MEDITIMI I DITËS – DYFYTYRËSIA DHE MBURRJA
Written by Radio Maria on August 24, 2017
Mt 23, 1-12 DYFYTYRËSIA DHE MBURRJA
Kërkoj hirin: që ta hetoj dyfytyrësinë dhe krenarinë time dhe të luftoj kundër tyre.
Në atë kohë , 1 Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: 2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.
Jezusi pati guxim të bëjë atë gjë që asnjë rabin tjetër i kohës së tij nuk e bëri as nuk pati guxim ta bëj. I kritikoj skribët dhe farisenjtë. Që të bëhej kjo gjë ishte i nevojshëm guximi i madh dhe trimëria. Të kundërshtosh ata që aq mirë i njihnin Shkrimet dhe traditën, të cilët njerëzit i vlerësonin shumë kishte mundësi ta bënte vetëm ai që dinte më shumë dhe më mirë se ata dhe mbi të gjitha që i kishte kuptuar mirë të gjitha veprimet e tyre.
Menjëherë në fillim Jezusi e paraqet më të rëndësishmin. Ai ua tërheq vërejtjen njerëzve të thjeshtë se si duhet të sillen ndaj skribëve dhe farisenjve. Ata e morën pushtetin zyrtar që praktikisht përfshinte jetën e fesë dhe jetën politike. Prandaj kishin ndikim dhe patën mundësi të shtypnin njerëzit. Jezusi i dallon fjalët e tyre që e përcjellin ligjin e Moisiut gjë që duhet pranuar me seriozitet dhe duhet zbatuar, nga shpjegimet e tyre personale që mund të mos pranohen, pra nuk duhet të kryenin veprat e tyre. Fjalët dhe veprat e tyre nuk përputheshin, flisnin shumë gjëra, por ata vetë nuk i kryenin.
O Zot, më ndihmo që fjalët e mia t’i përcjellin veprat, bëj që nga veprat e mija të dalin fjalët, e fjalët të më nxisin për t’i bërë veprat. E kam të vështirë fjalët t’i shndërroj në vepra, shumë lehtë flas për veprat të cilat duhen bërë. Bëj që të jem realist në këtë gjë!
4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. 5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit.
Jezusi është shumë konkret në kritiken e vet, është i qartë dhe shumë i hapur. Paraqet kërkesa të mëdha të cilat i kanë vendosur përpara njerëzve dhe kërkojnë prej tyre që t’i zbatojnë, por vetë nuk zbatojnë asgjë. Gënjeshtra e madhe është të kërkosh prej tjetrit por vetë mos të bësh.
O Zot, bëj që mos t’i kërkoj prej të tjerëve ato gjëra që vetë nuk i bëj. Përkundrazi, bëj që t’iu ndihmoj të tjerëve të cilët përdridhen nën barrën e jetës dhe kujdeseve të tjera që i shtypin. E mira që e bëjnë le të dal prej vetëmohimit, e jo që të më shohin të tjerët.
Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thakët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
Jezusi vërejti shumë mirë mënyrën se si farisenjtë dhe skribët paraqiteshin publikisht. Gjithmonë e kërkonin rastin që njerëzit e tjerë t’i vërenin. Këtë gjë e arrinin me petkat e veta, vendet e para në festa dhe në sinagoga. Kënaqeshin në këtë gjë. Kërkonin që njerëzit t’i përshëndesin dhe t’i quanin mësues. Në të gjitha këto kishte shumë mendjemadhësi dhe kotësi. Çdo gjë ishte e drejtuar në ta dhe iu nënshtrohej atyre. Këtë gjë Jezusi e kritikon rreptë.
8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin!
Jezusi kërkon prej nxënësve të vetë thjeshtësinë në komunikimin e ndërsjellët. Nuk kanë nevojë për tituj që në mes tyre të dallohen dhe të nderohen. Le të jenë mes tyre si vëllezër. Edhe më shumë, Jezusi kërkon që të jetojnë si vëllezër. Në këtë mënyrë duhet ta ndërtojnë edhe marrëdhënien e tyre me Hyjin. Ai është Ati i të gjithëve ne kuptimin më burimor të fjalës. Tjetër nuk ka. Edhe sot është e nevojshme që të jemi më të thjeshtë edhe pse shoqëria e sotme kërkon diploma dhe tituj nderimi. Shumë njerëz janë të ngarkuar me këtë gjë, fyhen në qoftë se nuk ua përmendim titujt dhe nderimet që kanë. O Zot, na jep më shumë thjeshtësi dhe përvujtëri.
11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.
Në përfundimin e kritikës së vet Jezusi erdhi tek më e rëndësishmja. Ai që e ndien vetën më i madhi dhe më të rëndësishmin le të bëhet shërbëtori i të tjerëve. Me këtë gjë do ta dëshmoj më së miri dashurinë ndaj tyre. Ai që shërben, nuk lavdërohet. Nuk duhet të shërbej vetëm shërbëtori. Njeriu është i madh aq sa është në shërbimin e tjetrit dhe vepron për të. Logjika e Jezusit është e qartë: kush krenohet, do të përvujtërohet, e kush përvujtërohet do të lartësohet.
O Zot, bëj që më në fund ta pranoi këshillën tënde, bëj që t’i rishqyrtoi përpjekjet e mia për pushtet dhe përparësi përpara të tjerëve, bëj që ta shoh shpirtin e fariseut që më përfshinë dhe të luftoi kundër tij!