MEDITIMI I DITËS – DËGJIMI I FJALËS

Written by on September 3, 2018

Lk 4, 31-37 DËGJIMI I FJALËS

 

Kërkoj hirin: që ta dëgjoj Fjalën e Hyjit me entuziazëm.

 

Në atë kohë, 31 Jezusi zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë dhe mësonte ditën e shtunë. 32 Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet.

Jezusi zbriti nga Nazareti në Kafarnaum. Nuk e kishte lehtë ta bënte këtë ndarje. Bashkëvendësit e tij nuk e pranuan. Përkundrazi, morën qëndrim kundërshtar ndaj tij. Dëshirojnë t’i bëjnë keq dhe dëshirojnë që të lirohen prej tij. Prandaj Jezusi nuk rri në mesin e tyre dhe nuk e humb kohen në rragatje pa vlerë me ta. Duhet të shkoj më tej në Galile. Kafarnaumi është qyteti në të cilin do ta zhvillojë veprimtarin e vet apostolike.

Gjëja që njerëzit panë menjëherë në paraqitjen e Jezusit është veçantia e mësimit të tij dhe fuqia që dilte nga fjalët e tij. Jezusi dëshironte pikërisht në sinagoga, në këto vende zyrtare, tu fliste njerëzve për Shkrimet. Dëshironte ta bëj këtë gjë në mënyrë krejtësisht ndryshe nga ajo që bënin rabinët në kohën e tij. Në atë kohë ekzistonin shkollat e ndryshme në të cilat mësoheshin rabinët dhe skribët e ardhshëm. Ata dilnin prej tyre dhe shpjegonin Shkrimet dhe traditën. Njerëzit pak nga pak u mësuan me ta. Fjala e Hyjit në Shkrime mjegullohej nga shpjegimi i tyre dhe ndjehej topitja që i linte njerëzit në të njëjtin vend në jetën shpirtërore. Ishte shumë më lehtë të theksohej zbatimi i jashtëm i praktikës fetare, të cilën skribët dhe farisenjtë e kishin përcaktuar, se sa ta përjetonin takimin me Hyjin në brendi.

Qartë, Jezusi vepronte ndryshe. Prandaj i befasoj dhe ndjenin entuziazmin sa herë që u fliste. Ai e theksonte rëndësinë e takimit të brendshëm të njeriut me fjalën e Hyjit të cilën e dëgjonin sa herë që lexoheshin Shkrimet. Njerëzit ndjenin se ai ju fliste nga përvoja personale dhe nga përjetimi personal i takimit dhe jeta e përbashkët që e bënte me Atin. Prandaj mësimi i tij kishte autoritet. Pranë kësaj, ai e kishte përvojën e nevojshme dhe nuk mbështetej në traditë sikur bënin të tjerët derisa u shpjegonin Shkrimet, tek këta shihej mungesa e përvojës personale me Hyjin në jetën e tyre.

O Zot,  Bëj që ta përjetoj Fjalën tënde me entuziazëm dhe fuqishëm. Që brenda, në zemrën time të takohem me ty, Fjalën e jetës. Që të bëhem dëgjues dhe nxënës që është plotësisht i yti.

33 Në sinagogë ndodhej një njeri që në trup kishte shpirtin e djallit të ndytë. Ai bërtiti me zë të lartë: 34 “Hej, ç’ke me ne, Jezus Nazareni? A erdhe të na farosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

Në paraqitjen e parë në Kafarnaum, Jezusi përballet me armikun më të madhe të vetin dhe të njerëzimit, me Djallin. Ai paraqitet dhe flet përmes njeriut të cilin e zotëroi dhe e bëri skllav të vetin. Njeriu që kishte shpirtin e ndytë nuk është i lirë, ai është i robëruar. Nuk mund të veproj në mënyrë personale dhe lirisht, nuk është vetvetja. Kështu është edhe sot. Njeriu është skllav i shumë gjërave, veseve, ideologjive, mëkateve dhe zakoneve të liga. Nuk është i lirë dhe nuk e njeh vetveten as të afërmin e vet. Nën dritën e fjalëve të Zotërisë më duhet ta pyes vetveten: kush u bë zotëria i jetës sime? Kujt i robëroj dhe çfarë e rrezikon lirinë time?

I Keqi menjëherë e kupton se kush është në Sinagogë. Ai e di se Jezusi së pari erdhi që atë, të Keqin, ta shfuqizojë për ta liruar njeriun. Kundërshton, sepse ndjen se themelet e perandorisë së tij u luhatën dhe po rrënohen. Jezusi dëshiron që me pastërtinë e vet ta pastrojë ndyrësinë tonë të cilën e shkaktoi i Keqi. Ai dëshiron që më dashurinë e vet ta pastrojë dashurinë tonë që e përfshin egoizmi dhe urrejtja që djalli i mbolli në zemrat tona. O Zot, pastro çdo gjë që është e ndyrë në brendinë time. Më ndihmo që ta përjashtoj egjrën të cilën i Keqi e mbjell çdo ditë në arën time. Ji afër meje dhe më liro nga çdo gjë që mora dhunshëm prej tij, nga çdo gjë më të cilën më robëroi dhe më largoj prej Teje.

35 “Praj dhe dil prej tij!  i urdhëroi Jezusi. Djalli e rrëzoi para tyre e doli prej tij pa e lënduar fare.

Kjo është shenja e parë e fitores së Jezusit mbi të Keqin. Kjo është mrekullia e tij e parë. Jezusi është Shëlbues, ai është Shëlbuesi i njeriut. E liroi njeriun. Zinxhirtë e të keqit u këputën. I Keqi në praninë e Jezusit nuk pati mundësi ta dëmtojë njeriun. Njeriu i zotëruar përsëri bëhet njeri i zakonshëm dhe i aftë për të jetuar më jetë cilësore dhe të vërtetë njerëzore dhe hyjnore.

36 Të gjithë i kapi frika dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Çfarë fjale! Ky po u urdhëron me pushtet e fuqi shpirtrave të ndytë e ata po dalin!” 37 Dhe u përhap zëri për të nëpër të gjitha vendet e krahinës.

Jezusi, Fjala e Hyjit që u mishërua, la përshtypje të fuqishme në njerëz. Jo vetëm në ta por edhe në Djallin që tashmë i nënshtrohet dhe i bindet atij.

 


Current track

Title

Artist