MEDITIMI I DITËS – E KEMI ATIN
Written by Radio Maria on May 12, 2017
Gjn 14, 7-14 E KEMI ATIN
Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin që është një me Atin, të cilin na e zbulon.
«Jezusi u tha nxënësve të vet:7 Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Që tani e njihni dhe e keni parë.»
Nxënësit i kaluan tre vjet me Jezusin. E panë duke vepruar dhe e dëgjuan duke folur. Ai i përfshiu ata në dërgimin e vet dhe i mësoi në mënyrë të veçantë. I përgatiti që ta merrnin mbi vete përgjegjësinë e dërgimit. I udhëhoqi në fshehtësinë e qenies së vet. Sa ia arritën nxënësit që ta kuptonin këtë gjë? Disa prej tyre ishin të ndjeshëm në porosinë e Jezusit. Gjoni, me siguri, ishte njëri prej nxënësve të Jezusit që përpiqej ta kuptonte dhe të shkonte pas Mësuesit të vet. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk e kuptoi as mësimin, as qëndrimin e Tij ndaj kryqit, vdekjes dhe ngjalljes. Mendonin se tashmë e njihnin Mësuesin e vet. Kuptimi i tyre për Të ishte ende tepër «njerëzor», tepër tokësor. Deri në çastin e fundit të jetës tokësore të Jezusit, ata as nuk e kuptuan, as nuk e pranuan plotësisht mësimin e Tij.
Jezusi nuk mund të kuptohet dhe të pranohet deri në fund. Ai na e tërheq gjithmonë vërejtjen që të mos ndalemi vetëm tek Ai, por përmes Tij ta vazhdojmë rrugën për ta njohur Atin. Ai është dashuria e mishëruar e Atit. Kjo gjë ishte e pakuptueshme për nxënësit e tij, ndërsa udhëtonin me Të nëpër Palestinë.
O Zot, të falënderoj që na e zbulove Atin. Ti je ndërmjetësi ynë tek Ati dhe nëpër Ty kemi mundësi që t’ia drejtojmë Atit lutjen tonë. Ti na e afrove Atin dhe na e tregove. Përmes Teje, Hyji ynë u afrua në mënyrë të pabesueshme afër nesh. Ai është Ati ynë që kujdeset për ne, që na do. Mos lejo që ta harroj ndonjëherë se Ati më do dhe më njeh, se më deshi para të gjithëve, para se kushdo ta shqiptonte emrin tim, para se kushdo të mendonte për mua. Të falënderoj, o Zot, që ma zbulove këtë gjë. Të falënderoj që ma zbulove Atin që mendon dhe interesohet për mua.
«8 Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” 9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?»
Filipi sinqerisht na tregon se në ç’vend kanë mbetur nxënësit e Jezusit. Mendimet e tyre ishin tepër tokësore. Meditimi i tyre i përkiste krejtësisht kësaj bote. Ata donin ta shihnin dhe ta preknin Atin në mënyrë konkrete. Për ata, thjesht, nuk ishte e mundur që të ngriheshin përtej të ndjeshmes dhe të përpiqeshin të kuptonin më thellë përtej asaj që shihnin dhe dëgjonin. Sa kohë ishin me Jezusin e prapëseprapë nuk e kuptonin qenësoren tek e cila i drejtonte Ai.
Sa të ngjashëm jemi edhe ne me Filipin dhe me nxënësit e tjerë. Edhe breznia jonë ndalet para të dukshmes, asaj që dëgjohet dhe preket. E kemi humbur ndjenjën për gjërat shpirtërore, për gjerat trashendente, për ato gjëra që na tejkalojnë. Sa shumë kohë jemi me Ty, o Zot, e sa pak të njohim.
«Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ 10 Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta. 11 Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!»
Jezusi është i vetëdijshëm për bashkimin e vet me Atin. Ky është një ndër pohimet më të forta të bashkimit të Tij me Atin. Ta shohësh Jezusin, do të thotë ta shohësh Hyjin. Ta dëgjosh Jezusin, do të thotë ta dëgjosh Hyjin. Kjo gjë, që e thotë Jezusi, është e rëndësishme për secilin prej nesh. Kjo do të thotë se një njeri nga Nazareti, që quhet Jezus, është në të njëjtën kohë Hyj dhe njeri. Në njërën anë, i thjeshtë si secili prej nesh (ha, pi, fle, punon, lodhet dhe çlodhet), e në anën tjetër, na tejkalon pafundësisht, sepse është në bashkim me Hyjin, është Hyj. Meqenëse i kalojmë shumë shpejt këto mendime, e humbim porosinë e tyre. Hyji u zbulua në Jezusin njeri. Jezusi e thoshte aq thjesht këtë gjë dhe e jetonte.
O Zot, a do ta kuptoj ndonjëherë mjaftueshëm këtë gjë? A do ta kuptoj këtë gjë të paktën aq sa me plot falënderim të di të afrohem te Ti? Po afrohem me përvujtëri dhe po të them: më ndihmo që të të besoj!
«12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Dhe çdo gjë që të kërkoni në Emër tim do ta bëj që të lavdërohet Ati në Birin. 14 Nëse do të më kërkoni ndonjë gjë në Emër tim, do ta bëj.»
As këto fjalë të Jezusit nuk i kuptojmë aq sa duhet e as nuk i pranojmë seriozisht. Të besosh në Jezusin, do të thotë të mund t’i kryesh ato vepra që Ai i kreu, të kryesh vepra edhe më të mëdha se ato. Kjo gjë është aq e lartë, saqë ne thjesht as që mund ta mendojmë atë. Ne jemi të varrosur në mendimet e kësaj toke dhe nuk i marrim aspak në konsideratë këto mendime të Jezusit. E qartë, nuk besojmë në to, nuk ndalemi në to që t’i pranojmë seriozisht. Por, ato i tha Jezusi. Ai mbetet te fjalët e veta. Këtu e kemi rastin që ta zëmë Hyjin për fjale. Këtu e kemi rastin që Ai ta tregojë pushtetin e vet në ne dhe përmes nesh. A kërkoj me besim prej Jezusit që të ma japë hirin që të rri afër Tij në lutje?