MEDITIMI I DITËS – E DREJTA DHE MËSHIRA

Written by on December 14, 2016

Is 56, 1-3.6-8 E DREJTA DHE MËSHIRA

 

Kërkoj hirin: që veprimet e mia ndaj të tjerëve të jenë të dreja dhe të mëshirshme.

 

1 Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime.”

 

Në leximet tona që ia bëjmë Librit të Isaisë kemi arritur deri tek pjesa e fundit e Librit. Kjo pjesë quhet «Tritoisaia» ose «Isaia i tretë», është shkruar pas kthimit nga shpërngulja. Profeti paralajmëron që pas pak kohe në juadaizëm kanë mundësi të hyjnë edhe të huajt e kthyer më kusht që të jen besnik ndaj Besëlidhjes.

Hyji kërkon që të ndërojmë të vërtetat themelore të jetës sonë dhe të zbatojmë të vërtetat thelbësore: t’i përmbahemi të drejtës dhe ta bëjmë të drejtën. Nuk kërkon ndonjë detyrim që duhet kryer në Tempull ose veprim liturgjik, por ato gjëra që janë të vulosura në natyrën njerëzore. Kërkon zbatimin e moralit natyror. Ky është kushti i shëlbimit. Shën Pali do të shkruaj një gjë të ngjashme në Letrën Romakëve se duhet ta nderojmë ndërgjegjen tonë, sepse Hyji do të na pyes se si e kemi përdorur dhe a e kemi nderuar ndërgjegjen. Kjo është thirrja që i bëhet secilit njeri, qoftë ai besimtar qoftë jobesimtar. Të gjithë duhet të veprojmë sipas ndërgjegjes sonë e cila është gjyqtari që gjykon mendimet dhe veprat tona. Poeti në poezinë «Zëri i vërtetë» thotë për ndërgjegjën: «Diku në thellësi të shpirtit tim, një zë pret që ta thotë fjalën e vet, vet se di se fuqia frymën do ia zë; por ai jetës sime, vujatje i shkaton me djegie si faj dhe turp».

A e dëgjoj dhe a e nderoj ndërgjegjen time, këtë zë të Hyjit në brendësi? Unë kam mundësi që ta lë pas dore që të topitet dhe të bëhet e pandjeshme. Kam mundësi të shtrembëroj, ta drejtoj sipas masave të mia, që të shtrmbërohet. Më duhet të përpiqem që ta drejtoj sipas ligjeve të Hyjit dhe të Kishës që të jetë e drejtë, e ndjeshme dhe e mirë.

 2 I lumi ai që bën kështu, biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që e mban të shtunën e nuk e çnderon, që e ruan dorën e vet nga çdo vepër e keqe.

Njëriu që jeton sipas Ligjit të Hyjit, që i përmbahet ndërgjegjes, është njeri i gëzuar, i qetë dhe i lumtur. Ky është njeriu i drejt që shmang veprat e këqia. Fatmirësisht mes nesh ka njerëz të tillë: të siqertë, të thjeshtë dhe të përvuajtur që shikojnë çfarë është urdhri i Hyjit dhe çfarë është e mira e të afërmit. Të falënderoj, o Zot, për këta njerëz të guximshëm. Të falënderoj që në ty gjejnë fuqinë dhe që ne të dobëtit kemi mundësi të mbështetmi në ta. Ata janë dritë në errësirë, udhrrëfyes në kryqëzime, ngushëllim në hidhërim.

 3 Biri i ardhacakut që iu mbështet Zotit assesi të mos thotë: “Patjetër Zoti do të më ndajë nga populli i vet!”, as eunukut të mos i shkojë në mend të thotë: “Ja, unë s’jam tjetër, veçse një dru i thatë!” 6 Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, 7 do t’i shpie në Malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në Shtëpinë e lutjes sime.

Hyji i thërret të gjithë dhe i do. Ai do të shëlbohen të gjithë njerëzit. Në mënyra të ndryshme përgatit udhën nëpër të cilën njerëzit kanë mundësi të kalojnë për t’iu afruar. Më e rëndësishmja është që njeriu ta gjej rrugën dhe të arrij tek gëzimi i vet përfundimtar. Të gjithë ata që shikohen si të huaj kur të rrinë pranë Zotit, kur të fillojnë t’i shërbejnë dhe ta duan emrin e tij, atëherë i përkasin bashkësisë e cila këtë gjë tashmë e kryen. Bashkësia e vërtetë e Hyjit gjithmonë është e hapur për të gjithë ata që sinqerisht e kërkojnë Hyjin dhe dëshirojnë të jenë përkatësi e tij. Pyesim, sa janë bashkësitë tona të hapura. Famullitë gjithashtu. Sa bashkohen grupet e ndryshme në lutje, adhurim, seminare, ushtrime shpirtërore, bashkime biblike dhe dinë t’i dallojnë njerëzit që dëshirojnë tu afrohen dhe të jenë bashkë me ta? Dashuria e krishterë, e cila e ka themel dhe shembull dashurinë e Hyjit, nuk guxon të ket kufij. Ajo është pa kufizime ose nuk është dashuri të cilën Hyji e frymëzon.

 Flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse Shtëpia ime do të quhet Shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.”

Kjo është zbulesë e jashtëzakonshme. Kur Jezusi e pastroi Tempullin prej të gjitha gjërave me të cilat e mbushën hebrenjtë, shumë shpesh theksohet vetëm kjo përmasë. Vërtetë, Tempulli duhet të jetë vend lutjeje dhe i takimit të njeriut me Zotin. Kjo është e para gjë dhe që është themelore. Prandaj nuk guxon të shndërrohet në «shpellë cubash». Profeti këtu thekson vullnetin e Hyjit i cili do që tempulli i tij të jetë vend për të gjithë popujt. Askush nuk është i përjashtuar. Të gjithë popujt, secili njeri e ka vendin e vet në Tempullin e Hyjit.

 8 Kështu thotë Zoti Hyj, ai që i bashkon izralitët e shpërndarë: “Rreth Izraelit do të mbledh edhe më shumë të tjerë përveç atyre që tashmë janë mbledhur!”

Po, Hyji i mbledh Izraelitet e shpërndar. Por jo vetëm ata. Ai do t’i bashkojë të gjithë njerëzit. Këto janë kombet e bashkuara të vërteta, sepse të gjithë mund të vijmë tek Hyji në Tempullin e tij që shtrihet në mbarë botën. Të gjithë jemi të tijtë dhe të gjithëve na përfshinë dashuria e tij.

Që nga 17 dhejtori e deri me 24 nuk merren leximet e Javës së tretë të Kohës së Ardhjes por ato të përcaktuara për këto ditë.

 


Current track

Title

Artist