MEDITIMI I DITËS – DY KOHËT

Written by on May 24, 2017

Gjn 16, 16-20 DY KOHËT

 

Kërkoj hirin që të besoj se vetëm Jezusi më mbush me gëzimin e vërtetë.

 

«16 Edhe pak kohë e nuk do të më shihni, prapë edhe pak e do të më shihni.»

Jezusi ishte i dukshëm edhe për pak kohë. Kjo ishte koha nga Darka e fundit deri në varr. Kjo ishte koha në të cilën plotësohej kthimi i Tij tek Ati dhe dhurimi i Shpirtit Shenjt. Kjo ishte pjesa e fundit e jetës së tij tokësore, në të cilën Jezusi e kreu atë çka e paraqiti pjesa tjetër e jetës së Tij. Kjo ishte koha që lejonte të shihej plotësisht: e paraqiti lavdinë e dashurisë së plotësuar dhe na e zbuloi thelbin e Hyjit dhe të njeriut. Kjo kohë e dytë ishte e shkurtër. Në të, Jezusi mbeti i padukshëm, që pastaj të paraqitej sërish. Ishte koha nga çasti i varrimit deri te çasti i mëngjesit të Pashkëve, kur nxënësit do ta shihnin përsëri. Edhe kjo kohë, ashtu si e para, ishte kohë e vështirë. Mirëpo, në takimin me të Ringjallurin, dhimbja, frika dhe zhgënjimi u shndërruan në gëzim, besim dhe shpresë. Ndërsa bota nuk do ta shohë më, nxënësit do ta shohin, «sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni», tha Jezusi. Do ta shohin, sepse do të jetojnë prej të njëjtit Shpirt.

Jezusi foli për dy çaste. Në të parin, nxënësit e panë edhe për pak kohë, përpara se të vdiste dhe të hynte në varr; në të dytin, nuk e panë më, që pastaj ta shikonin të ringjallur. Në mënyrë respektive janë e Premtja e Madhe dhe e Shtuna e Madhe, dy ditë dhimbjeje që na shpien te dita e tretë, dita e gëzimit të pambaruar. Koha e parë është shënuar nga shkandulli, mëkati dhe braktisja, ndërsa koha e dytë është shënuar nga meditimi, rithellimi mendor dhe kthimi. Janë dy kohët, të cilat janë të pashmangshme dhe që e paraqesin kalimin tonë me Jezusin nga bota tek Ati. Në kohën e parë shkatërrohen të gjithë idhujt e njeriut, me të gjitha mendimet, dashuritë dhe shpresat. Në kohën e dytë shpërthen një pritje e re, e cila hap premtimin e Hyjit. Të dy kohët janë përplot me dhimbje. Mirëpo, në to, kemi dy dhimbje të ndryshme. E para, që vjen nga bota, jep shthurje dhe vdekje. E dyta, që vjen nga Hyji, jep kthimin dhe shëlbimin. Shpirti i së Vërtetës shërbehet me të dy kohët: me të parën e bind botën për të keqen e saj, kurse me të dytën e drejton dishepullin drejt të Vërtetës, duke ia dhënë forcën për ta mbartur barrën.

Ajo që vlente për dishepujt e atëhershëm, vlen edhe për ne sot. Të gjithë i kalojmë këto dy kohë: Pashkët janë mënyra e vetme e jetës shpirtërore, e kuptuar si kalim nga vdekja në jetë, nga mëkati në kthim, nga zhgënjimi në ngushëllim, nga dhimbja në gëzim. Çdo njeri e plotëson në vetvete misterin e Pashkëve, në të cilin është i thirrur për ta lexuar ekzistencën personale përmes asaj të dishepujve të parë. Koha e parë, koha e ikjes, e cila përfundon në kohën kur nuk e shohim Jezusin, zbulohet «Unë jam», Shëlbuesi që e merr mbi vete mëkatin e botës. Koha e dytë, koha e kthimit, e cila na bën ta kuptojmë misterin e dashurisë, bën që ta shohim përgjithmonë Zotërinë.

 

«17 Çka është kjo që po na thotëPo shkoj tek Ati? 18 Çka është [ajo që thotë] ‘Edhe pak kohë? S’po e marrim vesh çka do të thotë!.

Ajo që tha Jezusi, përsëritet në vazhdimësi. Dishepujt nuk kuptonin dhe pyesnin se çfarë po thoshte. Zemra e fesë së krishterë është që të kuptohet e Premtja dhe e Shtuna e Madhe. Kjo është koha e heshtjes së Hyjit dhe e njeriut që dëgjon, por ende nuk kupton. Nxënësit pyetën gjithashtu se çfarë do të thoshte: «Po shkoj tek Ati» Po ta kuptonin këtë gjë, do t’i kuptonin edhe të tjerat. Ata, pas pak, nuk do ta shihnin Jezusin në trup e, menjëherë pas pak, do ta shihnin në Shpirt, pikërisht pse Ai po shkonte tek Ati, prej të cilit doli. Kur do ta pranonin kryqin si lavdi e Birit që u kthye tek Ati, atëherë Ai nuk do të ishte më arsye trishtimi, por gëzimi: nuk do të ishte përfundimi i gjithçkaje, por burimi i një jete të re në Dashuri. Dishepujt nuk e shihnin atë gjë që i dallonte dy kohët, por atë gjë që materialisht i bashkonte. Ata nuk ishin të vetëdijshëm se koha është si jeta: në dukje gjithmonë e njëjtë, por dallohet sipas shpirtit me të cilin jetohet. Kjo është «edhe pak kohë» që i mungon gjyqit të Hyjit, që është shëlbimi ynë. Duke mos ditur se çfarë do të thoshte «Po shkoj tek Ati», dishepujt nuk e kuptuan se pas pak nuk do ta shihnin më, as se pas pak do ta shihnin përsëri. Ata nuk e kuptonin as vdekjen, as ringjalljen e Tij. Ata do t’i kuptonin këto gjëra vetëm «pastaj», kur të plotësohej gjithçka. Mirëpo, ishte e rëndësishme që çdo gjë të thuhej përpara, në mënyrë që kur të ndodhnin, ta njihnin të vërtetën e Fjalës, e cila çdo gjë që e thotë edhe e plotëson.

«19 Jezusi e mori vesh se deshën ta pyesnin…. 20 Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them. ju do të qani e do të vajtoni e bota do të gëzojë. Ju do të trishtoheni, por trishtimi juaj do të kthehet në gëzim.»

Jezusi u përgjigj pa pasur nevojë që nxënësit e Tij ta pyesnin. Përpara kësaj, Ai e përsëriti pyetjen e tyre, që pastaj ta shpjegonte menjëherë. Është vendimtare që ta kuptojmë këtë pikë, sepse e përmban në sintezë misterin e ekzistencës së nxënësit të lidhur ngushtë me ekzistencën e Mësuesit. Jezusi e shndrit të ardhmen tonë, pra të personave që marrin pjesë në fatin e pësimit dhe të fitores së Tij. Kohët e trishtimit dhe lotëve, për shkak të ngritjes në kryq si edhe të përvujtërimit të Tij në varr, janë dy kohët e gjykimit dhe të shëlbimit të Hyjit, që dishepujt do të përpiqen t’i kuptojnë. Bota do të mendojë se ka korrur fitore, errësira do të mendojë se e ka zhdukur dritën. Mirëpo, do të tradhtohet, sepse zotëruesi i kësaj bote qitet jashtë dhe bota do të shëlbohet. Atëherë, trishtimi i dishepujve do të kthehet në gëzim dhe vaji i tyre në këngë.

 


Current track

Title

Artist