MEDITIMI I DITËS – FARA E FESË

E diela e njëzeteshtatë gjatë vitit

Lk 17, 5-10 FARA E FESË

Kërkoj hirin: që Zotëria të më dhurojë “farën e fesë” me të cilën do të jem në shërbim të tjerëve.

5 Apostujt i drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!” 6 Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.

Lutja dhe feja. Dy lidhëse, dy shoqe të pandashme. Shkrihen në njëra-tjetrën dhe dalin prej njëra tjerrës. Varën prej njëra-tjetrës. Të lutesh për besim dhe të besosh në lutje. Sa dhe si lutem, aq besimtar jam. Feja gjithmonë më nxit në lutje.

Ja në një çast, derisa ishin në udhëtim drejt Jerusalemit, apostuj të thjeshtë luten për gjen më të rëndësishme në jetën e tyre. Ata kishin edhe shumë dëshira të tjera dhe kërkesa. Mendimet e tyre “silleshin” rreth vendeve të para të suksesit. Ata llogarisnin në planet që kishin. Kësaj here mbeten te thelbësorja. Besimi është i rëndësishëm. Atë duhet shtuar, forcuar, zhvilluar. Nga feja varet udhëtimi i tyre me Zotërinë. Këtë gjë edhe ne në jetën tonë si besimtarë e ndjejmë shumë. Për të shkruhen librat. Dëshirojnë ta shpjegojnë fenë, të tregojmë thelbin e saj që mos ta lëmë pas dore. Për fenë mbahen seminare dhe ushtrime shpirtërore. Për të predikohet dhe flitet. Papët, kohë pas kohe shpallin Vitin e fesë. Të jesh besimtarë nuk shkon vetëm nga vetvetja dhe nuk nënkuptohet si një gjë automatike. Të jesh apostull është thirrje kërkuese. Prandaj nuk çuditemi që apostujt e parë në atë çast kërkuan më thelbësoren për jetën e tyre: na shto fenë.

Feja nuk është në formulat e mësuara, në njohjen e katekizmit, në shkathtësinë e të folurit. Nuk është diçka e dukshme, diçka që e kemi krejtësisht të qartë para syve ose e mbajmë në duart tona. Nuk mund ta pushtojmë me forcën tonë as me mendimin tonë. Ajo, së pari, dëshiron të na hapë para Botës së Hyjit, ndaj asaj që tejkalon çdo gjë që ne dëshirojmë vetëm me mendjen tonë ta shprehim, ta dëshmojmë dhe ta tregojmë, prandaj themi se feja mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit. Për këtë arsye besimin kemi mundësi ta pranojmë në thjeshtësi dhe përvujtëri, në mirësi dhe me zemër të hapur.

Përsëri kjo nuk do të thotë se ne jemi njerëz pasiv dhe asgjë nuk duhet bërë. Të pranosh është shenjë e veprimit dhe e gatishmërisë. Sikurse për vete mund të themi se nuk jemi dritë, as diell, por para dritës dhe diellit kemi mundësi të hapemi ose të mbyllemi. Në qoftë se i lëshojmë perdet ose i mbyllim roletat, dielli nuk bie në dhomën tonë as në hapësirat tona. Ai na dhurohet por ne nuk e pranojmë. Feja i përngjan diellit që gjithmonë dhurohet. Apostujt na mësojnë, se ata nuk presin në mënyrë pasive, por i luten Jezusit. Për besim duhet të lutemi. Lutja është vend nëpër të cilin feja hyn si dielli kur i hapim dritaret për ta shndritur shtëpinë tonë. Kur e hapim zemrën para saj, kur na përfshin dhe na shndritë, atëherë ndodhin gjëra të mrekullueshme. Besimi na bën të aftë për ato gjëra që pa të duken të pamundshme dhe pa kuptim. Besimi nxjerr në shesh forcën tonë, plotësinë e dashurisë sonë dhe shpresën tonë deri në pjekuri.

O Zot, kjo është lutja ime: ma shto fenë. Vetëm për këtë gjë po të lutem sot, o Zot, ma jep farën e fesë, ma jep dhuratën e fesë, ma jep atë shkëndi të fesë dhe do të jem pamasë i pasur. Me ndihmo që të di të hapem dhe të rri para teje si lulja para diellit, që ti të më përfshish dhe të më shndritësh. Bëj që të rritem në frymën e fesë. Kam frikë që të mbyllem, sepse mendova për vete dhe ruajta çdo gjë vetëm për vete. Ti, o Zot, më hap para dashurisë sate që të më përmbushën. Më ndihmo që të hapem para teje. Hyr nëpër dritaren e lutjes dhe feja ime do të ndizet flakë.

7 Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan delet, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ 8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë njëherë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? 10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë. ’

Pas gjithpushtetësisë dhe mrekullisë së fesë për të cilën Jezusi ju flet apostujve të vet, përnjëherë flet për diçka krejtësisht tjetër. Pas gjërave të larta flet për të voglat dhe për pavlefshmërinë. Të gjitha këto kanë mundësi të dukën se janë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe që nuk përputhen dot. Mirëpo Jezusi dëshiron të na thotë se fuqia e fesë shfaqet në thjeshtësi dhe në pavlefshmëri. Jezusi na befason me paradoksin e ri. Në qoftë se kam vetëm një kokërr të vogël feje mrekullitë janë të mundshme. Por kjo nuk na u dhurua për të shkapërderdhur, nuk është për t’u lavdëruar me të as për përfitim. Feja dhe përvujtëria shkojnë së bashku. Vetëm kur janë së bashku, atëherë janë vlera të vërteta. Feja pa përvujtëri shumë shpejt kalon në lavdërim dhe mendjemadhësi. Përvujtëria pa fe shumë shpejt bëhet vajtim i vetvetes dhe hidhërim.

O Zot, ti vërtetë je i veçantë. Kur mendojmë se kemi kërkuar diçka të rëndësishme për vete, diçka të rëndësishme siç është feja që i jep kuptim çdo gjëje në jetën tonë dhe se për këtë mund të mburremi, ti na kthen përsëri tek vetvetja. Ti nuk dëshiron që dhuratat e tua të përdorën për ndonjë përparësi dhe që të garojmë me njëri-tjetrin. Kurse ne çdo gjë dëshirojmë ta përdorim që ta tregojmë rëndësinë dhe vlerën tonë. Dëshirojmë të ngrihemi mbi të tjerët. Kështu edhe fenë dëshirojmë të shndërrojmë në shërbëtore tonën. Por, ti, o Zot, na tregon forcën e saj vetëm kur e kuptojmë si duhet pushtetin e saj dhe kur bëhemi shërbëtorët e saj. Me ndihmo, O Zot, që feja të jetë e pushtetshme dhe e dukshme në jetën time, por mbi të gjitha le të paraqitet në shërbimin që ta bëj ty dhe të tjerëve.



Current track

Title

Artist

Send this to a friend