MEDITIMI I DITËS – ERDHËM TA ADHUROJMË

Written by on January 3, 2020

Dëftimi i Zotit

 

Mt 2, 1-12 ERDHËM TA ADHUROJMË

 

Kërkoj Hirin: që dhurata ime Jezusit të jetë adhurimi i sinqertë para tij!

 

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

Ja edhe një skenë e paharrueshme nga koha e Kërshëndellave. Na pëlqen sepse zgjon në ne ndjenja të veçanta. Mirëpo edhe në të mund të mbetemi në sipërfaqe dhe mos ta përjetojmë porosinë e tij të thellë dhe të fuqishme. Sido që të mundohemi t’i paraqesim këto tri figura: A ishin mbretër siç i konsideron tradita derisa edhe emrat ua jep? A ishin dijetarë siç i quan Shën Mateu? A ishin magjistarë siç i quajmë përsëri, e kjo do të thotë njerëz që kuptohen në shumë gjëra që për njerëz janë të fshehura? A ishin njohës të yjëve, sepse thonë se ylli i ka drejtuar, nëse dimë këtë gjë nuk do të themi për ta thelbësoren. Gjithashtu, a erdhën prej Persije, Kaldeje ose ndoshta nga Arabia, nuk ka shumë rëndësi dhe nuk e dimë saktësisht. Një gjë është e sigurtë: të gjitha ato që dimë për ta dhe çdo gjë që u tregua ose u këndua për ta, na thotë se ata janë persona të mëdhenj e të fuqishëm shpirtëror. Këta janë njerëz që kërkojnë sinqerisht.

Sa e panë shenjën e Yllit, u nisën në rrugë. Kur erdhën në Jerusalem, pyesin guximshëm për mbretin që lindi. Madhëria e tyre është se ata janë kërkues të vërtetë dhe hulumtues të palodhshëm. Kjo është ajo gjë që duhet ta kërkojmë për vete. O Zot, bëj që guximshëm ta kërkoj të vërtetën tënde dhe palodhshëm të hulumtoj udhët nëpër të cilat dëshiron të më çosh. A e kam edhe unë yllin tim drejtues, ose fatkeqësisht në jetën time është e pranishme drita e rrejshme që mi verbon sytë dhe më çon në rrugë të gabuara? Më ndihmo që të shkoj pas yllit tim dhe yllit tënd.

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. 5 Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: 6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,  ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princërore të Judës,  sepse prej teje do të dalë prijësi,  që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

Me kërkimin e vet dijetarët sjellin turbullim në pallatin e Herodit në Jerusalem. Herodi mendoj se ishte i qetë. Ua mori jetën të gjithë atyre që mendonte se i ka kundërshtarë dhe i kërcënohen. Vrau gruan dhe vjehrrën e vet, vrau bijtë e shumë të tjerë. Dhe ja tani një mbret i ri. Prandaj merr hetime me kujdes. E vërteta është e qartë dhe e pamëshirshme. Profeti tha se nga Betlehemi do të dalë Zotëruesi. Kjo i mjafton Herodit që të fillojë veprimin.

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

Ja plani i thjeshtë dhe shumë dinak i veshur në dëshirën pothuajse të pafajshme të Herodit që dëshiron gjithashtu kinse ta adhurojë. Dijetarët në thjeshtësinë dhe në sinqeritetin e tyre vazhdojnë rrugën. Herodi mbetet me dëshirën e zjarrtë që të gjitha këto t’i përfundojë dhe mezi pret kthimin e dijetarëve.

9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë.

Para dijetarëve është rruga e re. Mirëpo këtu është edhe ylli që i gëzoi tej mase. Mundimi nuk ishte i kotë dhe gëzimi ishte i madh kur arritën qëllimin.

O Zot, më forco që të mos lodhem në rrugën time. Bëj që mos të më largojnë nga rruga kurrfarë “Herodash” as mos të më frikësojnë kurrfarë tregimesh. Po të lutem që edhe unë pasi të zhduket ylli përsëri të shikoj shkëlqimin e tij. Bëj që të mos ndalem kur të has në pengesa dhe kundërshtime në rrugën time.

11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.

Ja skena që plotëson misterin e Kërshëndellave. Tre dijetar bien në gjunjë para mbretit të lindur. Ata na mësojnë se si edhe ne, pa marrë parasysh pushtetin që kemi, na duhet të biem në gjunjë para Jezusit. Kemi pushtet në familje, në punë, në shkollë, jemi të ftuar ta adhurojmë Zotërinë. A e përdorim pushtetin tonë si shenjë fuqie ose si shërbim? Para grazhdit të Jezusit na duhet të përgjigjemi në këtë pyetje.

Në dhuratat që dijetarët sollën, tradita kishtare shikon shenjat: ari është për Krishtin mbret, kemi për Hyjin, mirra për njeriun – të gjitha Jezusi i mbartë në vetvete edhe pse i fshihen shikimit të thjeshtë. Atëherë nisën në rrugën tjetër që Herodin e nxit më shumë që të reagojë shpejt dhe ta fillojë përndjekjen e përgjakshme.

O Zot, nuk di çfarë të jap si dhuratë. E di se prej meje nuk kërkon diçka të veçantë. Me drejton me dhuratën time tek ata që kanë nevojë. Prapëseprapë, dua të të adhuroj me zemër të hapur. Prej saj le të dalë gjithçka në të është e keqe e në te të vendoset dashuria dhe mëshira jote. Ti mua më dhuron me dhuratën tënde. Të falënderoj që pas adhurimit tim ndjej gëzimin e brendshëm që të mund të kthehem në rrugën që më drejton ti në të përditshëm time.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend