MEDITIMI I DITËS – DRITA E KËRSHËNDELLAVE PËR MBARË BOTËN

Written by on January 12, 2019

E Kremtja e Pagëzimit të Zotit – C

 

Lk 3, 15-16. 21-23 DRITA E KËRSHËNDELLAVE PËR MBARË BOTËN

 

Kërkoj hirin: që të jem besnik ndaj premtimeve të pagëzimit që do t’i përtëri në këtë meditim!

 

15 E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është pikërisht ky Mesia.

            Jemi në përfundimin e kohës së Kërshëndellave. E kremtja e pagëzimit të Jezusit është ngjarja që ndanë jetën e Jezusit që e kaloi në fshehtësinë e Nazaretit dhe e fillon jetën e tij publike. Drita e Kërshëndellave që ishte e fshehur në Nazaret fillon të ndriçojë që mbarë bota të ketë mundësi ta shohë.

            Në atë kohë ndjehej dëshira e dendur për ardhjen e Krishtit. Ky mendim ishte i pranishëm sidomos në popull dhe njerëzit pyesnin kur do të ndodhë kjo. Në mesin e të gjithëve vërehej Gjoni profet i cili rrinte zgjuar dhe e ushqente shpresën në ardhjen dhe paraqitjen e shpejt të Krishtit. Ai ishte aq i bindshëm në paraqitjen e vet, aq i besueshëm në jetën personale që bënte si dëshmi sa që njerëzit pyesnin a mos është ai Krishti.

            O Zot, të falënderoj për pararendësin tënd Gjonin. Të falënderoj për veprimin e tij të bindshëm dhe për dëshminë. Ai në njerëz la atë përshtypje sa që ata filluan të mendojnë se ai ishte Krishti. Po të kërkoj që edhe në kohën tonë të ketë njerëz të tillë. Njerëz që jetojnë guximshëm dhe bindshëm duke dëshmuar fenë. Ata do të jenë udhëtreguesit drejt teje. Po të kërkoj, o Zot, që në mua të jetë diçka nga figura e Gjonit. Ti dëshiron që përmes nesh të jesh i pranishëm në botë. Më ndihmo që të jem me ty edhe në kohën kur nuk ka të kremte as festa, në kohën kur e përditshmja e thjeshtë na bën të vështirë që të jemi besnikë dhe të nënshtruar.

16 Këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.

Ja dëshmia e Gjonit. Ai pranon çfarë është. Pagëzon, por pagëzimi i tij është vetëm përgatitje për atë gjë që do të vijë bashkë më Atë që është më i fortë se ai. Në këtë dëshmi paraqitet sinqeriteti i Gjonit, mbi të gjitha përvujtëria. Njerëzit e donin dhe e kishin pranuar, e çmonin dhe e nderonin. Po të donte, pati mundësi t’i mashtrojë dhe t’i sillte pas vetes. Kështu bënin profetët e rrejshëm. Gjoni është i vërtetë. Me gishtin e vet e tregoi atë të cilin të gjithë e prisnin e ai së bashku me ta. Prandaj ndjehet para tij i vogël edhe pse Jezusi për të tha së është më i madhi që lindi prej grave.

            O Zot, pararendësi yt më gëzon dhe më sjell hare. Ai është dhuratë e qiellit. Ai është në çastin e duhur në vendin e duhur. E kemi të vështirë të gjejmë madhërinë dhe përvujtërinë e tillë në të njëjtin person. Madhëritë e kohës sonë, shumë shpesh janë të kota, mendjemëdhenj plot me vetvete. Për përvujtërinë sot nuk flet askush. Shumë e konsiderojnë pengesë për rritjen e njeriut. Përvujtëri nuk është të mendosh keq për vete, as të përbuzësh vetveten. Ajo është shenjë që nuk mendojmë vetëm në vetvete dhe nuk sillemi vetëm rreth vetvetes. Është shenjë që nuk shtyhemi me çdo çmim para të tjerëve. Ajo falënderon për dhuratat që mori dhe përpiqet t’i shfrytëzojë për të mirën personale dhe për të mirën e tjerëve. Na ndihmo që në këtë shpirt te jemi të përvuajtur.

21 Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli 22 dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im   Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”

            Pastaj ndodhi çasti solemn e pagëzimit të Jezusit. Mes turmës së njerëzve që po zbrisnin në lum për tu pagëzuar ishte Jezusi. Ai lutet. Gjeja e parë që na paraqet Shën Luka për Jezusin kur fillon jetën publike është lutja e tij. Duke hyrë në misionin e vet Jezusi lutet. A me kujtohet në fillimin e ditës që të lutem, para punës sime, para bukës, gjumit, para planifikimit, para…?

            Në çastin e lutjes dhe të pagëzimit qielli dëshmon për Jezusin. Shpirti Shenjt në formën e pëllumbit vjen mbi Jezusin, dëgjohet Zëri i Atit që thotë se Jezusi është Biri i tij, i dashuri, Biri që e do.

            O Zot, në fundin e kohës së Kërshëndellave rri para teje duke soditur çastin e pagëzimit tënd. Kjo nuk është më shpella as skena e pëlqyeshme e Kërshëndellave. Ti je rritur, njeri tridhjetë vjeçar që në mënyrë të vetëdijshme e fillon misionin e vet. Deri më tani jetove i tërhequr dhe krejtësisht në mënyrë të thjeshtë në Nazaret. Sot fillon jetën publikisht. Po të kishte ndodhur kjo në kohën time, pagëzimi yt nuk do të kalonte pa praninë e gazetarëve, aparateve fotografike, kamerave. Veprimi yt i parë publik është lutja. Lutesh duke hyrë në Jordan që të pagëzohesh. Ti shpirt krejtësisht i pafajshëm, hyn në radhën e mëkatarëve që ta tregosh solidaritetin tënd me ne. Erdhe që të na lirosh nga mëkati dhe që t’i marrësh pushtetin të Keqit litarët e të cilit na lidhin. Erdhe që përsëri të na vendosësh në botën hyjnore dhe të na dhurosh jetën hyjnore. Ti je në mesin tonë për të na thënë se edhe ne jemi fëmijët e Hyjit, sepse në ne është mirësia e tij. Në mesin tonë je që të na mbrosh nga i Keqi dhe pritat e tij. Me ne je që të na thuash se kemi mundësi ta kundërshtojmë të Keqin me hirin dhe me ndihmën tënde.

            O Zot, sot dëshiroj t’i përtëri premtimet e pagëzimit duke u bërë i vetëdijshëm për pagëzimin  tim. Çdo gjë që si fëmijë nuk pata mundësi ta bëj, por për mua e bënë më dashuri të madhe prindërit dhe nunat e mi. Të falënderoj që Ati me do si fëmijën e vet të dashur. Me ndihmo që në lutje të të falënderoj vazhdimisht për këtë dhuratë. Besoj në ty dhe e mohoj të Keqin.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend