MEDITIMI I DITËS – DËGJOJ ZOTËRINË
Written by Radio Maria on July 25, 2017
Mt 13, 10-17 DËGJOJ ZOTËRINË
Kërkoj hirin: që të di ta dëgjoj Zotërinë dhe ta kuptoj kur më flet në zemër.
Në atë kohë, 10 nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?”
Përse nxënësit ia bëjnë Jezusit këtë pyetje? Shëmbëlltyrat që i tregonte Jezusi a i shpjeguan ato gjëra që ai donte t’i thoshte derisa po i tregonte? Qëllimi i tij ishte që më anë të tyre tu tregonte njerëzve realitetet që tejkalojnë jetën e tyre të përditshme, të cilat ndryshe nuk kishin mundësi t’i kuptonin. A fshihet në këtë pyetje të nxënësve dyshimi se njerëzit nuk i kishin kuptuar ato gjëra që dëshironte tu thoshte Jezusi përmes shëmbëlltyrave? Si të pyesnin: përse më shëmbëlltyra e fsheh porosinë e qartë të cilën duhet thënë haptas?
11 Ai u përgjigj:“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka.
Përgjigja e Jezusit është misterioze. Nxënësit e tij i shohin më mirë fshehtësitë e Mbretërisë qiellore prandaj e kuptojnë më mirë porosinë e shëmbëlltyrave. Në të vërtetë, ata nuk kishin nevojë për krahasime. Mirëpo me të tjerët nuk ishte ashtu. Fatkeqësisht, të gjithë nuk ishin të hapur për ta pranuar Lajmin e gëzueshëm të Jezusit. Prandaj Jezusi thotë se atyre që janë të hapur para mësimit dhe shpalljes së Mbretërisë qiellore, do t’u shtohet në plotësi ajo që ata tashmë e kanë, d.m.th. do tu shtohet pasuria, në pasurinë që përmban Besëlidhja e Vjetër. Ndërsa atyre që kanë pasurin e Besëlidhjes së Vjetër, por mbyllen para shpalljes së Jezusit, do tu merret edhe ajo pasuri që e kanë. Nuk mjafton vetëm Ligji. Nëse mbetemi vetëm në Ligj, d.m.th. në diçka që është e shkatërrueshme, sepse ligji është i tillë kur, lëshohet në dorë të vetvetes atëherë bëhet i shkatërrueshëm dhe nuk ka mundësi ta shëlbojë njeriun.
Hyji, Trinia e shenjtë, për ne mbretet gjithmonë fshehtësi. Pasuria e kësaj fshehtësie na dhurohet nëse jemi të hapur për ta dëgjuar dhe në qoftë se në përvujtëri e pranojmë. Fshehtësinë e fesë sonë, dhe atë që na u zbulua, nuk kemi mundësi ta pranojmë pa përpjekjen personale në shpirtin e fesë.
O Zot, më ndihmo që të dijë të meditoj mbi fjalën tënde, që të di të shoh «pas» asaj që sjellin figurat e jashtme përbrenda, ta gjej kuptim që shikimi i jashtëm se dallon dot. Bëj që të mos lodhem asnjëherë duke kërkuar në brendi porosinë e vërtetë që e ka fjala jote.
13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: “Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni, mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.
Jezusi shpjegon më tej përse vepron kështu. Njerëzit shihnin çdo gjë që bënte, por nuk ia dilnin ta shihnin atë gjë që ishte e rëndësishme. Dëgjonin mësimin që bënte, por nuk e kuptonin më të rëndësishmen që ishte në të. Kjo është ngurtësia e qëllimshme. Sa më e vetëdijshme të jetë, aq më shumë ka përgjegjësi, shpesh mbart me vete humbjen e hirit. Njeriu në dëgjimin dhe shikimin e vet ka mundësi «të filtrojë» atë që dëgjon dhe sheh sepse sheh dhe dëgjon vetëm atë gjë që dëshiron. Ja lejon vetes atë gjë që i pëlqen dhe si i pëlqen. O Zot, më ndihmo që të dijë ta pranojë dhe ta dëgjoj tërësinë e porosisë sate, e jo vetëm ato gjëra që më pëlqejnë dhe që më përshtatën. Bëj që ta pranoj Fjalën tënde si kripën, mos lejo që ta përshtat ashtu si me pëlqen mua.
15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!”
Kjo është arsyeja e vërtetë e moskuptimit të shpalljes që bënë Jezusi. Shpallja e tij shikohet dhe dëgjohet më zemër, vetëm kështu kemi mundësi ta pranojmë. Po zemra e tyre është rënduar. Prandaj nuk shohim më sy dhe nuk dëgjojnë me veshë.
O Zot, këtë gjë u thua të gjitha breznive. Këtë gjë ia thua edhe breznisë më të cilën unë jetoj. Na dhuro zemrën e re! Na ndihmo që më sy të shohim, e më veshë të të dëgjojmë ty. Na ndihmo që secilën ditë ta njohim praninë dhe veprimin tënd. Jeta e secilit prej nesh është krahasim në të cilin ti je i pranishëm në mënyrë misterioze. Na ndihmo që këtë gjë ta kuptojmë dhe ta pranojmë.
16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”
Më siguri, breznia që pati mundësi ta takoj dhe ta dëgjoj drejtpërdrejt Jezusin ishte brezni e lumtur. Por shumë prej njerëzve të asaj breznie nuk ditën as nuk deshën ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Sa breznitë tjera të shkuara dhe të ardhshme dëshiruan ta kenë këtë mundësi por nuk e patën. O Zot, ti sot je në mesin tonë. Shumë herë nuk di të të njoh. Mi hap sytë dhe veshtë e zemrës që të shoh dhe të të dëgjoj.