MEDITIMI I DITËS – E UNË PO JU THEM!

Written by on February 18, 2017

E diela e VII gjatë vitit A

 

Mt 5, 38-48 E UNË PO JU THEM!

 

Kërkoj hirin: që të dua siç kërkon Jezusi.

 

Jezus, Ungjilli yt është i pasur, i bukur, por shumë shpesh na duket tepër i rëndë.

Ne e kemi të natyrshme të kundërshtojmë, të ankohemi për çdo padrejtësi. Nuk lejojmë që dikush të na zë radhën derisa me të tjerët presim radhën tonë. Nuk duam të na shkel e keqja, as që të na dëmtojnë njerëzit. Kështu mendonin njerëzit e Besëlidhjes së Vjetër, por edhe ata që iu përkasin religjioneve të zbuluara. Ata që rrinin zgjuar që drejtësia të mos shtrembërohet, që kjo gjë të çrrënjoset menduan se është e mjaftueshme të mbrohet njeriu, të mos të ketë hakmarrje të tepruar ndaj tij dhe kështu çdo gjë do të ishte sipas masës. Lejohej që njeriu të kërkonte të njëjtën masë nga ai që e kishte dëmtuar ose kishte bërë padrejtësi ndaj tij. Nga kjo vjen edhe ajo fjalë që përdoret aq shumë: “Sy për sy e dhemb për dhemb!” Kjo do të thotë të hakmerresh në të njëjtën mënyrë, por të mos lejosh që hakmarrja jote të tejkalojë ligjet e drejtësisë.

Jezus, duke i shikuar të gjitha, shikoj se sa e fuqishme është dashuria jote! Ti dhe Ati jeni një. Nga ne kërkon që të jemi të përsosur siç është i përsosur Ati jonë qiellor. Të gjitha këto i kërkon prej nesh, sot, por me fuqinë e dashurisë sate.

Ti Jezus, do dhe fal, do dhe shfajëson, do dhe nuk hakmerresh, do pa marrë para sysh a e meriton njeriu dashurinë tënde. Secilës krijesë ia ofron dashurinë tënde, secilit njeri i dhuron dashurinë tënde. Do që të gjithë ta ndjejnë dashurinë tënde, që të gjithë ta ndjejnë se janë persona të dashur. Pikërisht me dashurinë dhe me kujdesin tënd i shëron zemrat e njerëzve. Do dhe nuk pyet aspak se kush është kush.

Ti i pate të gjitha arsyet, o Jezus, që të kundërshtosh të gjitha nxitjet e dashurisë. Pati aq shumë njerëz që nuk të deshën; ishin edhe ata që dëshiruan të të zhdukin, ishin ata që i shtrembëruan fjalët e tua, ishin ata që dëshmuan rrejshëm kundër teje. Para syve të tu u paraqit çdo gjë, o Jezus! Por ti, do dhe fal. Ti bën që dielli të lind çdo mëngjes për të gjithë njerëzit dhe shiu të ujit në mënyrë të njëjtë arat e të mirëve dhe të këqijve. Në të gjithë së pari i shikon njerëzit, qenien, njeriun, krijesën që ka nevojë për dashuri, pikërisht si një terapi shëlbimi. Jezus, ti je i jashtëzakonshëm në shembullin që na jep. Judën, në çastin e fundit, pas gjestit fatkeq të tradhtisë e thërret “mik”; keqbërësit nga druri i kryqit i hap qiellin; njerëzit pranë kryqit i arsyeton, i fal. Shumë të urryen, shumë ishin armiqtë e tu! Por ti, o Jezus, ishe miku i të gjithëve!

“Duani njëri tjetrin, siç ju kam dashur ju!” Edhe këtë fjalë na drejton, o Jezus! “Duani të gjithë njerëzit ashtu si iu kam dashur unë!” E di, o Jezus, se këtë gjë askurrë nuk kam për ta arritur. E di se kjo është e pamundur. Unë jam “vetëm njeri”. Pot ti urdhëron. Thërret në dashuri të tillë. Sepse pikërisht kjo është dashuria e vërtetë, e veçantë, dashuria jote, që dallohet nga dashuria pagane, nga dashuria e klasave, kombëtare, e racës, e fesë, nga dashuria familjare. Ti thërret në dashuri të plotë ashtu siç deshe ti. E di, gjithashtu se nuk do të më pyesësh a kam shumë armiq rreth vetes, a janë të shumtë ata që me urrejnë, por ke për të me pyetur, armiku i kujt jam unë dhe a ekziston ndonjë për të cilin unë jam armik?

“Duani armiqtë tuaj!” Duani ata që i pranoni me vështirësi, që ju shkojnë në nerva, që mendojnë ndryshe, që i përkasin ideologjisë tjetër, që ua duan të keqen. Duani! Duani ata që në vazhdimësi ju keqtrajtojnë, që ju dorëzojnë në gjyqe, ata që e rrënojnë paqen tuaj ditore, ata që iu shqetësojnë natën, që ju përndjekin me dehjen e tyre, që nuk ju dëgjojnë e që do të duhej ta bëjnë këtë gjë!

Duani dhe jini të gatshëm për të vdekur, jini të gatshëm t’i humbni të drejtat tuaja! Duani ashtu siç iu kam dashur unë.


Current track

Title

Artist