MEDITIMI I DITËS – DHJETË VIRGJËRAT

Written by on August 7, 2017

Mt 25, 1-13 DHJETË VIRGJËRAT

 

Kërkoj hirin: që të mendoj gjithmonë në vaj që duhet ta kem që ta mbaj gjithmonë ndezur dritën e jetës!

 

Në atë kohë Jezusi u tregoj nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: 1”Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin të marra e pesë të mençura. 3 Tashti, këto të marrat, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

Jezusit i pëlqejnë takimet në bashkësi. Hyji ynë nuk është ndonjë qenie e vetmuar afër të cilit nuk mund të afrohet askush. Nuk kënaqet me izolim as duke e soditur vetveten. Ai jeton në bashkësinë e tri vetjeve. Ai vjen në takim, atij i pëlqen të rrijë me njeriun. Prandaj Jezusi e paraqet Mbretërinë e qiellit gjithmonë me përngjasime të tilla, më të cilat dëshiron të na zbulojë pritjen, takimin dhe gëzimin e bashkimit.

Jezusi tregon shëmbëlltyrën e re. Kjo shëmbëlltyrë gjithashtu është shumë e bukur në tërësinë e saj. Është njëra prej shëmbëlltyrave që më së shumti iu flet zemrave tona. Prandaj është në mesin e më të bukurave të cilat i tregoi Jezusi.

Jezusi erdhi në mesin tonë si Dhëndër. Ai vjen në takim dhe dëshiron të na drejtojë në bashkim të familjes së vet në Mbretërinë e qiellit. Ne nuk guxojmë të rrimë pasiv, por duhet t’i dalim në takim. Kjo gjë plotësohet, thotë Jezusi, si në rastin e këtyre dhjetë virgjërave të cilat, natën me drita në dorë i dolën para të fejuarit. Ju desh të përgatitën për këtë takim. Jeta jonë është pikërisht e tillë: ecje e vazhdueshme në takim me dikënd të cilin e presim e i cili vjen.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’

Gjithnjë e kemi të pranishme të njëjtën ide. Asgjë nuk është e sigurt as e përcaktuar sipas ndonjë pasoje. Jezusi vjen, kjo është e sigurt. Ai është i paparashikueshëm, çasti nuk është përcaktuar aspak. Thjesht, nuk e dimë se kur mund të kalojë. Jo vetëm kjo, por edhe na dukët se askush nuk është duke ardhur dhe se jemi duke pritur kot. Si mos të ishte Hyji aspak afër nesh. Si të ishte diku tjetër. Si të na kishte harruar plotësisht, e nata duket e errët dhe e gjatë, tepër e gjatë për aftësitë dhe fuqitë tona. Ndodh që të lodhemi dhe të na zë gjumi. Dhe në një çast, derisa jemi në gjumë të rëndë, ja zëri se po vjen Dhëndri dhe na duhet të përgatitemi shpejt për tu takuar me të.

Përse çdo gjë ndodh natën? Kjo është një paraqitje e jashtëzakonshme e një gjeje që aq bukur e paraqet krejt dramën e ardhjes së Jezusit dhe të takimit tonë me të. Natën duhet bërë përpjekje shumë më të madhe që të bëjmë diçka. Nata kërkon prej nesh gatishmëri më të madhe se dita. Ajo është misterioze dhe zgjon në ne ndjenja të veçanta kur përgatitemi të bëjmë diçka. Nata, thjesht kërkon prej nesh të rrimë zgjuar në qoftë se dëshirojmë të bëjmë diçka. Dita nënkupton vetvetiu që të rijmë zgjuar. Në qoftë se vërtetë e duam takimin me Zotërinë, atëherë do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë që të rrimë të zgjuar.

O Zot, më ndihmo që mos të jem i pakujdesshëm dhe mos lejo të më marrë gjumi! Në qoftë se flejë, dritëza ime le të ndriçojë nga vaji që gjithmonë e kam gati në mënyrë të  mjaftueshme më vete.

7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë të marrat u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

Duhet rregulluar dritëzën. Duhet shtuar vajin. Virgjërat e urta e bëjnë këtë gjë shpejt dhe me shkathtësi të madhe. Kishte mes tyre edhe virgjëra, dritëzat e të cilave filluan të ndalën. Këto nuk patën vaj rezervë. Këtu paraqitet në mënyrë tragjike jeta e njeriut mbi tokë. Nuk ishte problem që të gjitha virgjërat në një çast i zuri gjumi nga lodhja. Këtu bëhet fjalë për gatishmërinë e pritjes. Këtë pritje e tregojnë virgjërat e urta. Ato e dinin, edhe pse kishin fjetur, se do të përgatitën për takim sa të dëgjohet zëri se Dhëndri po vjen. Më këtë gjë treguan urtinë. Ishin të gatshme. Të marrat, përkundrazi, nuk kanë më vaj dhe ju duhet të shkojnë për ta blerë.

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ 13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

Çdo gjë bëhet vonë. Po, në një çast të caktuar çdo gjë bëhet vonë. E tillë është jeta jonë dhe drama e shëlbimit tonë. Qielli është vendi i dasmës, por dera ka mundësi të mbyllet. Ky është fati i vajzave të marra. Zotëria na do seriozisht, ai llogarit seriozisht në bashkëpunimin tonë. Kur refuzojmë dhe nëpërkëmbim këtë dashuri që bëri gjithçka për ne, më këtë gjë e kemi dënuar vetveten. Më këtë qëndrim ia mbyllim derën vetvetes në gëzimin e përjetshëm. Kur na del prej dore ky takim me Zotërinë, prej të cilit varët amshimi jonë, atëherë vërtetë humbëm përgjithmonë.

 


Current track

Title

Artist