MEDITIMI I DITËS – DHURIMI ME GËZIM
Written by Radio Maria on March 2, 2017
Mt 9, 14-15 DHURIMI ME GËZIM
Kërkoj hirin që ta kuptoj se si Hyji e do atë që dhuron me gëzim.
14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
Kur Jezusi, filloi të predikonte publikisht, me sjelljen e vet, Ai nuk i la të qetë mësuesit, farisenjtë dhe nxënësit e tyre. Kur takohej me njeriun, zgjonte në të interes dhe pyetje për personin e vet, por edhe për njeriun me të cilin takohej. Për këtë gjë, Jezusi dallohej prej bashkëkohësve të Tij, që kishin nxënës, të cilët ata i mësonin.
Edhe Gjon Pagëzuesi i kishte nxënësit e vet, të cilët shkonin pas tij, duke jetuar stilin e jetës që bënte. Së pari, ai kërkonte shumë prej vetvetes e pastaj edhe prej të tjerëve. Prandaj i tërhiqte njerëzit që e dëgjonin, e disa prej tyre përpiqeshin të jetonin si ai. I afroheshin, rrinin me të dhe shkonin pas tij, si pas mësuesit të vet.
Pas tij, u paraqit Jezusi, i cili gjithashtu me paraqitjen e vet i tërhoqi njerëzit. Ata ishin krejtësisht të lirë t’i shkonin pas dhe t’i rrinin afër. Mirëpo, Jezusi i zgjodhi vetë nxënësit e vet. Ata që deshi, i thirri që të shkonin pas Tij.
Me këtë veprim, Ai dallohej prej të gjithë mësuesve të tjerë që i zgjidhnin nxënësit që dëshironin të shkonin pas tyre për t’i mësuar. Te Jezusi ishte ndryshe. Ai i thirri nxënësit e vet. Këtë mundën ta shihnin qartë bashkëkohësit e tij, sidomos rabinët dhe nxënësit e tyre. Të gjithë ata e shihnin se si vepronte Jezusi, si fliste dhe vepronte. Ata e vunë re se Ai ishte ndryshe, se nuk ishte si të tjerët. Për këtë arsye, njerëzit u nxitën që t’i bënin shumë pyetje. Këto nuk ishin vetëm pyetje, por edhe kundërshtime dhe padi.
O Zot, Ti ishe ndryshe prej çdo mësuesi të kohës Tënde. Pse nuk e pranove mënyrën e sjelljes që ishte e zakonshme për kohën? Pse dole nga udhët e zakonshme, nëpër të cilat po ecnin të tjerët? A nuk ishte çdo gjë më e thjeshtë po të hyje në radhën e njerëzve që po udhëtonin dhe së bashku me ta të vazhdojë rrugën? Po, o Zot, Ti thjesht je ndryshe prej të gjithëve! Ti sjell diçka thelbësisht të re në njeriun. Lajmi i Gëzueshëm që e solle Ti është i ndryshëm edhe nga ai lajm që sollën profetët dhe të gjithë mësuesit e tjerë.
Je ndryshe, sepse nuk je vetëm njeri, por edhe Hyj. Je ndryshe, jo vetëm pse dëshiron që të mos jesh si të tjerët, as pse stili i jetës së tyre nuk të pëlqen, as pse i ka dalë koha. Ti nuk je ndryshe ngaqë dëshiron të biesh në sy, as që para njerëzve të dukesh interesant dhe tërheqës. Je ndryshe, sepse thjesht je ashtu, burimor, Biri i Hyjit që erdhi për ta shëlbuar njeriun. Ti je Ai që mbetet ashtu siç është pa dashur të shkrihet në masën e atyre që thjesht i përshtaten rrethit të vet dhe bëhen ashtu si të tjerët duan që të jenë.
Prandaj, u re në sy dhe të tjerët të pyetën, sidomos ata që e mbanin veten përgjegjës për popullin dhe që i mësonin njerëzit. Sikur të dija të isha ndryshe në botën ku jetoj, si Ti! Sikur të dija të isha në mënyrë shembullore dhe pozitive i ndryshëm, e jo në mënyrë negative dhe shkandulluese! Prandaj, më ndihmo që të jem i ndryshëm në mënyrë ungjillore, që të mos shkrihem në trajtën e njëjtë të së përditshmes dhe të mos kërkoj mënyra të çuditshme për të qenë ndryshe.
Prandaj, erdhën nxënësit e Gjonit, që jetonin jetën pendestare, dhe nuk e kuptonin se si nxënësit e Tu, o Jezus, mund të gëzoheshin, të ishin të lumtur dhe të mos agjëronin. Por, ata, ndoshta, nuk e kishin dëgjuar ende se Ti kërkoje që njerëzit ta lyenin kokën dhe ta lanin fytyrën që të mos agjëronin të mërrolur. Ndoshta për ta agjërimi nuk kishte aspak rëndësi, por ishte e rëndësishme paraqitja e jashtme gjatë agjërimit.
15 Jezusi u përgjigj: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë”.
Jezusi nuk hyri në diskutim, por u përpoq që me shëmbëlltyrën e dasmës ta shpjegonte dhe t’i jepte përgjigje çështjes. Këtu u paraqit si i Fejuari, si i Fejuari mesianik, në afërsinë e të cilit nuk ka pikëllim, nuk ka fytyra të mërrolura, edhe pse njerëzit agjërojnë dhe bëjnë pendesë. Vërtet, në afërsi të Jezusit, dhe së bashku me të, asnjë përpjekje që ndërmarrim nuk është e rëndë, siç do të ishte në të kundërt pa të dhe pa ndihmën e Tij.
Kreshmët nuk janë kohë errësire, në të cilën fytyrat tona janë të mërrolura, e rreptësia e jetës nuk guxon të jetë tronditëse dhe e papranueshme. Por, kjo nuk do të thotë se më duhet t’i dorëzohem gatishmërisë së karnavaleve dhe jetës ku shmang çdo mundim, flijim dhe agjërim. Kreshmët, pikërisht, më nxisin që të jem më shumë i gatshëm, duke ia nënshtruar trupin shpirtit, gjë që sjell atë gëzim të thellë për të cilin flet Jezusi.
O Zot, prania Jote le të më plotësojë me gëzim. Më jep fuqi që të di t’i pranoj ditët, në të cilat «do të merret i Fejuari dhe duhet agjëruar», që do të thotë ditët në të cilat kryqi, me krejt peshën e vet, do të rëndojë mbi shpatullat e mia.