MEDITIMI I DITËS – DUART NË PLUG

Written by on June 29, 2019

E diela e trembëdhjetë gjatë vitit – C

 

Lk 9, 51- 62 DUART NË PLUG

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj dhe ta pranoj kërkesën e Fjalës së Jezusit!

 

51 Kur erdhi koha që Jezusi të ngrihej nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem. 52 Përpara dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. 53 Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. 54 Kur e panë këtë gjë, nxënësit   Jakobi e Gjoni, thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë ‘që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhdukë?’“ 55 Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi. 56 Dhe u nisën për një fshat tjetër.

            Kjo faqe e ungjillit është e veçantë dhe shumë domethënëse, Jezusi e di se erdhi koha që të  niset drejt Jerusalemit. Ai është i vetëdijshëm çfarë e pret atje. Ky është qyteti i veçantë dhe i vetëm, por ky do të jetë edhe qyteti i mundimit, kryqit, braktisjes dhe vdekjes. Niset me guxim dhe në mënyrë të vendosur. Rrugës nëpër Samari has në kundërshtim dhe përjeton pakënaqësi. Nuk dëshiron ta kthejë të keqen me të keqe. Nxënësit do ta donin këtë gjë, sidomos dy vëllezërit të cilët për këtë gjë do ta marrin emrin “Boanerges”, bijtë e rrufesë.

            O Zot, i shikoi vështirësitë në të cilat has gjatë jetë sime. Edhe unë e kam Samarinë time nëpër të cilën kaloj. Çdo ditë lajmërohet diçka. Sa shumë njerëz rreth meje gjithashtu duhet të pranojnë mossukseset dhe të shkojnë përpara. Mossuksesi në provim! Ndjenja e vetmisë dhe e braktisjes, moskuptimet në familje, në vendin e punës, në bashkësi, me komshinjtë. Pasiguria për ditën e nesërme. Sëmundja, vuajtja, dhimbja… Të gjitha këto, o Zot, e përditshmja e jonë, Samaria jonë. Edhe neve na duhet të mbledhim grushtet që t’i tejkalojmë të gjitha dhe me vendosmëri të shkojmë përpara në jetë. Ndonjëherë dëshirojmë që të “bjerë rrufeja” dhe të zhbijë çdo gjë që na del në rrugë. Do të donim disa gjëra të zgjidhnim me forcë. Në përfundim e dimë se kjo nuk është e mirë dhe nuk na çon askund. Na ndihmo, o Zot, që të dimë të përballemi me kundërshtimet që janë në rrugën tonë.        

57 Ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha: “Unë dua të vijë pas teje ngado që të shkosh!” 58 Jezusi iu përgjigj: “Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

            Ja njeriu bujar që i ofrohet Jezusit. Do të shkoj gjithkund pas tij. Nuk pyet për kushte as nuk kërkon kushte. Asgjë. Është i gatshëm për çdo gjë. Presim që Jezusi ta pranojë menjëherë dhe ta lavdërojë. Njeriu u entuziazmua. E lëvizi paraqitja e Jezusit. Ai nuk di çfarë do të ndodhë në Jerusalem. Jezusi nuk e refuzon. Nuk dimë a e pranoi. I flet seriozisht për jetën e vet. Deri edhe kafshët kanë strofuj dhe shpella në të cilat tërhiqen, fshihen dhe çlodhen. Jezusi është “pa plëng dhe pa shtëpi”, pa kulm mbi kokë. Kjo gjë ishte gjë e dhimbshme, sidomos kur netëve të veçanta i lodhur ndalej dhe kërkonte një vend për të kaluar natën.

            O Zot, na ndihmo në lodhjet tona. Sidomos po të lutem, ndihmoji ata që jetojnë në kushte çnjerëzore, në shtëpi të braktisura, në kasolle të periferive të qyteteve. Po të lutem për të gjithë ata që jetojnë në varfëri dhe nuk mund të lidhin fillimin me fundin. O Zot, është vështirë të jetosh ashtu.

59 Një tjetri i tha: “Eja pas meje!” Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!”60 “Lëri   iu përgjigj Jezusi   që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

            Çfarë ndodhi me njeriun që iu ofrua Jezusit, nuk e dimë. Ja një tjetër që e thërret Jezusi. Thirrja është e qartë. Duhet pranuar menjëherë pa pritur aspak. Mirëpo, njeriu arsyetohet. Arsyetimi për të është i rëndësishëm dhe kush ka mundësi që mos t’ia pranojë. Çfarë ka më të rëndësishme se detyra e një fëmije për të varrosur babanë e vdekur? Përgjigja e Jezusit është shokuese. A ka mundësi të pranohet? Po të mbeteshim thjesht në të menduarit njerëzor, atëherë na shkandullon dhe nuk mund ta pranojmë. Mirëpo, këtu qartë jemi në nivel tjetër. Shpallja e Mbretërisë së Hyjit është mbi gjithçka. Kush nuk është i gatshëm ta pranojë, ai vërtetë është i vdekur dhe nuk është për asgjë tjetër por vetëm për të varrosur të vdekurit. Nuk është e lehtë t’i pranojmë këto fjalë të Jezusit. Ai që i përket atij në plotësi ai i pranon dhe i jeton.

            O Zot, Nuk dimë se çfarë ndodhi me njeriu që thirre. A mbeti pranë teje ose u kthye në shtëpi? Përse kërkon kaq shumë, o Zot? Edhe shumë pyetje të tjera me vijnë në mend e nuk gjej përgjigje të vërtetë. Një gjë është e sigurt: ata që të përkasin ty dhe që thirrjen e vet e marrin seriozisht, lënë gjithçka dhe në ty e gjejnë fuqinë që të braktisin çdo dashuri tjetër, sepse e gjetën dashurinë tënde. Të gjitha dashuritë e veta t’i paraqesin si dhuratë për dashurinë tënde e cila e vetmja është e denjë për t’i lënë të gjitha.

61 Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.” 62 “Kushdo   iu përgjigj Jezusi   që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”

            Ja edhe një tjetër që do të shkoj pas Jezusit, edhe ky kërkon leje që të bëj edhe diçka më parë. As lutja e tij nuk është e përshpejtuar as e panevojshme. Shikuar njerëzisht të gjitha këto janë aq normale dhe të arsyeshme. Njerëzisht po, por këtu nuk jemi vetëm në këtë fushë.

            O Zot, ky është rasti që të shoh planet dhe gjërat parësore të jetës sime. Cila gjë e ka fjalën kryesore në jetën time? Ku je ti, në të gjitha këto, o Zot? Gjithmonë ka diçka më të rëndësishme: pushimi, sporti, mësimi, puna, miqtë… dhe nëse kam edhe pak kohë, atëherë vjen në radhë ti, O Zot. Më fal dhe me ndihmo që shkalla e vlerave të mia të jetë e drejtë. Ji ti qendra e jetës sime.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend