MEDITIMI I DITËS – DREJTËSIA E RE

Written by on February 11, 2017

E diela e VI gjatë vitit

 

Mt 5, 17-37 DREJTËSIA E RE

 

Kërkoj hirin: që të besoj në drejtësinë e re.

 

Jezus, ti flet për drejtësinë e re. Kjo është në kundërshtim të plot me atë drejtësi me të cilën mburren skribët e farisenjtë e kohës sate. Sot dëshiron të na shndrisësh në urdhërimet konkrete, duaje Hyjin tënd, mos vra, mos kurvëro, mos lakmo, duke na paraqitur dhe shpjeguar vullnetin e Hyjit.

Jezus, ti ju kundërshton farisenjve dhe mësuesve të ligjit se në shpatullat e njerëzve të tjerë kanë venë barrë të rënda, barrë që nuk mbarten dot dhe kundër këtyre kërkesave shpall ligjin e ri me kërkesat e veta. Sipas çdo fjale që shpall, zbuloj se ligji yt është më i rëndë se sa të gjitha shpjegimet që bëjnë farisenjtë dhe mësuesit e ligjit. Në atë gjë “që u tha” edhe sot e kësaj dite zbulojmë mundësitë që diçka të shpjegohet ashtu si njerëzit kanë mundësi të kuptojnë. Por në këtë gjë që e shpall tani, shoh se nuk ka rrugë ikjeje. Njeriu shumë shpesh, o Jezus, do të ishte shumë i lumtur po të kishte mundësi ta kthente prapa Besëlidhjen e Vjetër, sepse drejtësia e re të cilën e shpall ti është aq e rëndë dhe në kundërshtim të plotë me “drejtësinë tonë”.

Dikur është ditur, o Jezus, se kush ishte vrasësi. Ky ishte aj që dikujt ia mori jetën fizike në mënyrë të paligjshme. Sot, o Jezus, nuk e di më kur jam ose kur nuk jam vrasës. Ndjej, o Jezus, se vras për çdo ditë, se shpirti i vrasjes ndërhyri në të gjitha qelizat e jetës sime. Sipas fjalëve të tua ka aq shumë njerëz të cilët në zemrën time i kam vra më anë të fjalës së pavërtetë, me anë të shikimit, më anë të gjykimit. Me liro, o Jezus, nga ky shpirt i vrasjes që aq shumë i lëndon njerëzit rreth meje. Me ndihmo që të të kuptoj dhe me ndihmo që ta pranoj fjalën tënde të re me të cilën dëshiron që t’i shërbej të gjithë vëllezërit e motrat rreth meje duke me mbrojtur edhe mua nga pushteti shkatërrues dhe fuqia e mëkatit.

Dikur dihej, o Jezus, kush është kurorëshkelës. Të gjithë e dinin se kush është mëkatar publik dhe kush është mëkatare publike. Për këta njerëz nuk kishte vend në shoqërinë e mirë. Mirëpo sipas fjalëve tua, o Jezus, më nuk dihet kush është kurorëshkelës. Shikimi yt depërtues i shikon thellësitë e qenies njerëzore, thellësinë e zemrës njerëzore. Ti i sheh mendimet tona, i zbulon shikimet tona në të cilat zbulon aq shumë epshe, aq shumë dëshira mëkatare, aq shumë vendime të cilat nuk janë në përputhje me ligjin e dashurisë dhe të besnikërisë. Drejtësia jote e re të cilën e kërkon prej nesh, kërkon qartësinë dhe pastërtinë e zemrës, kërkon kujdes në secilin mendim, në secilën dëshirë të keqe! Jezus, a thua kërkohet vërtetë, ashtu siç thua ti, që të nxjerrim sytë që mos të shikojmë asgjë, të bëhemi njerëz të gjymtë që ta ndalojmë vetveten t’i bëjmë të gjitha këto, që mos të kemi mundësi të shkojmë kudo? Jezus, na ndihmo që të kuptojmë. Na ndihmo që të pranojmë në të gjitha kërkesat e tua.

Jezus, kjo drejtësi e re është më e vështirë, e pranoj, por është më e qartë dhe më e bukur. Drejtësia e parë i ngarkonte me shpjegime pa kuptim zemrat tona dhe ua pamundësonte njerëzve për ta plotësuar. Drejtësia jote e re, është e përmbushur plotësisht, sepse ti je drejtësia jonë, ti e plotësove deri në fund këtë drejtësi në vendin tonë! Ti e kreve jetën tënde besnik ndaj ligjit tënd të dashurisë. Ti je e vetmja masë e drejtësisë së re në dashuri deri në fund, në dorëzim të plot për të tutë deri në vdekje në kryq.

 


Current track

Title

Artist