MEDITIMI I DITËS – DËSHMIA NË KOHË TË VËSHTIRË

Written by on March 31, 2017

Gjn 7, 40-53 DËSHMIA NË KOHË TË VËSHTIRË

 

Kërkoj hirin që të kem guxim ta dëshmoj Jezusin edhe atëherë kur kjo gjë nuk është e lehtë.

 

40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: “Ky është me të vërtetë Profeti!” 41 Të tjerë thoshin: “Ky është Mesia!” Prapë disa të tjerë thoshin: “Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia?”

Kur njerëzit ishin afër Jezusit dhe e dëgjonin drejtpërdrejt se çfarë thoshte, fjala dhe personaliteti i Tij i tërhiqnin në mënyrë të pandalshme. Fjalën e tij e përjetonin si fjalë profetike me plot entuziazëm, kurse me personalitetin e vet u kujtonte të gjitha fjalët që janë të shkruara në Shkrime për Krishtin që priste populli.

O Zot, bëj që fjalën tënde ta dëgjoj me vëmendje dhe me zemër të hapur. Bëj që personaliteti Yt të më tërheqë dhe të më përfshijë plotësisht në thellësi të qenies sime.

42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?” 43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.

Njerëzit pyesin edhe sot e kësaj dite se kush mund të jetë Jezusi! Takimi me Të e nxit në çdo njeri këtë pyetje. Paraqitja dhe veçantia e Tij e jashtëzakonshme dallohen menjëherë. Në Të shikojnë plotësimin e të gjitha premtimeve që janë të shkruara në Shkrime, të cilat Hyji ia dha popullit të vet. A ishte ky Krishti, apo jo? Çfarë thoshin Shkrimet? Si e shpjegonin këtë mësuesit e Ligjit dhe farisenjtë, autoritetet më të larta të popullit? Shumë pak prej tyre e dinin se Jezusi kishte lindur në Betlehem. Ai ishte me prejardhje nga Nazareti i Galilesë. Pikërisht këtë gjë e theksonin kundërshtarët e Tij që t’ia mohonin çfarëdolloj lidhjeje mesianike me Davidin mbret dhe me Betlehemin. Jezusi, sipas mendimit të tyre, nuk i plotësonte kushtet e nevojshme që të ishte Mesia. Të gjitha këto e pështjellonin popullin, kështu që u bë një ndarje për shkak të Jezusit.

O Zot, Ti gjithmonë je «Pyetje» për njeriun që takohet me Ty. Kush je Ti? Si mund të të njohim? Nga librat? Nga njerëzit e tjerë? Me siguri, edhe përmes tyre. Por, më i rëndësishmi është hiri Yt, të cilin e jep dhe nëpër të cilin njerëzit të takojnë dhe të njohin. Ty të gjen zemra e përvuajtur dhe e sinqertë që të kërkon. Kjo zemër, kur takohet me Ty, e kupton se si, në të vërtetë, Ti e ke kërkuar i pari. O Zot, bëj që në pyetjet dhe në dyshimet e mia të tregoj thjeshtësinë dhe përvujtërinë, që është mënyra e vetme për të të takuar dhe për të të njohur. Bëj që të di të pastrohem prej të gjitha gjërave që nuk Të lejojnë e kështu Ti të vendosesh në zemrën time.

44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të. 45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë: “Pse nuk e sollët?” 46 Rojtarët u përgjigjën: “Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”

Rojtarët qenë dërguar për ta arrestuar Jezusin. Këta njerëz iu përngjanin policëve, policëve që iu jepte urdhra Sinedri, Këshilli i lartë. Ata, duke e dëgjuar Jezusin, mrekulloheshin nga mësimi dhe personaliteti i Tij. Nuk patën fuqi që ta kryenin urdhrin. U kthyen pa e kryer punën.

Ka shumë njerëz që edhe sot e kësaj dite shikojnë në Jezusin vetëm një njeri të jashtëzakonshëm, të urtin e madh, personin e veçantë që meriton për t’ia marrë mësimin. Vërtet, shumë njerëz e studiojnë vetëm nën këtë prizëm dhe fatkeqësisht ndalen këtu.

O Zot, Ti je shumë më shumë se të gjitha këto. Nuk mjafton që të më mrekullojë mësimi, as personaliteti Yt. Nuk mjafton që të të shikoj vetëm si një njeri të urtë dhe të ditur. Po të lutem, më ndihmo që të mos të të afrohem vetëm me mendje të ftohtë dhe me zemër të pandjeshme. Këtu bëhet fjalë për një takim shumë më të thellë e më personal me Ty, këtu bëhet fjalë për besimin tim të gjallë në Ty. Ti je Zotëria dhe Hyji im, nëpër të cilin u bë çdo gjë. Ti je më shumë se gjithkush dhe se gjithçka e imja. Kështu të pranoj dhe kështu besoj në Ty.

47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën: “Po a mos u mashtruat edhe ju? 48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!”

Sa të sigurt ishin krerët e popullit në mendimin e tyre, sa të mbyllur në kuptimin që kishin. E pra, ata thoshin se i njihnin Shkrimet. Ata vërtet i njihnin Shkrimet, por i shpjegonin si iu pëlqente atyre. Pasiqë Jezusi nuk i përgjigjej figurës së Mesisë, që ata kishin krijuar, nuk e pranuan si Mesi, por e dënuan. E nënçmonin turmën dhe e gjykonin. Sa rrezik fshihet në mendimin përjashtues dhe në hapësirat e mbyllura.

50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi: 51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?” 52 Ata iu përgjigjën: “A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!” 53 Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.

Nikodemi u përpoq që të dilte në anën e të vërtetës. Mirëpo, kjo gjë nuk bëhet lehtë dhe nuk del pa pasoja. Menjëherë ia veshën «etiketën» «Galileas»! A jam i gatshëm të dal në anën e atij që është i drejtë, edhe kur e gjykojnë të pushtetshmit? A jam i gatshëm ta dëshmoj Jezusin, kur kjo gjë është e vështirë dhe ky qëndrim kërkon flijim? Apo jam i krishterë vetëm atëherë kur është e lehtë, kur kam privilegje dhe përparësi, kur kjo gjë pranohet prej të gjithëve?

 


Current track

Title

Artist