MEDITIMI I DITËS – DHURATA E HYJIT

Written by on June 3, 2017

Mk 12, 1-12 DHURATA E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që me bujari ta pranoj dhuratën e shëlbimit të Hyjit dhe të bashkëpunoj me Të.

 

Në atë kohë, 12 1 Jezusi filloi t’u flasë në shëmbëlltyra kryepriftërinjve, skribëve dhe pleqve: »Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, e punoi shtrydhësin, ndërtoi kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve dhe shkoi në dhe të huaj.

Në pyetje të cilat ia bëjnë përgjegjësit e popullit, Jezusi fillon të përgjigjet me shëmbëlltyra. Shëmbëlltyrat janë të qarta dhe të gjithë kishin mundësi t’i kuptonin. Tema e vreshtit është e pranishme në krejt Biblën. Për këtë gjë në mënyrë të veçantë foli Isaia, Jeremia dhe Ezekieli. Dëgjuesit e Jezusit e dinin se vreshti është simboli i popullit të Izraelit. Krejt kujdesi që ka vreshtari për vreshtin e vet paraqet kujdesin që ka Hyji për popullin e zgjedhur. Hyji i bënë të gjitha që vreshti të japë rrushin e mirë prej të cilit do të dalë vera e mirë.

Kam rastin që këtu të ndalem dhe të përpiqem në heshtje dhe lutje të shikoj të mirat që mora nga Zotëria. Unë jam ky vresht për të cilin kujdeset Hyji. Sa të mirat i mora në jetë si dhuratë të pastër të Hyjit! Dashuria e Hyjit ishte konkrete në jetën time! Kjo do të thotë se Hyji me do dhe ma do të mirën. Por ai edhe prej meje i pret frytet. Të falënderoj, o Zot, për të gjitha… Më ndihmo që jeta ime të jetë e frytshme, në gëzimin tënd, e në shëlbimin tim.

2 Në kohë të duhur dërgoi shërbëtorin e vet te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit. 3 Ata e kapën, e rrahën dhe e nisën duarthatë. 4 Ai prapë dërgoi tek ata një tjetër shërbëtor, por edhe këtij t’i hoqën dru kresë dhe e poshtëruan. 5 Pastaj dërgoi edhe të tretin: këtë e vranë. Çoi edhe shumë tjerë. Edhe këta disa i rrahën e disa i vranë.

Skribët, priftërinjtë dhe mbikëqyrësit e popullit e kuptuan mirë se çfarë po thoshte Jezusi. Janë të vetëdijshëm se sjellja e tyre paraqet sjelljen e vreshtarëve të këqij. E dinin shumë mirë se sa profet pësuan në historinë e Izraelit dhe sa gjaku i pafajshëm është derdhur. Kuptuan porosinë e shëmbëlltyrës, por nuk deshën ta pranojnë. I zoti i vreshti bëri tepër shumë për vreshtin e vet. Kohë të gjatë ishte i durueshëm me vreshtarët. Mirëpo ata ishin të ngurtësuar në veprimin e tyre dhe të pakuptueshëm në sjelljen e vet.

Edhe ne me të drejt pyesim: deri kur Hyji do të jetë i durueshëm? Si ka mundësi t’i durojë të gjitha këto? Çka duhet të bëj më shumë?

6 Kishte vetëm edhe një: djalin e vet të dishirit. Të sprasmin ua dërgoi atë. Mendonte. ‘Do të ma nderojnë djalin.’ 7 Por ata, i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!’ 8 E kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

Ky është kulmi i shëmbëlltyrës. Vetëm dashuria e madhe ka mundësi të bëj një gjë të tillë. Për këtë arsye e kemi të vështirë ta kuptojmë si duhet, sepse nuk e kemi përvojën e një dashurie të tillë. Ne jemi vetjak dhe të gjitha që bëjmë i bëjmë sipas interesit që kemi duke i llogaritur mirë gjërat. Këtu nuk ka kurrfarë interesi, kurrfarë llogarie. Dashuria e pastër. «Birin e vetëm që kishte. Atë e dërgoi…» Këtu Jezusi qartë flet për vetvete. Ati i tij në momentin e pagëzimit dhe të shndërrimit tha se Jezusi është «Biri i dashur». E dërgoi për t’i shëlbuar njerëzit. Ky është vullneti i Atit. Mundësia është dhënë në liri të plotë. Disa e refuzuan menjëherë në fillim. Gjatë historisë pati gjithmonë njerëz që shkuan pas shembullit të tyre. Fatkeqësisht, historia në shumëçka përsëritet, ndërsa ne mësojmë aq pak prej saj. Jezusi tani flet qartë për mbarimin e vet, për vdekjen.

9 Ç’do t’u bëjë (tani) zotëria i vreshtit? Do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë e vreshtin do t’ua japë të tjerëve. 10 Po a nuk i keni lexuar këto fjalë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; 11 kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’

Duke cituar Ps 118, 22, Jezusi përmbyll shëmbëlltyrën. Kështu çdo gjë ishte e qartë dhe u tha deri në fund.

12 Mendonin ta kapnin, por dronin popullin. Mirë e morën vesh se Jezusi e kishte drejtuar këtë shëmbëlltyrë kundër tyre. E lanë e shkuan.

Në rendin që kishin ndërtuar kujdestarët e popullit, e bën veprimin e fundit. Vendimi ra. Vetëm duhet gjet rastin e volitshëm që ta arrestojnë Jezusin. Këtu përmblidhet historia e secili që në përpjekjet e veta vendos  parimet për jetën e vet, ai që vetveten e vendos për masë dhe nuk i pranon kriteret e jashtme që janë objektive.

 


Current track

Title

Artist