MEDITIMI I DITËS – DITA E BIRIT TË NJERIUT

Written by on November 16, 2017

Lk 17, 26-37 DITA E BIRIT TË NJERIUT

E premte

 

Kërkoj hirin që të jem i gatshëm kur të vijë «Dita e Birit të Njeriut».

 

Në atë kohë Jezusi tha: 26 siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ngjajë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin , pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë.

Njeriut i intereson e ardhmja e vet. Çfarë do të ndodhë nesër? Si do të zhvillohet jeta ime? Çfarë do të bëj? Këto janë pyetje ekzistenciale që e mundojnë njeriun dhe ai kërkon përgjigje në to. Edhe Jezusi flet për këtë gjë. Mirëpo, nuk përgjigjet ashtu siç do të dëshironim ne që të na përgjigjet. Edhe ky vit liturgjik po shkon drejt përfundimit. Prandaj, janë zgjedhur leximet që do t’i drejtojnë mendimet tona dhe do ta nxisin lutjen tonë drejt gjërave të fundit të jetës sonë. Çdo gjë kalon. Çdo gjë ka përfundimin e vet. Kështu është edhe me jetën tonë. Çdo gjë udhëton drejt qëllimit përfundimtar. Kur vdes dikush prej të afërmeve tanë, kjo gjë lajmëron edhe vdekjen tonë. Së paku, atëherë mendojmë për të. Kur një shtrëngatë përmbledh para vetes çdo gjë që i del rrugës, me dridhje në zemër shikojmë paaftësinë tonë përpara kësaj fuqie.

Dita e birit të njeriut është dita e shpalljes së tij të lavdishme. Jezusi, përmes disa shenjave, dëshiron të na thotë se si do të ndodhë, si do të vij fundi i çdo gjëje.

Kjo, së pari, është shenja e përmbytjes së gjithmbarshme. Jeta vazhdon normalisht, e vazhdon udhën e vet. Nuk do të ketë shenjë paraprake. Njerëzit do t’i kryejnë punët e përditshme. Do të përmbushin detyrat që kanë, duke mos menduar në kohërat dhe në kërkesat e Hyjit. Kthimi i Krishtit në këtë mënyrë do të na befasojë, sikurse i befasoi përmbytja bashkëkohësit e Noehut. Erdhi papritur. Kështu do të jetë dhe në ditët tona. Një ditë, kur të udhëtoj për një fundjavë… ndoshta në pranverë ose në vjeshtë, ndoshta në dimër ose në verë? Kur të gjendemi në pushim ose gjatë punës… me miqtë ose në vetmi… kur lutemi ose kur mëkatojmë… deri sa hamë ose pimë… kur martohemi…, kur marrim vendim për thirrjen tonë shpirtërore ose të botës… kush e di se ku do të na gjejë «dita e birit të njeriut»? Asgjë nuk është e sigurt, përveç një gjëje: do të vijë!

28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhbiu të gjithë. 30 Ashtu do të ngjajë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

Shenja e dytë, të cilën na paraqet Jezusi është shkatërrimi i Sodomës. Edhe atëherë njerëzit kryenin punët e vjetra të përditshme, gjatë të cilave harruan ta shihnin atë gjë që ishte prej asaj që shihej, dëgjohej, ndjehej dhe kishin mundësi ta preknin. Nuk jeton njeriu vetëm prej pune, ushqimi dhe prej shtëpisë. Fatkeqësisht, njeriu nuk shikon më larg se këto. Thjesht dëshiron ta shfrytëzojë dhe ta jetojë jetën. Dhe një ditë, vjen fundi i të gjithave. Ne nuk e dimë se kur do të vijë Jezusi, por për një gjë jemi të sigurt: ai do të vijë. Ndoshta sot. Ndoshta në këtë natë? Nesër? Pas disa qindra vitesh? Jezusi na qorton duke paraqitur si shenja ujin dhe zjarrin, që ta kujtojmë kalueshmërinë dhe vogëlsinë tonë. Duhet të shohim përtej asaj që shohin sytë tanë. Duhet të mendojmë për shëlbimin tonë të përjetshëm, prandaj vazhdon të na qortojë:

31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e sendet t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

Ditët e fundit të jetës së njeriut janë shumë serioze dhe nuk duhet që gjatë tyre ta humbim kohën me gjëra të parëndësishme. Kësaj radhe Jezusi e thekson edhe më shumë shpejtësinë e ditës së birit të njeriut. Nuk guxojnë ta humbasim asnjë minutë. Nuk duhet t’i kërkojmë petkat tona. Të gjitha janë të panevojshme dhe të parëndësishme. Duhet të udhëtojmë pa asgjë. Kohërat janë serioze. Duhet të ikim. Duhet të shpëtojmë. Në ato çaste është e nevojshme të mendojmë për takimin tonë me Krishtin, që përcakton çdo gjë. Duhet të shikojmë në atë «drejtim». Nuk duhet të kthehemi prapa. Do të na ndodhë edhe ne si gruas së Lotit. Jezusi na tërheq vërejtjen që ta kujtojmë këtë gjë. Ajo, duke ikur prej Sodome, u kthye prapa dhe u shndërrua në shtyllë kripe. Në qoftë se dëshirojmë që ta ruajmë jetën dhe t’i drejtojmë në këtë drejtim fuqitë dhe energjitë, atëherë kemi mbaruar. Kjo gjë nuk do të na shkojë për dore. Na duhet t’i dorëzohemi Hyjit dhe vullnetit të tij. Duhet të dorëzohemi në duart e Krishtit. Jetën tonë do ta ruajmë vetëm nëse i dorëzohemi Hyjit.

34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet.« (36) 37 Atëherë e pyetën: »Ku, o Zotëri?« »Ku të jetë kufoma – u përgjigji – aty do të mblidhen edhe shqiponjat.«

Me këto fjalë, Jezusi e vërteton edhe njëherë mendimin për seriozitetin «e asaj dite». Më duhet të jem gjithmonë i gatshëm. Një gjë është e sigurt: prej saj nuk mund të ikë askush. Kurdo që të ndodhë, më duhet të jem i gatshëm, shpirtërisht dhe moralisht dhe të jetoj sikur të ndodhte sot.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend