MEDITIMI I DITËS – DHUNTITË E MIA
Written by Radio Maria on October 24, 2017
Lk 12, 39-48 DHUNTITË E MIA
Kërkoj hirin: që t’i dalloj dhuntitë e mia dhe t’i përdor për të mirën e përbashkët.
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 39 Mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.«
Kush ka mundësi të kuptoj se sa dëshirë kishte Jezusi që dëgjuesve të tij, sidomos nxënësve, tu vinte në zemër dhe tu vuloste në mendje rëndësinë e pritjes së ardhjes së tij. Përpiqet që këtë gjë, ta paraqes me figura të cilat i kuptojnë lehtë, sepse janë nga jeta e përditshme. Pranë kësaj janë domethënëse, sepse ja tërheqin vërejtjen njeriut për ato gjëra që janë të rëndësishme në jetë. Secili zot shtëpie dhe zotërues i shtëpisë kujdeset për pasurinë e vet dhe për shtëpinë. Ai e di se vjedhësit janë të rrezikshëm dhe dinak. Në çdo vend dhe në secilin rast nuk mund të parashikohen. Meqenëse merren me punë të pandershme, nuk dihet as kur do ta ndërmarrin veprimin. Ata janë shumë të shkathët dhe zakonisht i befasojnë njerëzit. Për këtë arsye të zotët e shtëpisë duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe duhet të përgatiten dhe të rrinë zgjuar.
Sikurse na duhet të rrimë zgjuar që vjedhësit të mos na vjedhin, në të njëjtën mënyrë na duhet të rrimë zgjuar që të gatshëm ta presim çastin e ardhjes së Birit të njeriut. Jezusi me mjeshtëri të madhe ju a drejton shikimin nxënësve të vet. Përngjasimi për vjedhësin është përngjasim besnik dhe domethënës. Nuk ka nevojë për shpjegim të madh. Fatkeqësisht, janë të rrallë njerëzit të cilët nuk kanë kurrëfarë përvoje, sepse nuk është ndokush që nuk pësoj ndonjë vjedhje. Ata të cilët e kanë përjetuar këtë gjë bëhen të vëmendshëm dhe të kujdesshëm, thjesht rrinë zgjuar.
Kështu do të ndodh edhe me ardhjen e Zotërisë. Nuk e dimë se kur do të ndodh, mirëpo me siguri një ditë do të vij. Për këtë arsye, Jezusi dëshiron që takimin me të, ta presim të gatshëm. Nuk është fjala këtu vetëm për ardhjen përfundimtare të Krishtit për të cilin lutemi kur themi: «Ardhtë mbretëria jote», ose «Eja, o Zot, Jezus!» askurrë nuk do ta theksojmë në mënyrë të mjaftueshme se Jezusi vjen në vazhdimësi, në të përditshmen tonë. Këto ardhje kemi mundësi t’i tejkalojmë shumë lehtë dhe ta refuzojmë. Jezusi qau për Jerusalemin, sepse qytetarët e tij refuzuan për ta njohur ardhjen e tij dhe dëshirën për t’i shëlbuar. Shën Gjoni në prologun e Ungjillit të tij thotë për Jezusin: «Erdhi tek të vetët dhe të tijtë nuk e pranuan!», prandaj kanë rëndësi çastet. Prej tyre duhet të qëndiset jeta. Fatkeqësisht, në këtë gjë shumë shpesh nuk mendojmë dhe na kalon koha dhe ngjarjet nëpër të cilat Jezusi vjen tek ne. Pyetja ka rëndësi të madhe: A e njoh Jezusin dhe vizitat e tij në jetën e përditshme? O Zot, bëj që të kërkoj, jo në zbrazëti, por në ditët konkrete të jetës time, në të cilat, në mëngjes mi hap sytë dhe në mbrëmje mi mbyll për të pushuar.
41 Atëherë Pjetri tha: »Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?« 42 Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
Jezusi thekson rëndësinë e rolit të atyre njerëzve që kanë përgjegjësi për bashkësinë. Ata kujdesen për ata që i kanë nën kujdes. Mirëpo edhe ai vetë është shërbëtor. «Shërbëtori i shërbëtorëve të Hyjit», siç e quajnë vetveten papët. Drejtuesit duhet të kujdesen që secili në kohën e përshtatshme ta ketë ushqimin. Secili, duhet të rrijë zgjuar dhe të jetë gati. Mirëpo, në mënyrë të veçantë këtë duhet ta bëjnë ata që kanë përgjegjësi. Në qoftë se, kam përgjegjësi më duhet të lutem: O Zot, më ndihmo që ta plotësoj detyrën time. Bëj që të jem shembull i shëlbimit dhe i pritjes së ardhjes sate. Në qoftë se, nuk kam përgjegjësi të veçantë, gjithashtu do të lutem që Zotëria të më ndihmoj që me punën time të përditshme të rrijë zgjuar dhe të jem i gatshëm që ta njoh Atë të pranishëm në të.
Mirëpo, në qoftë se jam mendjemadh, bëhem kryeneç dhe e lë pas dore detyrën që mu besua, atëherë fjalët e Jezusit janë shumë të qarta:
45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. 47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.«
Jezusi tërheq vërejtjen në mënyrë shumë të qartë dhe serioze për rreziqet të cilat na tundojnë që mos ta marrim hirin e Hyjit dhe t’i nëpërkëmbim vizitat e Krishtit. Fati i njerëzve të tillë është në mesin e të pafeve. Ata që morën shumë dhurata dhe aftësi, duhet të llogarisin seriozisht se prej tyre do të kërkohet më shumë. Cilat janë dhuratat që mi dha Zotëria? Nuk zbulohen lehtë. Duhet shumë lutje, heshtje dhe meditim për veten tonë që t’i dallojmë ato. Është e sigurt që secili njeri ka diçka të veçantë, dhe me këtë duhet t’i pasurojmë njerëzit e tjerë duke dhënë pjesën tonë me jetën e përbashkët; qoftë kur bëhet fjalë për familjen, famullinë, bashkësinë rregulltare, vendin e punës.
O Zot, të falënderoj për gjithçka që më dha dhe ma besove. Bëj që të jem i vetëdijshëm për detyrat e mia. Më ndihmo, që t’i dalloj dhuratat e veçanta dhe t’i vendos ato në shërbim të të tjerëve për t’i pasuruar.