MEDITIMI I DITËS – DËSHMOJ JEZUSIN

Written by on November 22, 2016

Lk 21, 12-19 DËSHMOJ JEZUSIN

 

Kërkoj hirin: që të jem i qëndrueshëm, duke dëshmuar Jezusin.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 »do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

Jezusi u tërheq vërejtjen nxënësve të vet, se do tu ndodhin gjëra të papritura përpara se të rrënohet Jerusalemi. Përpara kësaj ata do ta përjetojnë përndjekjen. Do të ketë çaste të vështira të cilat do t’i përjetoj «grigja e vogël» e nxënësve të Jezusit. Deri sa Shën Luka i shkruan këto. Profetizimi i Jezusit është plotësuar deri në fund. Veprat e apostujve e dëshmojnë këtë gjë. Apostujt i arrestuan dhe i burgosën. I gjykuan dhe i kërcënuan.

Nxënësit e pyesin Jezusin për shenjat me të cilat do të dinë se po ndodhin të gjitha këto. Ai ju jep shenjën: kjo është përndjekja: këto janë burgjet dhe kërcënimet. Ju përgjigjet haptazi dhe nuk e fsheh para tyre të ardhmen, të ardhmen e tyre që do ta shënojnë përndjekjet dhe burgimet. Jezusi ju zbulon ato gjëra që do të përjetojnë, pa pasur frikë aspak prej reagimit të tyre. Në vend të datës për shkatërrimin e botës ai ju paralajmëron çfarë do të ndodh kur ai nuk do të jetë më në mesin e tyre.

Nuk është e thjeshtë as e lehtë të jesh nxënës i Jezusit. Kjo gjë kërkon dhe kushton shumë. Nuk është e thjeshtë as e lehtë ta presim përfundimin e kohës. Ky është tundimi që duhet të durojmë.

Arsyeja e vështirësive që do t’i gjej nxënësit është Emri i Jezusit. Emri Jezus: Shenjë kundërshtimi, shenjë të cilën do ta kundërshtojmë, emri i nënçmimit dhe i refuzimit, kështu ishte që nga fillimi, që nga dita kur Jezusi ju tregoji nxënësve të vet se çfarë do tu ndodhte për shkak të Emrit të tij, dhe kështu do të jetë deri te ardhja e tij e serishme. Mirëpo, Emri i Jezusit është i shenjtë dhe i çmueshëm për të krishterët. Ky është Emri mbi çdo emër. Është Emri para të cilit gjunjëzohemi dhe i bashkojmë duart.

«Emri është shenjë!» thonin të vjetrit. Simbolizon personin. Kjo gjë vlen në mënyrë të veçantë për Emrin Jezus. Do të thotë: Hyji shëlbon, Hyji ndihmon. Ky është përcaktimi i Jezusit: Ai shëlbon dhe ndihmon. Për shkak të këtij Emri apostujt ishin të gatshëm që të shkojnë në çdo vend dhe në sinagoga. Nuk patën frikë nga burgjet, sepse e dinin se në cilin Emër kishin besuar dhe për të cilin ishin të gatshëm ta dorëzonin edhe jetën e tyre. Mirëpo, as ata nuk kishin aspak, më pak frikë se sa ne përpara vuajtjeve dhe mundimeve. Emri i Jezusit ju dha fuqinë në të gjitha provat.

Jezusi thotë që të gjitha këto do tu ngjajnë që të bëjnë dëshmi. Për këtë arsye, ata edhe pranë frikës, në kohën e përndjekjeve shfrytëzonin rastin që ta predikonin Lajmin e gëzueshëm. Dashuria ndaj Krishtit ishte më e fortë se frika. Dashuria e vërtetë fiton mbi frikën, prandaj ishin të gëzuar në burgje, në sinagoga para mbretërve dhe drejtuesve të vendeve. Shën Pali shumë herë në letrat e tij tha se përndjekjet dhe burgjet e ndihmuan për të ungjillëzuar. Aty e shfrytëzoj rastin që ta drejtonte fjalën e Hyjit përpara autoriteteve më të larta.

O Zot, ti në secilën kohë ke nevojë për dëshmitarë. Më ndihmo që të jem dëshmitar i yti i sinqertë. Më ndihmo që në situata të vështira të kem mundësi të dëshmoj për ty dhe për Lajmin e gëzueshëm. Më jep mundësi dhe forcë që të jem dëshmitar në procesin tënd që vazhdimisht ngrihet kundër teje. Që të jem dëshmitar në mbrojtjen tënde.

14 Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. 16 Do t’jua padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

Po, në shumë gjykatore paditësit dhe gjykatësit i mahniteshin urtisë dhe guximit të njerëzve të thjeshtë dhe të vegjël, të cilët po gjykoheshin vetëm se po dëshmonin për Jezusin. Kështu ishte në fillimin e Krishterimit. Këta nxënës të thjeshtë të Jezusit nuk e kishin mbrojtësin e tyre. Nuk kishin kohë që ta përgatitnin mbrojtjen e vet. Flisnin me guxim nga bindja, shumë më guximshëm dhe më bindshëm dëshmonin me jetën e tyre. Fatkeqësisht nxënësi i Jezusit has në moskuptim edhe në shtëpinë e tij, në mesin e familjarëve të vet. Mirëpo, dashuria ndaj Jezusit i tejkalon të gjitha dashuritë. I përfshirë në këtë dashuri nxënësi i Jezusit është i gatshëm të dhuroj dhe të flijoj çdo gjë.

17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! 19 Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!«

Sado që nxënësit ishin të rrezikuar dhe të përndjekur, këto fjalë të Jezusit kanë në vetvete ngushëllim dhe nxitje. Asgjë nuk do të jetë e kotë. Me qëndrueshmërinë e tyre ata do të arrijnë fitoren e shëlbimit.

A besoj unë personalisht se do të vij në jetën e pasosur, vetëm në qoftë se jam i qëndrueshëm deri në fund? O Zot, më ndihmo, që të jemi qëndrueshëm me të gjitha vështirësitë dhe më jep fuqi, që çdo gjë ta përballoj për dashurinë që kam për ty!

 

 


Current track

Title

Artist