arrij kulmin e vet në fundin e misionit të tij, në procesin e vdekjes në kryq në Golgotë. Prapëseprapë, këtu në fillim, në Nazaretin e vet, nuk ia dolën ta zbatojnë deri në fund mendimin e tyre. Jezusi plot madhëri kalon përmes tyre duke shkundur pluhurin e këmbëve kundër tyre, gjë që më vonë do t’u urdhërojë që ta bëjnë edhe nxënësit e tij kur do t’i dërgojë dhe të hasin në situata të tilla. Nazaretanët e humbën hirin e parë. Jezusi edhe pranë kësaj që bashkëqytetaret e tij nuk e pranuan e vazhdon udhëtimin e vet.
O Zot, kur të mbushën me hidhërim kundërshtarët e Ungjillit, na jep fuqi që guximshëm ta vazhdojmë rrugën tonë. Na ndihmo që mos t’u japim rast për kritika. Jemi të vetëdijshëm, o Zot, se gjithmonë nuk jemi të denjë për detyrën që kryejmë, as për emrin që mbartim. Mos na braktis as mos u largo prej mesit tonë edhe pse nuk jemi të denjë për praninë tënde. Po të lutem, O Zot, rri me mua dhe me ndihmo që të shndërroj zakonet e këqija, e ta pranoj kërkesën që në vete ka Ungjilli yt. Plot me Shpirtin tënd të jem i gatshëm të dëshmoj për ty, dhe kur të bëhem ferrë në sy të atyre që si të tillë nuk më pranojnë, më ndihmo që të mos dobësohem por guximshëm të jem i qëndrueshëm në atë rrugë.