MEDITIMI I DITËS – E ARDHMJA  

Written by on December 17, 2019

Jer 23, 5-8 E ARDHMJA  

 

Kërkoj hirin: që ta shoh praninë dhe veprimin e Zotërisë në jetën e përditshme.

 

5 “Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do t’ia ngre Davidit pinjollin e drejtë; që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë.

Kjo faqe është marrë nga Libri i Jeremisë profet. Ky profetë është shumë i dashur sepse është afër nesh për shkak të përjetimeve që pësoj gjatë jetës. Kur lexojmë Librin e tij, është sikur ta lexojmë jetën tonë. Hyji e thirri shumë të ri në shërbimin profetik. Jetojë në kohë tragjike kur po përgatitej dhe kur u zbatua shkatërrimi i mbretërisë së Judës. Profeti foli për kohërat e vështira që do të vinin, kur ju desh ta shqiptoj ndëshkimin dhe të profetizojë çastet e tmerrshme për mbretërit në Jude. Dinastia e Davidit pothuajse është në shkatërrim. Hidhërimi i Hyjit është ndezur flakë dhe profetit i duhet të tërheq vërejtjen. Jeremia me dhimb në zemër shqipton fjalën «vaj për ju!». Qorton me seriozitet të madh, më ndjeshmëri të madhe duke kërkuar stilin e duhur të jetës së drejt prej atyre që janë përgjegjës për popull: «Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime» (Jer 23, 1). Mirëpo pastaj flet për kohërat kur do të paraqitet pinjolli i drejtë i Davidit. Ky pasardhës një ditë do të jetë emri i përveçëm i Mesisë. Ndëshkimi i rënd do t’i arrijë ata që nuk e zbatojnë ligjin e Zotit dhe nuk ecin në udhën e tij, gjë që ndikon shkarrueshëm në njerëz. Mirëpo edhe kjo do të përfundojë. Do të lind pinjolli, shpresa e re. Do të vij koha e re në të cilën mes njerëzimit mëkatar do të shndrisë shenjtëria e vërtetë. Pikërisht në këtë dinasti që shkatërrohet për shkak të të këqijave të veta do të shpërthej shpirti i ri, fuqia dhe drita e re.

Jeremia shikon në shpirt, shikon dhe gëzohet. Pinjolli, filizi i ri është fillimi i qenies dhe jetës së re që premton shumë. Profeti i përshkruan me atribute të cilat i mungojnë dinastisë së Davidit gjatë kohës së veprimtarisë së profetit. Do të jetë i drejt dhe i urtë, do ta bëj të drejtën dhe drejtësinë. Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia dhe paqja e madhe deri në amshim, si lutej dhe falënderonte psalmisti para Zotit.

O Zot, edhe ne e kërkojmë të njëjtën gjë prej atyre që e drejtojnë shtetin dhe Kishën. Kërkojmë të drejtën dhe urtinë prej atyre që janë përgjegjës për bashkësitë dhe punët. Shumë shpesh jemi të dëshpëruar dhe të pakënaqur me sjelljen e tyre. Na rrethon dëshira për tu pasuruar dhe për të qenë të dhunshëm. Vazhdimisht kemi luftën për një ndikim më të madh, për interese partiake, për lartësim personal. Jo, këtu nuk ka dashuri. Prandaj nuk ka as urti as drejtësi.

O Zot, edhe në botën time të vogël në të cilën jetoj dhe kam përgjegjësi, edhe në brendinë time është rrënjosur e njëjta e keqe. Paraqitet në mënyrën e veprimeve të mia, por paraqitet në atë masë që unë kam mundësi ta zhvilloj dhe sa ma lejon pozita ime. Po të kisha më shumë pushtet dhe përgjegjësi, do të kishte shumë më shumë gjëra negative. Më ndihmo që të luftojë kundër këtyre gjërave negative. Ma dhuro zemrën e urtë dhe me ndihmo që të dijë të jem i drejtë në veprimet e mia.

6 Ndër ato ditë Juda do shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: “Jahvve ‑ drejtësia ‑ jonë”!

Jeremia në të ardhmen shikon me besim. Do të vijnë ditët kur do të përfundojnë të gjitha që populli i përjeton. Do të vijë emri i ri me të cilin do të fillojë edhe koha e re. Emri simbolik «Jahvve, drejtësia ime». Kur njeriu ka pushtet, atëherë zakonisht ndërrohet dhe bëhet njeri që nuk njihet dot. Nderimet dhe pushtet e ndryshojnë njeriun. Njeriu vetveten e vendos si ligj dhe masë në gjithçka. Kjo gjë tregohet edhe në përmasën shoqërore edhe në përmasën shpirtërore. Ekzistojnë edhe «frushkujt shpirtëror» të cilët janë të tmerrshëm dhe shkatërrojnë shumë. Mos i detyroj të tjerët me sjelljen time të marrin masën dhe mendimin tim si rregull që duhet ta zbatojnë të tjerët? Çfarëdo detyrash të kryej, që nga arqipeshkvi e deri tek presidenti, nga famullitari, eprori ose eprorja në bashkësi ose në fabrikë, më duhet të pyes: cili është stili i drejtimit që bëj? A i imponoj gjithsesi qëndrimet e mia ose e pranoj detyrën time si shërbim të tjerëve për tu bërë mirë?

 7 Prandaj, ja po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin e gjallë, që i nxori bijtë e Izraelit nga toka e Egjiptit!”, 8 por: “Pasha Zotin e gjallë, që e nxori dhe e solli farën e shtëpisë së Izraelit nga toka e Veriut dhe nga të gjitha vendet”, ku i kisha flakur; dhe do të banojnë në vendin e vet.”

Njeriu është në rrezik të gjithmonshëm që në vazhdimësi të drejtohet drejt të kaluarës. Sa më i vjetër që të jetë, aq më shumë i nënshtrohet këtij «tundimi». Më ofshamë shikon në kohërat e shkuara dhe për to flet më mall. Kjo gjë ka kuptim nëse shikon të kaluar për të mësuar prej saj për të ardhmen. «Historia është mësuesja e jetës» nëse jemi nxënës që mësojnë. Mirëpo në asnjë mënyrë nuk është mirë të shikojmë vetëm prapa që të kritikohet e tashmja. Nuk është mirë gjithashtu që për shkak të shikimit prapa, në kohërat e shkuara, të harrojmë ta shikojmë të tashmen dhe të drejtohemi drejt të ardhmes. Prandaj Jeremia tërheq vërejtjen se si Hyji vepron secilin çast. Ai është i pranishëm në secilin prej nesh edhe sot. Kjo është më e rëndësishmja. Po, Hyji vepron në këtë kohë të Ardhjes. Kalon nëpër të përditshmen time. Edhe sot. O Zot, bëj që ta njohë, që ta shikoj veprimin tënd dhe praninë tënde në familjen time, bashkësi, vendpunim, qytet, fshat…

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend