MEDITIMI I DITËS – DUAJE ARMIKUN

Written by on March 10, 2017

Mt 5, 43-48 DUAJE ARMIKUN

 

Kërkoj hirin që dashuria ime t’i përngjajë dashurisë së Atit qiellor që e ka për të gjithë njerëzit.

 

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd”.

Ligji i Moisiut kërkon ta duam të afërmin dhe ta urrejmë armikun. Ky është ligji i zemrës dhe i natyrës njerëzore. Çfarë ka më të natyrshme se sa ta dua të afërmin? Çfarë është më e natyrshme se sa ta urrej armikun, ta kundërshtoj atë që nuk më do dhe nuk e kërkon të mirën time? Kjo është logjika e njeriut, por kjo nuk është logjika e Hyjit. Prandaj, Jezusi kërkon që t’i duam armiqtë.

44 “E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët”.

Ta dua armikun! A është e mundur? Si? Përsëri, duhet të përballemi me urrejtjen që mund ta bëjë strofkën e vet në zemrën tonë. Duhet që përsëri të luftojmë me të dhe ta mbizotërojmë. Në qoftë se nuk e mbizotërojmë urrejtjen, ekziston rreziku që ajo të na mbizotërojë neve e të shndërrohet në armiqësi. Atëherë ky është qëndrimi ynë, të cilin në mënyrë të vetëdijshme e ndërtojmë në vetvete. A mund ta kundërshtojmë urrejtjen vetëm me mendimet dhe me fuqitë tona? A jemi të fortë dhe të guximshëm që ta bëjmë këtë gjë?

Jezusi nuk e shikon vetëm përmasën horizontale të marrëdhënieve të njeriut. Ai na drejton drejt vertikales, drejt Atit. Vetëm atëherë mund ta arrijmë komunikimin e plotë dhe të përsosur. Njerëzimi ka nevojë të madhe për këtë gjë. Duhet t’i kapërcejmë kufijtë, t’i rrënojmë muret që na ndajnë. A mund të bëhet kjo gjë? A jemi të aftë që ta bëjmë një gjë të tillë?

O Zot, kur shikoj vetëm nga perspektiva njerëzore, këtë gjë e kam të pamundur ta bëj. Mirëpo, Ti nuk do që unë të mbetem vetëm në këtë përmasë. Ti më lartëson në perspektivën e Hyjit, që prej saj ta shikoj botën dhe veten. Nga perspektiva jote, çdo gjë duket ndryshe. Nga perspektiva jote, nuk ka kufij, as ndarje në blloqe. Dashuria është kriteri që i rrënon të gjitha ndarjet dhe i shuan të gjitha urrejtjet.

Të jesh biri i Atit që është në qiell, do të thotë që ta pranosh kriterin e Tij, të cilin dëshiron që ta realizojmë në marrëdhënien tonë me njerëzit. Kjo do të thotë ta pranosh logjikën e Tij, mënyrën e të vepruarit të Tij. Kjo gjë nuk është e thjeshtë, sepse nuk del vetvetiu prej brendisë tonë. Kërkon përpjekje dhe mundim të vazhdueshëm, sepse është dashuri pa kufij, të cilën e gjejmë vetëm në Hyjin, tek i cili dëshirojmë të shkojmë. Ati qiellor ua jep të mirat e veta të gjithëve njësoj. Dielli i tij i ngroh të mirët dhe të këqijtë. Shiu bie për të drejtët dhe të padrejtët. Ai i do edhe ata që nuk e duan. Prandaj, ne duhet që dashurinë dhe sjelljen e tij ta shndërrojmë në dashuri dhe në sjellje të zemrës tonë. Kjo është masa e vetme, të cilën Ai na e dhuron e të cilën duhet ta zbatojmë. Veprimi i Hyjit është masa me të cilën matet veprimi ynë. Dashuria jonë duhet të matet me dashurinë e Tij. Asnjë masë tjetër nuk ka vlerë. Rrugë tjetër të bijësisë hyjnore nuk ka. Jam biri apo bija e Hyjit, në qoftë se e përvetësoj dashurinë e Tij.

46 “Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?”

Është e kuptueshme që t’i dua ata që më duan, por nuk është e kuptueshme që t’i mbuloj me dashuri ata që më urrejnë. Është e kuptueshme që t’i përshëndes ata që më përshëndesin dhe kjo gjë është në përputhje me natyrën tonë. Por, edhe kësaj here, Jezusi kërkon më shumë. Ai dëshiron që ta zgjerojmë familjen e miqve. Ai bëri kështu: i fali armiqtë e Tij dhe u lut për ta. Më vonë, këta e kuptuan këtë gjë dhe e pranuan si Mësues dhe bënë siç bëri Ai. Shën Shtjefni, martiri i parë, si edhe shumë të tjerë, gjatë historisë së krishterimit, e bënë të njëjtën gjë deri në ditët tona. Këta njerëz e realizuan fjalë për fjalë mësimin e Jezusit në jetën e tyre. Kjo është rruga që të dalim nga hakmarrja, urrejtja dhe vrasja. Po ta pranonim seriozisht dhe ta zbatonim mësimin e Tij në jetën tonë, do të mbizotëronim çdo urrejtje, çdo hakmarrje dhe çdo të keqe që na robëron.

48 “Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

Ja ku na solli Jezusi. Në qoftë se dëshirojmë të jemi nxënësit e Tij, në qoftë se dëshirojmë të jemi njerëz të Hyjit, atëherë në zemrën tonë nuk duhet të ketë kufij. Të jesh i Hyjit, do të thotë të jesh pa kufij, të pranosh kategoritë e Hyjit, të jetosh dhe të drejtohesh prej tyre. Kjo është thirrja e vazhdueshme që na bën Hyji. Ky është lartësimi i secilit prej nesh.

O Zot, më ndihmo që, në këtë Kohë të Kreshmëve, të mendoj më shumë për këtë gjë. Kjo është më e vështirë dhe më e mirë se çdo agjërim dhe pendesë. Është shumë më e lehtë të bëj ndonjë vepër vetëmohimi, sesa ta përshëndes njeriun që, kur më shikon, e kthen kokën në anën tjetër, ta dua atë që ma do të keqen dhe që më urren. Ti duash të gjithë është përsosmëri. O Zot, Ti je i tillë, dhe kërkon prej meje që të bëhem si Ti. Më ndihmo që për çdo ditë ta bëj një hap të vogël përpara, që, deri në fundin e jetës sime, ta plotësoj thirrjen tënde.

 


Current track

Title

Artist