MEDITIMI I DITËS – DUAJE HYJIN DHE TË AFËRMIN
Written by Radio Maria on August 24, 2017
Mt 22, 34-40 DUAJE HYJIN DHE TË AFËRMIN
Kërkoj hirin: që dashurinë ndaj Hyjit dhe të afërmit ta kuptoj si të vetmin urdhër!
Në atë kohë, 34 Farisenjtë, kur morën vesh se Jezusi ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri prej tyre mësues Ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: 36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
Prej kohe në kohë, rreth Jezusit vinin më të urtit e popullit. Iu përkisnin shkollave të ndryshme dhe grupimeve fetare. Kjo ishte elita intelektuale e asaj kohe. Dëshironin ta provonin vetën në diskutime me Jezusin. Ata nuk ishin të interesuar aspak që të mësonin diçka, sepse e konsideronin vetën mjaft të ditur me të gjitha dituritë për të cilat kishin nevojë. Në këto takime me Jezusin dëshironin që të tregoheshin më të ditur dhe të shihnin si mendonte ai për urdhërimet e veçanta dhe praktikat fetare. Kështu në këto diskutime, ndërroheshin duke u përpjekur t’i vejnë kurthe dhe ta hetonin në bazë të parimeve që mbronte, mësimeve që bënte dhe veprave që kryente.
Jezusi sapo kishte përfunduar diskutimin me Saducenjtë të cilët nuk patën më çfarë t’i thonë as t’i kundërshtojnë. Shën Mateu thjesht përfundon: «Jezusi i bëri të heshtin Saducenjtë!» Kjo gjë dëshmon se diskutimi ishte i ashpër dhe pa mëshirë. Pas tyre vinë të tjerët dhe njëri prej tyre e pyet duke dashur në mënyrë tjetër të dijë çfarë mendon Jezusi. Nga pyetja shihet se ky njeri iu përket farisenjve, detyra kryesore e të cilëve ishte zbatimi i ligjit. Kishte shumë ligje, ndalesa dhe lejime që duhej të mësoheshin që njerëzit të ishin besnik ndaj Ligjit. Prapëseprapë, nuk janë të gjitha urdhërimet dhe ndalesat njësoj të rëndësishme as kërkuese. Cili urdhër është ai të cilin njeriu vërtetë duhet zbatuar? Cila gjë është më e rëndësishmja në jetë, të cilës duhet nënshtruar të gjitha të tjerat? Pyetja me siguri është e rëndësishme pa marrë parasysh që bëhet si kurth dhe provë, e jo me qëllim për ta njohur të vërteten.
O Zot, ti pate durim dhe gatishmëri të bisedosh me të gjithë ata që erdhën për të pyetur edhe pse e dije se pyetjet të drejtoheshin për të provuar e për të vënë leqe, ti u përgjigje gjithmonë dhe e gjete rastin që të mësosh dhe ta drejtosh bisedën tek qëllimet e vërteta. Pyetjet, edhe pse ndonjëherë kishin vlerë dhe rëndësi, ty të drejtoheshin për të zënë dhe për të poshtëruar. Edhe këtë pyetje për urdhrin më të madh e pranon si të rëndësishme për jetën e secilit besimtarë. Vërtetë, edhe unë duhet ta pyes veten cila gjë është më e rëndësishmja në jetën time. Përgjigja do të më ndihmojë që ta ndërtoj në jetën time shkallen e vlerave. Në qoftë se nuk mendoj në më të rëndësishmen, ekziston rreziku që gjërat e parëndësishme të me shkapërderdhin dhe ta drejtojnë jetën time. Më ndihmo që sipas shpirtit tënd ta ndërtoj shkallen e vlerave. Më ndihmo që ta kuptoj gjënë më të rëndësishme për jetën time si besimtarë, meshtarë, rregulltarë.
37 Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim.
Këtu përmblidhet marrëdhënia e njeriut ndaj qenies më të lartë Hyjit. Kjo marrëdhënie themelohet në fuqinë lëvizëse më të fortë të njeriut. Kjo është dashuria. Dashuria ndaj Hyjit duhet drejtuar nga të gjitha forcat e personalitetit të tij. Dashuria ndaj Hyjit duhet të përfshijë të gjitha përmasat e qenies së tij. Vetëm në këtë mënyrë ka mundësi t’i përgjigjet Hyjit në kuptimin më të lartë për atë që ai kërkon. Kjo është lutja që hebreu besnik e lut çdo ditë. Dashuria ndaj Hyjit duhet të jetë e plotë ose nuk mund të quhet dashuri. Duhet të bëhet me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duhet ta përfshijë krejt mendjen e njeriut. Për këtë arsye ky është urdhri më i madh dhe urdhri i parë. Prej këtij varen të gjitha urdhërimet e tjera që janë në lidhje me të.
O Zot, ji dashuria e zemrës, shpirtit dhe mendjes sime plotësisht dhe pa asnjë rezervë. Bëj që mos të harroj asnjëherë se ty të përket kryet e vendit në jetën time. Kur do jesh në krye të vendit, atëherë do të jesh edhe në çdo vend tjetër. Vetëm në këtë mënyrë dashuria ime ndaj teje do të jetë e tërësishme dhe e vërtetë.
39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”
Skribi e mori përgjigjen shumë më të zgjeruar se e sa e mendoj. Ai e dinte mirë se cili ishte urdhri i parë, mirëpo nuk e dinte se këtij urdhri Jezusi do ia bashkonte urdhrin e dytë dhe do i bënte një. Duhet dashur edhe të afërmin që urdhri i parë të jetë autentikë dhe i plotë. Në të vërtetë, përmes dashurisë ndaj të afërmit vërtetohet dashuria ndaj Hyjit. Këto dy urdhërime drejtohen tek njëri-tjetri dhe nuk mund të ndahen. Prej tyre varen të gjitha, krejt Ligji dhe Profetët, krejt jeta e krishterë. O Zot, bëj që kurrë mos të harroj se ti e ke bashkuar dashurinë e Hyjit me dashurinë ndaj të afërmit. Bëj që këto dy dashuri ta lëvizin jetën time të krishterë.