MEDITIMI I DITES – DRITA NË DRITËMBAJTËS

Written by on January 24, 2018

Mk 4, 21-25 DRITA NË DRITËMBAJTËS

E Enjte

 

Kërkoj hirin: që zemra ime të jetë e gatshme për ta pranuar Fjalën që Hyji sot ma drejton.

 

21 Pastaj u tha: “A thua bihet llamba për t’u vënë nën enë ose nën tryezë? E jo për ta vënë në dritëmbajtës?

Pasi që e shpjegoj shëmbëlltyrën për mbjellësin në rrethin e ngushtë të nxënësve të vet, të atyre që do t’i kushtohen shpalljes së Lajmit të gëzueshëm, Jezusi përsëri i kthehet turmës dhe asaj ia drejton fjalën e vet. Në këto «shëmbëlltyra» të thjeshta nga jeta, Jezusi dëshiron t’i mësojë dëgjuesit e vet duke ju paraqitur rëndësinë e dëgjimit dhe të kuptimit të fjalës së tij. Dëgjimi duhet të jetë i frytshëm. Këto nuk janë përralla për fëmijë, por fjalë të mistershme që kanë kuptim të madh dhe domethënie për jetën. Na duhet t’i dëgjojmë më zemër të hapur dhe me mendje të kthjelltë që të kemi mundësi t’i dëgjojmë dhe t’i kuptojmë.

Shëmbëlltyra jetësore, llamba e ndezur, nga vetvetja i flet secili njeri. Jezusi është shumë real, i thjeshtë dhe konkret. Sa herë ai vet e pa nënën e vet se si e ndez llambën dhe e vendosi në vendin e saj prej të cilit përhapej drita në krejt vendin. Ai vet gjithashtu e ndezi dritën dhe e vendosi në dritëmbajtës. Nëpër këtë sjellje të thjeshtë të dritës së ndezur, Jezusi, dëshiron të na drejtojë drejt një realiteti tjetër. Fjala e Hyjit, Lajmi i gëzueshëm nuk u shpall që ta ruajmë me xhelozi dhe ta fshehim në vend të fshehët. Na duhet ta shpallim, na duhet ta nxjerrim në dritë para të gjithëve, në mbarë botën. Fjala e Zotit nuk është pasuri private të cilën e ruaj për vete dhe e fshehi në bendi të qenies sime. Këtë Jezusi nuk e do. Ajo ka mundësi të pranohet në kuptim të drejt vetëm atëherë kur dëshiroj ta jap, kur dëshiroj tu dhurojë të tjerëve. Ajo është dhuruar që të dhurohet dhe që të shpallet.

Njeriu që mbyllet në vetvete, bashkësia që është e mbyllur në vetvete, i përngjan njeriut që dritën e ndezur e vë nën shtrat ose nën ndonjë enë. Kjo është e pakuptueshme.

O Zot, më ndihmo që të mos tërhiqem në vetvete, që të mos frikësohem për të shpallur dhe për të venë në dukje pasurinë e jetës së krishterë që themelohet në Fjalën tënde. Nuk e mora shpirtin e frikës por Shpirtin e forcës. Prandaj më duhet që ta bëj aktive «dhuratën e Hyjit» që është në mua.

22 Sepse asgjë s’është e fshehtë, veçse për t’u zbuluar, asgjë në fshehtësi, veçse për të dalë në dritë. 23 Kush i ka veshët për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

Kjo thënie i përshtatet shumë mirë shëmbëlltyrës së dritës së ndezur. I përket përhapjes së Lajmit të gëzueshëm në mbarë botën. Ajo gjë që filloi me Jezusin, me paraqitjen e tij dhe shpalljen duhet të shpallet në vazhdimësi. Fjala e Hyjit erdhi nga heshtja e amshueshme, nga hapësirat të cilat i hapën njeriut e të cilat deri atëherë ishin të mbyllura dhe të paafrueshme. Pas Pashkëve dhe Rrëshajve çdo gjë që ishte «e fshehur» në kufijtë e Palestinës, vendlindjes së Jezusit dhe vendlindjes së nxënësve të tij, do t’i kalojë këta kufij dhe do tu bëhet e ditur të gjithëve. Çdo gjë që është e bukur, e mirë dhe fisnike duhet dhuruar të gjithëve si nxitje. Këtë gjë Zotëria e kërkon prej secilit nxënës, nga secili besimtar. Nuk bëhet fjalë këtu për lavdërim ose për ndonjë mendjemadhësi tjetër. Këto janë veprat e mira që e lavdërojnë Atin. Ai është burimi i tyre prandaj ato e lavdërojnë atë.

 24 Edhe u tha: “Mbani mend çka dëgjoni! Me atë masë që të matni, me atë do t’ju matet! Madje edhe do t’ju shtohet! 25 Sepse, atij që ka, do t’i jepet më, e atij që s’ka, do t’i merret edhe çka ka.”

Shikon çfarë dëgjoni! Jezusi tërheq vërejtjen. Ka rëndësi ta drejtojmë vëmendjen tonë në ato gjëra të cilat veshtë tanë i dëgjojnë. Kemi mundësi të dëgjojmë shumë gjëra, prandaj ka rëndësi të jemi të vetëdijshëm se çfarë dëgjojmë. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, rrezikojmë që brendinë tonë ta mbulojnë ferrat dhe hallugat. Atëherë në të nuk ka vend për farën fisnike të Fjalës. Ai që është i kujdesshëm dhe e ruan vendin për Fjalën e Hyjit, ai jep fryt. Porosinë e Hyjit duhet ta pranojmë në zemrën e gatshme dhe bujare. Vetëm në këtë mënyrë ajo ka mundësi ta japë frytin e vet. Të dëgjojmë me vëmendje dhe të vlerësojmë më maturi do të thotë të matim mirë.

Jezusi i shikonte tregtarët e kohës së vet që matnin me enët që ishin të përcaktuara për të matur. Disa jepnin masën e saktë, masën e plotë, kurse të tjerët më shkathtësi jepnin më pak, merrnin nga ajo që duhej të jepej. Jezusi na tërheq vëmendjen që të jemi njerëz që dhurojnë, që t’i tejkalojmë ato gjëra që jemi të detyruar t’i bëjmë. Këtë gjë shenjtërit e kanë kuptuar shumë mirë. Ata gjithmonë shkuan pas asaj që ishte «pak më e lartë». Masa e tyre ishte gjithmonë bujare. Matnin më dashurinë e zemrës së vet. Dashuria ishte masa, e masa e saj ishte e pa masë. Aq më shumë që jepnin, ndjenin se mund të japin edhe më shumë. Ky është misteri i dhurimit, ky është misteri i dashurisë.

O Zot, bëj që masa ime të jetë me mbushulli, bëj që mos të ngopëm shpejt. Masa e atësisë sime, e amësisë, e bijësisë, e rregulltarisë le të jetë masë e pa masë, gjithnjë e më e madhe, o Zot.

 

 

 


Current track

Title

Artist