MEDITIMI I DITËS – DJALOSHI I PASUR

Written by on August 20, 2017

Mt 19, 16-22 DJALOSHI I PASUR

 

Kërkoj hirin: që të jem i gatshëm që t’i lë të gjitha e të shkoj pas Jezusit.

 

Në atë kohë, 16 Jezusit iu afrua një njeri dhe e pyeti: “Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

Ja njeriu që është i interesuar për kuptimin e jetës dhe për qëllimin e saj. Edhe më shumë, ai e di se cili është qëllimi dhe kuptimi i jetës së njeriut. Jeta e pasosur. Ai gjithashtu e di se duke vepruar mirë do ta ketë këtë jetë. Mirëpo ky njeri do të jetë i sigurt cilat të mira duhet bërë. A ka diçka të veçantë? Ky njeri duket se është njeri shumë bujar. Jezusit i erdhi mirë që ia bëri këtë pyetje. Ky njeri nuk kërkon ndonjë ndihmë materiale, nuk kërkon që Jezusi t’ia shërojë nga ndonjë sëmundje, nuk i bënë pyetje për ta provuar. Ky njeri interesohet për vlerat shpirtërore të cilat njerëzit aq shpesh i nënvlerësojnë duke i konsideruar më të vlefshme të mirat materiale.

17 Ai iu përgjigj: “Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse do të hysh në jetë, zbatoji urdhërimet!”

Jezusi mirësinë e lidh me Hyjin. Ai në mendime është vazhdimisht i bashkuar me Atin që është vetë mirësia. Kur e pyet për të mirën, mendimet e Jezusit i përmbush Ati që është i vetmi i mirë.

Mirëpo mirësia e njeriut duhet të përputhet me një mirësi tjetër dhe duhet të drejtohet prej saj. Për këtë arsye Jezusi flet për urdhërimet që janë shenja e mirësisë së Hyjit ndaj njeriut. Jezusi i vendos si kushte për të hyrë në jetën e përjetshme. Ky është minimumi që duhet bërë dhe që mjafton që njeriu të hyj në jetën e pasosur.

18 “E cilat? pyeti ai. Jezusi i tha: “Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rreme! 19 Ndero babain e nënën tënde! Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten” 20 Djaloshi i tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?”

Jezusi thotë ato gjëra të cilat djaloshi i dinte. Ai nuk i përmend tri urdhërimet e para që flasin për Hyjin dhe kjo gjë na çudit. I thekson vetëm ato urdhërime që detyrojnë nderimin e tjetrit dhe që i tregojnë detyrimet që i kemi ndaj tij. Këtyre ju shton urdhrin e dashurisë ndaj të afërmit. Jezusi nuk paraqet asgjë burimore. Të gjitha këto janë burimore dhe janë të «shkruara» në ndërgjegjen e njeriut. Ky është ligji natyror i Hyjit. Të jetosh sipas tij, që do të thotë t’i bindesh ndërgjegjes sate, është rruga më e thjeshtë dhe më e sigurt që të qon në jetën e pasosur. Këtë gjë duket se e ka kuptuar mirë por në një mënyrë tjetër shërbëtori i Hyjit Petar Babariq: «nga të gjitha rrugët që qojnë në qiell rruga më e sigurt dhe më e lehtë është në qoftë se i kryej detyrat e përditshme.»

Në këtë pikë djaloshi pati mundësi të falënderonte, ta kthente shpinën dhe të largohej i kënaqur. Ai ishte i sigurt se e kishte jetën e pasosur. Mirëpo, diçka nuk e linte të qetë; «çfarë i mungonte?» Kjo është pyetja të cilën mund ta bëj vetëm ai njeri që kërkon më shumë dhe më mirë nga ajo që tashmë e bënë. Duket se këtë gjë e donte djaloshi.

A jam i kënaqur me minimumin që bëj në jetën time? Unë vetëm të dielave dhe festave shkoj në kishë?

21 Jezusi iu përgjigj: “Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur visar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!” 22 Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

Në pyetjen bujare kemi edhe përgjigjen bujare. Mirëpo më këtë gjë Jezusi nuk dëshiron të themeloj një grup i të krishterëve «të përsosur» që do të jetë më lart se të zakonshmit. Bëhet fjalë për përsosmërinë e renditjes së re të shëlbimit që e tejkalon të vjetrën dhe e përplotëson. Në këtë përsosmëri janë të ftuar të gjithë. Prapëseprapë, për të ndërtuar Mbretërinë e Hyjit Jezusi ka nevojë për bashkëpunëtorë që i dorëzohen plotësisht. Prej tyre kërkon që t’i bien mohit kujdesit për familje dhe për pasuri, që të kenë mundësi të punojnë vetëm për Mbretërinë e Hyjit.

Mirëpo ky djalosh duket se nuk ishte bujar siç mendonte se ishte. Në afrimin e tij tek Jezusi kishte mburrje dhe vetëlavdërim. Zemra e tij nuk i përkiste vetëm Hyjit. Të mirat që i zotëronte e kishin mbush zemrën e tij dhe e zotëronin atë. Ato e shtypnin dhe e robëronin në vend që t’i shërbenin. Në qoftë se dëshiron ta ketë jo vetëm jetën e pasosur por edhe thesarin në qiell, i duhet t’i ndaj të gjitha dhe të shkoj pas Jezusit. Djaloshi duket se nuk kishte mundësi të flijonte kaq shumë. Prandaj u largua i trishtuar.

O Zot, dëshiroj të bëj diçka më shumë nga e zakonshmja në jetën time si besimtarë. Dëshiroj të të afrohem më me besim dhe të të shërbej më me gëzim. Edhe zemra ime është e mbushur me kujdeset e kësaj bote. Prandaj është e trishtuar. Më ndihmo që të jem më shumë i yti se sa i botës me të cilën jetoi.

 


Current track

Title

Artist