MEDITIMI I DITËS – DËRGIMI I JEZUSIT
Written by Radio Maria on January 19, 2017
Mk 3, 13-19 DËRGIMI I JEZUSIT
Kërkoj hirin: që të dijë të nderoj ata që kanë përgjegjësi në Kishë, sepse dërgimi i tyre vjen prej Jezusit.
13 Pastaj u ngjit në një mal e i thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai.
Tani kemi ambientin që dallohet plotësisht nga ambienti që ishte pran detit. Jezusi ngjitet në mal. Nuk dimë se për cilin mal bëhet fjalë. Kjo as që ka rëndësi. Ngjitet në mal që të tërhiqet larg turmës, për të dal nga zhurma e përditshme. Ai shkon në afërsinë e Hyjit. Mali dhe kodra gjithmonë janë shenjë e afërsisë së Hyjit dhe e pranisë së tij. Ky është vendi i lutjes, vendi në të cilin është i mundur takimi me Hyjin. Në këtë vend merren vendimet e mëdha dhe të rëndësishme. Jezusi, pas punëve të përditshme, shumë shpesh tërhiqet në mal që të jetë në vetmi me Atin e vet. Mali është vendi në të cilin hapet shikimi, perspektivat janë më të gjëra dhe shohim më larg.
Në rrugën për në mal Jezusi i merr me vete nxënësit e vet. Deri tani i kemi dalluar pesë prej tyre të cilët i thirri. Në këtë rast numri është më i madh. Ai i thërret ata që vendosi t’i ketë pranë vetes, me vete, ata të cilët deshi t’i vendos në mënyrë të veçantë në atmosferën hyjnore.
Të ngjitëm në mal për mua do të thotë ta gjej vendin dhe kohën gjatë ditës që të jem vetëm për vetëm me Zotin. Ky është vendi i lutjes sime, kjo është koha për të pru vendime të rëndësishme, koha e shqyrtimit të rrugëve të mia në jetë, koha e ballafaqimit me dështimet jetësore dhe gatishmëria që në dritën e Hyjit dhe me ndihmën e tij të shikoj dhe të përmirësoj gjërat që nuk janë të mira. Prandaj nuk është i rëndësishëm emri i malit në të cilin ngjitet Jezusi. Në këtë mënyrë mali bëhet vendi i besimit (teologjisë). Ai e ka emrin e vet, e këtë emër ia jep secili prej nesh kur tërhiqet në heshtje dhe dëshiron të takohet me Hyjin. Atëherë secilën herë «ngjitëm në mal». Por a e bëj këtë gjë secilën ditë të jetës sime?
14 Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, 15 e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë.
Shën Marku thekson lirinë e Jezusit në zgjedhjen e të Dymbëdhjetëve, ai e ka të qartë qëllimin pse i zgjedh. I zgjedh ata që do. I thërret që të jenë me të, që të ketë mundësi t’i dërgojë për të predikuar. Jezusi e ka nismën. Kështu është tek secila thirrje. Ne duhet të lutemi për thirrje, por Jezusi është ai i cili thërret. Ky është vullneti i tij i lirë. Mirëpo ne kemi mundësi gjithmonë ta pyesim vetveten para tij a jemi aty ku ai na deshi. O Zot, a jam aty ku ti deshe që unë të jem?
I thërret nxënësit që të jenë me të. Kjo do të thotë, që të shikojnë, të dëgjojnë, të jenë dëshmitarët e jetës dhe të veprave që bënë. Dëshiron që t’i ketë afër vetes, në intimitetin e vet. Dëshiron tu mësoj mësimin e vet. Dëshiron t’i udhëheq në misionin e vet që të kenë mundësi ta vazhdojnë veprën e tij, që të ketë mundësi t’i dërgojë. Prandaj duhet të kalojnë shumë kohë me të, krejt kohën e jetës së tij publike. Vetëm pas kësaj kohe do të jenë të aftë për të dëshmuar për të.
Edhe mua, së pari më duhet të jem me Zotërinë që të kem mundësi për të dëshmuar për të. Sa të rëndësishme janë për jetën time të krishterë, si besimtar, si nxënës momentet të cilat unë i kaloj në mënyrë intime para Zotërisë tim! A kaloj mjaftë kohë me Zotërinë? – kjo është pyetja në të cilën nuk kam mundësi të jap përgjigje më lehtësi.
Jezusi themelon, bashkon të Dymbëdhjetët. Kjo është vepër krijuese përplot me simbolikë. Kjo na i kujton dymbëdhjetë fiset e Izraelit, krejt popullin e zgjedhur. Këtu kemi diçka të re. Të Dymbëdhjetët paraqesin popullin e ri të Hyjit, të gjithë njerëzit. Jezusi këtyre do tu besojë përgjegjësinë e madhe për popullin e vet. Kjo është dëshira dhe vullneti i tij. Kjo do të thotë se njerëzimi prej vetvetes nuk e arrin shëlbimin. Nuk e përvetëson me ndonjë angazhim personal dhe me fuqitë e veta. Shëlbimin na dhuron Hyji. Ai është i mirë, prandaj Jezusi do që në këtë dhuratë njerëzit të bashkëpunojnë më të. Disave ju jep dërgimin e veçantë që sot paraqitet në hierarki në Kishë. Këtë duhet ta nderojmë. Jezusi deshi kështu.
Ai do t’i dërgojë për të predikuar atë mësim që morën prej tij. Kjo është detyra e parë e secilit nxënës të Jezusit. Të dëbojnë djajtë, do të thotë të bëjnë ato gjëra që i bëri ai vet; të luftojnë kundër të Keqit dhe kundër të keqes. Kjo është detyra kryesore e secilit nxënës të Jezusit gjatë historisë, detyra e secilit besimtar kudo që të jetë: ta largojë të keqen, të padrejtën dhe urrejtjen, të promovojë të mirën, drejtësinë dhe dashurinë.
16 [I emëroi, pra, të Dymbëdhjetët:] Simonin ‑ të cilit ia ngjiti emrin Pjetër, 17 Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij, që i quajti: Boanerges, që do të thotë: Bijtë e rrufesë; 18 pastaj Andreun, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Tomën, Jakobin e Alfeut, Tadeun, Simonin Kananeas 19 dhe Judën Iskariot, i cili edhe e tradhtoi.
Këta janë emrat e të Dymbëdhjetëve. Për disa prej tyre pothuajse nuk dimë asgjë tjetër përveç emrave të tyre. Por Kisha është ndërtuar mbi ta. Në Kishë do të jetë i pranishëm misteri i mëkatit siç ishte i pranishëm edhe në bashkësinë e nxënësve të Jezusit, në «Judën që e tradhtoi». Jezusi edhe sot e kësaj e drejton Kishën e vet në intimitetin e Hyjit siç e udhëhiqte bashkësinë e nxënësve të vet. Në këtë gjë është forca dhe fitorja e Kishës që nuk mposhtet dot.