MEDITIMI I DITËS – FAMILJA E JEZUSIT
Written by Radio Maria on July 24, 2017
Mt 12, 46-50 FAMILJA E JEZUSIT
Kërkoj hirin: që ta kryej vullnetin e Atit qiellor dhe të bëhem pjesëtar i familjes së Jezusit.
46Ndërsa Jezusi ende po i predikonte popullit, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të. 47. Dikush i tha: [“Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.”]
Për të parën herë takohemi më të afërmit e Jezusit që erdhën për të biseduar me të. Nuk e dimë se përse erdhën. Më siguri ata kanë nevojë që Jezusi tu ndihmojë për diçka. Edhe ata kanë dëgjuar për ato gjëra që Jezusi i bënte. Tashmë njerëzit më siguri i kishin pyetur për të diçka. Ndoshta dëshiruan që ata të ndërmjetësojnë tek Jezusi për ta? Ndoshta të afërmve të Jezusit përgjegjësit e popullit iu shkaktuan telashe për shkak të tij? Gjithsesi, Jezusi i kishte të afërmit e vet, kishte nënën, që tregon qartë se vjen nga një atmosferë e rëndomtë familjare si çdo njeri tjetër. Nuk kishte ardhur nga diku, nga «askund», diku nga gjithësia, por vinte nga familja konkrete, e një vendi të caktuar dhe nga një popull.
48 Ai iu përgjigj atij që e lajmëroi: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”
Na befason përgjigja e Jezusit në formë të pyetjes. Të gjithë e dinin se ata janë nëna dhe vëllezërit e tij, siç quheshin në atë kohë jo vetëm vëllezërit por edhe të afërmit. Përse pyet Jezusi? Në qoftë se mbetemi vetëm në përmasën tonë të meditimit, atëherë ka mundësi të na hutojë pyetja e Jezusit. Atëherë mund të pyesim: si sillet kështu ndaj nënës dhe të afërmve? Si nuk kujdeset aspak për ta? Prapëseprapë ata janë të afërmit e tij, aty është nëna, do të duhej që të paraqitet menjëherë dhe të ketë kohë për ta. Kimi mundësi të rendojmë edhe pyetje tjera, por nuk do të thoshim asgjë të re, por do të silleshim vërdallë dhe do të mbeteshim në perspektivën e mendimit tonë. Më këtë pyetje Jezusi dëshiron t’i hap para nesh horizontet e reja. Më këtë gjë ngrihet mbi përmasën tonë të meditimit dhe i hap pikëpamjet e reja.
Asnjë prej nesh nuk ka mundësi ta dojë nënë e vetë aq sa e deshi Jezusi të veten. Këtë gjë gjithashtu mund ta themi edhe për të afërmit. Kjo do të thotë se këtu nuk është në pyetje dashuria ndaj nënës dhe të afërmve, por diçka tjetër. Jezusi dëshiron të na mësojë për diçka tjetër.
49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha: “Ja, nëna ime e vëllezërit e mi!
Përgjigja e Jezusit është e jashtëzakonshme. Mund të mendojmë se cili ishte reagimi i atyre që po e dëgjonin. Nxënësit u befasuan. Përjetuan se si Jezusi i mbrojti para farisenjve dhe skribëve. Nuk e kishin zgjedhur ata Jezusin për mësues të vetin, por ai i kishte zgjedhur dhe ftuar ata. Aq shumë herë ju foli në vetmi dhe ndjenin se sa shumë i donte. Panë shumë mrekulli më sytë e tyre dhe një herë në liqenin e Tiberiadit i shpëtojë nga vdekja e sigurt. Tani thotë se ata janë nëna dhe vëllezërit e tij. Këtu është risia e padëgjueshme e predikimit të Jezusit dhe e Lajmit të gëzueshëm. Hyji, Ati ynë dhe Krijuesi, nuk është ndonjë qenie e largët e vetmuar pas reve. Ai e dërgoi birin e vet që u mishërua dhe erdhi mes nesh që sipas tij të bëhemi vëllezërit dhe motrat e tij, që të na birësojë dhe të na bëj bijë të Hyjit.
O Zot, të falënderoj për dashurinë më të cilën na pranon si nënë dhe si vëllezërit e tu. Kjo gjë duhet të na nxisë që mes nesh të sillemi në mënyrë të tillë. Po me qëndrimet tona jemi shumë larg prej kësaj. Në nuk e duam mjaft njëri-tjetrin dhe sillemi si armiq. E urrejmë njëri-tjetrin dhe luftojmë më njëri-tjetrin. Na ndihmo që të pranojmë njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra ashtu si na pranove ti.
50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”
Kur Jezusi e shtriu dorën dhe i tregoi të gjithë përreth, ky ishte çasti solemn për fjalë të rëndësishme të cilat do t’i shqiptojë. Më fjalën e vet ai e formoj familjen e re që nuk kufizohet vetëm në lidhje të gjakut. Kjo është familja e madhe që përfshinë mbarë njerëzimin. Afërsia e saj është shpirtërore, gjë që sipas Jezusit është më e rëndësishme se afërsia e gjakut. Kushti për të hyrë në këtë familje shpirtërore të Jezusit është zbatimi i vullnetit të Atit qiellor. Kjo do të thotë se na duhet të përpiqemi që secilën ditë, të gjitha mendimet tona, falët dhe veprat t’i bashkojmë më atë gjë që Hyji dëshiron të bëj për njerëzimin. Nëna e Jezusit është shembulli më i shkëlqyeshëm se si zbatohet vullneti i Hyjit prandaj ajo është nëna e familjes shpirtërore të të gjithë atyre që Jezusi thërret vëllezër dhe motra. Çka është për mua vullneti i Hyjit? Si e kuptoj? A e Bej vullnetin e Atit tim qiellor? A jam vërtetë pjesëtarë e familjes së Jezusit?