MEDITIMI I DITËS – DHURATA E SINQERTË

Written by on November 25, 2017

Lk 21, 1-4 DHURATA E SINQERTË

 

Kërkoj hirin: që dhurata ime që ja bëj Hyjit të jetë e sinqertë dhe me gjithë zemër.

 

Në atë kohë, 1 Jezusi shikonte se si të pasurit po qitnin dhuratat e veta në arkëzën e lëmoshës.

Kemi arritur në  javën e fundit të kohës liturgjike gjatë vitit. Javën e ardhshme fillon Koha e ardhjes me të cilën fillon viti i ri kishtar. Në këto faqe të Ungjillit, për të cilat do të meditojmë, Shën Luka i përshkruan ditët e fundit të jetës tokësore të  Jezusit.

Jezusi është në Jerusalem dhe më së shumti rri në Tempull dhe rreth Tempullit. Në Tempull mëson ndërsa jashtë tij flet me bashkësitë e ndryshme të shoqërisë së hebrenjve ose me njerëzit e thjeshtë që vijnë aty në lutje. I ka mbetur vetëm pak kohë. Edhe ndonjë ditë dhe zëri i tij do të hesht në mënyrë të dhunshme, do ia ndërpresin kundërshtarët e tij. Pra, ky është zëri që i shpalli gjërat e Hyjit, u solli njerëzve shpresën, i ngushëlloji dhe i nxiti. Jezusi është i vetëdijshëm se përfundimi i tij është afër. Ditët e fundit i kalon në Jerusalem në Tempull, ndërsa natën shkon të lutet në malin e Ullinjve. Nuk e kishte detyrën e kryepriftit, për këtë arsye nuk pati mundësi që në mënyrë zyrtare të paraqes flitë e as të mësojë. Ai është Biri i Hyjit, zëdhënësi i Hyjit, Kryeprifti i vetëm, ishte i kënaqur që kishte mundësi të fliste me të gjithë ata që bashkoheshin rreth tij. Deri sa fliste, shihte se si silleshin njerëzit dhe çfarë bënin. Ky ishte rasti që t’i mësonte për ato gjëra që ishin të rëndësishme dhe qenësore në veprimet e tyre para Hyjit. Në Tempull kishte vende të përcaktuara në të cilat ishin kutitë e veçanta, ku njerëzit jepnin lëmoshën e tyre për Tempullin dhe për çdo gjë që ishte e nevojshme për kultin. Pranë shtyllave ishin vendosur 13 kuti të tilla. Aty ishte edhe prifti që shënonte sasinë e dhuratave dhe qëllimin sipas të cilit dhuruesit e jepnin lëmoshën e tyre. Jezusi e shikonte këtë gjë. I  pa të pasurit se si sillen në mënyrë teatrale dhe jepnin shumë. Pastaj të kënaqur largohen për shkak të veprës së «madhe» që kishin kryer. Ishin krenarë kur të hollat cingëronin në muret e bronzit prej të cilave përbëheshin këto arka në tremin e Tempullit.

2 Pa edhe një grua të vejë, skamnore ku qiti dy lepta

Jezusi e pa edhe një skamnore që u nis drejt arkës. Ecte në thjeshtësi dhe pothuajse e turpëruar. Kjo gjë shihej lehtë në mesin e të pasurve me dhuratat e mëdha. Nxori prej një vendi në shami në të cilën e kishte mbështjell dhuratën e saj. I shtrëngonte me grusht dy leptat që ngadalë i lëshoji në thesar. Do të ishte më e lumtura në qoftë se askush nuk do ta shihte. Aq e vogël ishte dhurata e saj, gjëja më e imtë dhe më e vogël që ekzistonte në të hollat e asaj kohe. Do të duhej t’i kishte tetë copë të tilla që të kishte mundësi ti blinte dy trumcakë që ishin të nevojshëm për t’i flijuar nga të varfrit. Ajo nuk kishte më shumë. Këto lepta nuk kërcëlluan në thesar. Rrëshqitën dhe u zhdukën në kutinë mes siklave të argjendta. U kthye në heshtje, pothuajse e turpëruar dhe u zhduk në turmë.

O Zot, së bashku me ty i shikoj të gjithë njerëzit që i afrohen arkës me dhurata me vlerë, e shikoj mburrjen e tyre. Dhanë shumë gjëra më vlerë. Me siguri, kjo ishte me vlerë dhe pa to Tempulli nuk do të funksiononte. Mirëpo, të gjitha këto i bënin për tu dukur dhe me mendjemadhësi. Në këtë mënyrë shfaqnin vetveten dhe e promovonin. Ti the për ta se e pranuan shpërblimin. E shikoj edhe këtë grua të varfër. Dha aq pak. Gjë krejtësisht pavlerë, në krahasim me dhuratat e të pasurve. Kjo në këtë dhuratë e dha krejt veten e saj. Në  këtë gjë është dallimi mes këtyre dhuratave. O Zot, po të lutem, mi hap sytë  që të shoh më mirë dhe më shumë. Më ndihmo që ta shikoj thelbin e gjërave që në dukje kanë rëndësi, e të cilat kanë mundësi të më ngashënjejnë dhe të më mahnitin, por në vetvete janë krejtësisht të parëndësishme.

3 Dhe tha: »Për të vërtetë, po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë.

4 Sepse të gjithë tjerët qitën ndër dhurata aq sa u tepron prej pasurisë, kurse ajo qiti prej skamit të vet gjithçka pati për jetesë.

Shikimi i Zotërisë dhe vlerësimi është krejtësisht i ndryshëm me shikimin dhe vlerësimin tonë. Të tjerët ju mahniteshin dhuratave të pasura të të pasurve. Ata gruan e varfër nuk e panë aspak. Vetëm Jezusi e dalloji dallimin e vërtetë të dhuratave që dolën nga zemra. Përsëri tha diçka që të tjerët nuk do ta thonin kurrë. Të pasurit dhanë shumë, por ajo që dhanë në të vërtetë ishte pak. Dhurata e tyre vinte nga teprica. Gruaja e varfër dha pak, por atë ditë vendosi në thesar më shumë se sa të gjithë të tjerët. Ajo i dha të gjitha, krejt «pasurinë» që ishte e nevojshme për jetesë.

O Zot, të falënderoj që ke sy dhe zemër për të varfrit. Ti e shikon zemrën e njeriut dhe së bashku me Atin dhe Shpirtin Shenjt e vlerëson sipas sinqeritetit dhe dashurisë që ka. Më ndihmo që ta shndërroj shikimin tim dhe vlerësimet e mia. Mos lejo që të më tërheq ajo që duket dhe sipas saj edhe të vlerësoj. Qenësorja mbetet gjithmonë e fshehur dhe duhet ta zbulojmë me shqisat e veçanta.

 

 


Current track

Title

Artist