MEDITIMI I DITËS – DHURATA E ATIT
Written by Radio Maria on October 11, 2017
Lk 11, 5-13 DHURATA E ATIT
Kërkoj hirin: që të besoj në Atin qiellor që ma dhuron Shpirtin Shenjt.
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 5 »Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë,’
Miku vjen tek miku. Është në vështirësi dhe duhet ndihmuar. Kujt do t’i trokasë në derë nëse nuk troket tek miku, edhe pse është bërë shumë vonë. Kur bëhet fjalë për miqësi të sinqertë, njeriu nuk shikon se sa është ora, nuk mendon se a është koha e përshtatshme për të trokitur në derën e mikut për ta kërkuar ndihmën. Ai mendon një gjë: si ta gostisë mikun që erdhi tek ai. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shkojë në derë të mikut natën vonë që t’i kërkojë çfarë ka nevojë. Të gjithë i kemi përjetuar këto momente dhe kemi përjetuar vlerën e pamasë të miqësisë. Pikërisht një skenë e tillë është kjo që na përshkruan Jezusi. Shumë lehtë mund ta kuptojmë.
7 Miku prej brenda i përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – 5 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit.
Mirëpo, situata nuk është as e lehtë as e thjeshtë. Miku përbrenda arsyetohet se nuk ka mundësi të çohet, sepse do t’i trazojë të gjithë në shtëpi dhe do t’i zgjojë nga gjumi. Kjo është e vërtetë. Në kohën e Jezusit njerëzit jetonin në shtëpi të thjeshta në të cilat të gjithë flinin një të njëjtin vend. Në qoftë se dikush çohej natën, atëherë i shqetësonte të gjithë të tjerët rreth vetës. Prapëseprapë, edhe pse është punë e vështirë për ta bërë në ato çaste, edhe pse vetëm miqësia nuk mjafton, prapëseprapë është më e thjeshtë të bëhet kjo se sa të detyrohet miku të trokas edhe më shumë derisa nuk do t’i hapet dera. Qartë, ai që troket ka vendosur që të jetë i qëndrueshëm derisa miku nuk ia hap derën dhe nuk ia plotëson kërkesën. Jezusi nuk e tregon këtë shëmbëlltyrë për ta dramatizuar takimin që ndodh natën vonë mes dy miqve, por ai më këtë na tregon diçka që është shumë më e rëndësishme.
9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.
Kjo është ajo gjë që Jezusi deshi tu tregojë nxënësve të vet. Më shëmbëlltyrën e dy miqve dëshiron të theksojë fuqinë dhe solemnitetin e lutjes së qëndrueshme gjatë të cilës Hyji na dëgjon. Jezusi na thotë qartë: lypni, kërkoni, trokitni.
Se si duhet të vijmë tek Hyji, Ati ynë, më besim. Se duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm në lutjen tonë. Në jemi të varfrit që kanë nevojë për ndihmë. Mirëpo, mbi të gjitha në lutjen tonë na duhet të jemi të përvuajtur dhe të vetëdijshëm se jemi duke u lutur dhe jemi duke kërkuar. Lutja nuk guxon të jetë kërkesë mendjemadhe, as ndonjë urdhër të cilin ia japim Hyjit.
O Zot, vij tek ti me përvujtëri dhe në thjeshtësi. Ty të drejtohem në nevojat e mia. Familja ime po shkatërrohet…, bashkësia ime, o Zot, nuk jeton sipas shpirtit tënd…, isha tek mjeku dhe e mora vesh sa jam i sëmurë seriozisht…, i kreva studimet, dhe nuk shoh asnjë perspektivë…, humba punën, e me duhet ta ushqej familjen.., o Zot, nuk kuptoj… O Zot, kam nevojë për ty, më nevojitet ndihma dhe fuqia jote! Prandaj trokas, lypi dhe kërkoj. Më ndihmo.
11 Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep?
A kanë mundësi që babai dhe nëna të jenë aq të pashpirt përball fëmijës së tyre që t’i ofrojnë diçka të tillë? Më siguri se ka pas edhe përvoja të tilla të hidhura më prindërit. Edhe këta prindër që bënë kështu kanë nevojë për t’i falur dhe na duhet që të lutemi për ta. Mirëpo, shumica e prindërve më dashuri të madhe secilën ditë i dhurojnë fëmijët e tyre. Më duhet të bëhem i vetëdijshëm për të gjitha gjërat që mora nga prindërit dhe për dashurinë e madhe që ma dhuruan. Mirëpo, edhe ata janë vetëm njerëz të thjeshtë më mangësitë e tyre dhe dobësitë.
13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!«
Nëse njerëzit dinë të jenë të mirë edhe pranë papërsosmërive që kanë, dinë ta ndihmojnë njëri-tjetrin, sa më shumë Ati qiellor do t’i dhurojë secilit prej nesh të mirat e veta! Në të vërtetë, Ati gjithmonë na mbush me të mira. Na duhet të sillemi rreth vetvetes dhe të shohim se çfarë ka bërë që kur na ka krijuar e deri që na ka shëlbuar. Ai na dha edhe Shpirtin e vet. Të gjitha këto janë Hir për të cilin na duhet të jemi mirënjohës.