MEDITIMI I DITËS – DY BOTË

Written by on September 28, 2019

E diela njëzetegjashtë gjatë vitit 

 

Lk 16, 19-31 DY BOTË

 

Kërkoj hirin: që zemra ime të jetë e hapur para Hyjit, të afërmit dhe të varfërve!

 

Jezusi u tha farisenjve: 19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

            Kjo shëmbëlltyrë e Jezusit nuk e le të qetë asnjë njeri. Nuk është vetëm ndonjë tregim pa domethënie me të cilën Jezusi kënaqte dëgjuesit e vetë. Ai hasi në raste të tilla. Janë të pranishëm në çdo shoqëri dhe në të gjitha kohërat. Këto dy botë vërtetë jetojnë afër njëra-tjetrës, Janë aq afër njëra-tjetrës, e janë aq të panjohura për njëra-tjetrën. I ndan vetëm një prag dhe një derë. Në të vërtetë, mes tyre është humnera, ashtu siç është mes qiellit dhe ferrit.

            I pasuri nuk ka emër. Kjo gjë na thotë shumë. Kush nuk ka emër nuk ka identitet, nuk është i njerëzishëm, nuk ka shpirt as zemër. Si të ishte para nesh ndonjë përbindësh, e jo ndonjë qenie njerëzore. Kjo qenie mund të jetë secili, cilido njeri që ka një jetë të tillë. Secili ka mundësi ta dallojë vetveten në të. I pasuri mbështetet vetëm në ato gjëra që ka. Në to kënaqet dhe kalon përditshmërinë e vet. Atë nuk e intereson askush tjetër. Pasuria e ka verbuar dhe e ka robëruar. Ajo e mbylli brenda kështjellës që është e frikshme sidomos brenda në zemër. Aty nuk është askush tjetër përveç atij që jeton vetëm për vete.

             I varfëri, përkundrazi, e ka emrin e vet. Për të parën herë Jezusi në shëmbëlltyrat e veta një personazhi ia përmend emrin. Ky emër ka domethënien dhe simbolikën e vet. Lazër hebraisht do të thotë “Hyji ndihmon!” Nëse shikojmë vetëm në këtë jetë, atëherë mund të shohin se fati i keq luajti me jetën e këtij njeriu, ajo e përqesh në fatkeqësinë e tij. Si i ndihmon Hyji kur rri shtrirë mbi çibana para derës së të pasurit. Mirëpo mbarimi i shëmbëlltyrës e arsyeton atë emër edhe në ato kushte në të cilat jetoi ky njëri i varfër.

            Kjo me të vërtetë është drama reale të cilën e ndan një prag dhe një derë. Para dere kemi varfërinë e pabesueshme në të cilën jeton Lazri, brenda dere kemi pasurinë e pabesueshme në të cilën jeton i pasuri.

            Jezuiti francez Aime Duval shkroi tekstin dhe muzikën e këngës “I varfri i vdekur”. Në të shkruan dhe këndon për këtë realitet që shpesh është para dyerve tona. “Në shtëpinë tënde Hyji trokiti gjithë natën, o vëlla, vëllai im… I afërmi yt nuk troket më, sepse ty të mori gjumi… Po kur nesër të hapësh derën, në pragun e saj do të gjesh vëllanë e vdekur!”

            O Zot bëj që mos ta përjetojë këtë shëmbëlltyrë si diçka që nuk me përket mua. Kjo nuk është bota ime. Nuk jam as i pasur e as i varfër. Mjafton të dalësh në rrugë e të shikosh rreth vetes. Shumë lehtë është të dalloj se në cilën botë jetoj. O Zot, mos lejo që pasuria ime, çdo gjë që kam, të mbyllë zemrën time para atyre që janë të varfër. Bëj që ta dëgjoj jo vetëm trokitjen e vëllezërve të mi që janë në vështirësi në derën e shtëpisë sime por edhe të atyre që janë jashtë, që flenë në pragun e shtëpisë sime dhe janë të mbuluar me çibana dhe vështirësi të tjera.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’

            Ja kthimi i plotë i situatës. Jezusi nuk thotë se i varfri ishte i virtytshëm as njeri i përsosur. As për të pasurin nuk thotë se ishte i keq as fajtor pse Lazri jetonte në atë gjendje. Problemi ishte se ai nuk donte ta shihte. Tani shikon diçka të pabesueshme, bota “u shndërrua”! Çdo gjë është ndryshe. Ai është në atë situatë sa që është i detyruar t’i lutet të varfrit të cilin më parë se vërejti fare, të cilin nuk dëshiroi ta shihte.

            Abrahami tregon qartë se ku ka gabuar i pasuri gjatë jetës mbi tokë. Gjëja më e tmerrshme ndër të gjitha është se mes dy botëve nuk ka kalim as komunikim. Zemra që ishte e mbyllur për të afërmit në jetën e përkohshme dhe i merrte të mirat e veta, mbeti e mbyllur edhe para Hyjit në amshim. Gjithashtu nuk ka komunikim as me të tjerët që mbetën në këtë botë pas nesh. As më me të afërmit. Abrahami i thotë pasanikut:

”’Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“

            Kulmi i porosisë: besimi nuk është në disa ngjarje spektakolare, por në dëgjimin e thjeshtë dhe të përvuajtur të Fjalës së Hyjit. Kjo është ajo gjë që e përmbledh Jezusi në fjalët e Abrahamit. Kanë Moisiun dhe profetët! Le t’i dëgjojnë ata! Nuk janë të vdekurit që duhet të vijnë në botën tonë për të qortuar të afërmit e tyre se si të jetojnë.

            O Zot, ma jep urtinë që mos të mbyllem para Fjalës sate, as para shenjave që janë të pranishme rreth meje. Nuk duhet të arsyetohem që nuk jam zotëruesi i fushave të naftës, i burimeve të ujërave, T-komit, fabrikave dhe për këtë arsye nuk mund të bëj asgjë. Më ndihmo që të hap zemrën time, në mundësitë e mia dhe kushtet jetësore që më dhurohen, le të jetë e hapur para teje, të afërmve dhe të varfërve. 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend