MEDITIMI I DITËS – DORËZIMI JEZUSIT

Written by on January 20, 2017

Mk 3, 20-21 DORËZIMI JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që të di ta kuptoj mënyrën e veprimit të Jezusit dhe ta pranoj thirrjen që të di t’i dorëzohem plotësisht.

 

20Jezusi u kthye në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë.

Përsëri jemi me Jezusit në një atmosferë tjetër. Nga mali vjen në shtëpi. Kjo do të thotë, përsëri është në vendbanimin e zakonshëm dhe të përditshëm të njerëzve. Shtëpia paraqet vendin që nuk është publik, vendin në të cilin njeriu nuk ka mundësi për të hyrë do si do vetëm për të kaluar nëpër të. Shtëpia paraqet atmosferën intime të jetës familjare. A deshi që Jezusi në shtëpi të jetë vetëm me nxënësit e vet? Tashmë janë dymbëdhjetë të cilët i thirri për emër dhe i bashkoi rreth vetes. Ndoshta dëshiron të jetë vetëm me ata. Por kjo gjë është e pamundur. Sepse, sapo të paraqitet në ndonjë vend, aty është edhe turma përreth tij.

Jezusi në fillimin e paraqitjes së vet në vendet e banuara nuk ka mundësi të mbetet në vetmi. Përreth tij është gjithmonë turma e njerëzve. Turma e rrethon vazhdimisht. Njerëzit i ka përfshi entuziazmi i tillë sa që thjeshtë nuk e lanë në vetmi. Kësaj here kanë ardhur aq shumë sa që nuk ka mundësi as që të hajë. Ai është plotësisht i shtrydhur në kohë dhe në vend.

Jezusi përball kësaj situate nuk tërhiqet. I dorëzohet plotësisht punës së vet. E pranon edhe faktin se nuk ka kohë për të ngrënë, nuk ka kohë të mendoj për vete. Ai është krejtësisht për të tjerët, për turmën që bashkohet rreth tij dhe nuk e lejon as që të marrë frymë.

Në lutje që bëj, përpiqem ta shikoj Jezusin në shtëpi të rrethuar nga njerëzit të cilët e kërkojnë. Asnjë moment nuk e lejojnë që të jetë vetëm. Shtyhen rreth tij, shumë të tjerë nuk kanë mundësi t’i afrohen aspak. Të tjerët janë jashtë, përpara shtëpisë.

A nuk u përngjan kjo dëshirave tona për shkak të të cilave ankohemi në jetën tonë të përditshme? Aq shumë gjëra nuk arrimë për t’i bërë, e dëshirojmë t’i bëjmë. Sa e nevojshme është ta kemi radhën e domosdoshme të gjërave më vlerë dhe mos të lejojmë që gjërat e rëndësishme të na mbetën pa i kryer për shkak të gjërave të parëndësishme që janë sot aq në «modë». Cila është shkalla vlerave të mia? Çka është e rëndësishme për mua, e çka e parëndësishme? Çka më shtrydh në kohë dhe në vend?

21 Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.”

Për të parën herë në Ungjill takohemi më të afërmit më të ngushtë të familjes së Jezusit, me kushërinjtë e tij. Qartë, Jezusi i shqetësoj edhe ata. Ata pyesin: çfarë mbeti nga djaloshi i qetë dhe i butë, nga Jezusi i Nazaretit? Në cilën rrugë u nis? Thonë: «është jashtë vetes». Kjo do të thotë, më të diçka nuk është në rregull.  U çmend!

Njerëzit më të afërm të Jezusit, këtë situatë e shikojnë keq. Nuk e kuptojnë personalitetin e tij të vërtetë. Veprimtaria e tij e jashtëzakonshme, puna e tij e palodhur, mënyra e veprimit që ka, konflikti me farisenjtë e formuan në ta figurën e Jezusit që nuk është në rregull.

Po, Jezusi nuk është njeri si të gjithë njerëzit tjerë. Të afërmit e tij nuk e njohin që nga koha kur u largua nga Nazareti dhe e filloj predikimin publik. Ata kanë dëgjuar se edhe autoritetet e ndryshme në popull nuk e shikojnë mirë. Prandaj janë të shqetësuar për të. Ata thjeshtë erdhën për ta ndaluar, për ta marrë dhe për ta kthye përsëri në Nazaret. Ata nuk kanë mundësi të kuptojnë se dikush i familjes së tyre ka mundësi të jetë krejtësisht i Hyjit dhe t’i dorëzohet atij në shërbim të plotë.

Këtu, Jezusi, është shembull dhe Mësues për të gjithë ata që më vonë do t’i afrohen, e do të hasin në kundërshtim të madh tek më të afërmit e vet: babai, nëna, vëllezërit, motrat. Vërtetë, nuk është e lehtë t’i kuptosh ata që krejtësisht dëshirojnë të jenë të Hyjit. «Djali im të bëhet meshtarë! Vajza ime të bëhet rregulltare! Prite Zot!», di të dëgjohet nga goja e ndonjë babai dhe nëne. Në secilën thirrje që Hyji ua drejton personave që të jenë plotësisht të tijtë ka diçka që nuk ka mundësi të kuptohet lehtë dhe që tejkalon mënyrën e zakonshme të kuptimit të thirrjeve dhe profesioneve tjera.

Jezusi është ndryshe dhe për këtë arsye zgjoj reagim dhe moskuptim tek njerëzit. Ne jemi nxënësit e tij prandaj na duhet ta marrim mbi vete rrezikun që të jemi ndryshe. Jo ndryshe për shkak të ndonjë mode, të një tekeje, të ambicieve ose të ndonjë çmendurie. Dallimi ynë duhet të vijë nga Ungjilli. Në mënyrë ungjillore duhet të jemi ndryshe në botë. Në qoftë se më këtë gjë e tërheqim vërejtjen mbi vete, kjo është shenja më e qartë se jemi nxënësit e Krishtit. Në qoftë se jemi të gatshëm që të na konsiderojnë të marrë për shkak të Ungjillit, atëherë kjo është shenja se ne nuk i përngjajmë dukjes së kësaj bote. Ky është argumenti se dimë të marrim qëndrimet tona të cilat janë të pakuptueshme në sytë e botës që humbi vlerat e vërteta dhe nuk jeton më sipas Shpirtit të Hyjit. A jam i gatshëm që sipas shpirtit të Ungjillit të jetoj ndryshe nga të gjithë të afërmit e mi me të cilët jetoj dhe punoj?

 


Current track

Title

Artist