MEDITIMI I DITËS – DËBIMI I ERRËSIRËS
Written by Radio Maria on January 5, 2018
Is 60, 1-6 DËBIMI I ERRËSIRËS
Kërkoj hirin: që mos ta nënvleftësoj dritën e Kërshëndellave që ka mundësi ta largojë errësirën e zemrës!
1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit!
Isaia profet di për të ngushëlluar, ai ngushëllon. Ky nuk është ngushëllimi i tij por i Hyjit që ai ia përçon popullit të vet dhe të gjitha breznive të njerëzimit. Shumë më vonë, kur Isaia profet më nuk ishte, shndriti ylli mbi Jerusalemin, por të gjithë nuk deshën ta shohin. Herodi dhe oborri i tij, mësuesit e ligjit dhe krerët e popullit mbetën në errësirën e tyre. Gjithmonë pati njerëz që më me endje mbetën në errësirë se sa dolën në dritë. Edhe para se të paraqitej Isaia profet, edhe pas tij, edhe në kohën e ardhjes së Jezusit edhe në ditët tona. Edhe pse profeti i ftonte bashkëkohanikët e vet në dritën që po vjen, edhe pse engjëjt mbi fushat e Betlehemit e treguan dhe e lajmëruan dritën qiellore që ka ardhur, prapëseprapë shumë njerëz nuk ia vunë veshin as profetit as profecive as lajmit të engjëjve. As në ditët tona nuk është ndryshe.
2 Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! 3 Në dritën tënde, do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd. 4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin.
Hyji do t’i shndrisë të gjithë njerëzit. Drita nga Betlehemi arrin në të gjitha skajet e tokës. Shumë njerëz e gjetën rrugën nga errësira në dritë. Që nga nata e parë e Betlehemit dhe deri në ditët tona shumë ranë në gjunjë para Hyjit që lindi në Betlehem, ditëlindjen e të cilit e kremtojmë çdo vit. Tre Dijetarët erdhën dhe e adhuruan Jezusin foshnje. Ata janë shenja dhe përfaqësuesit e të gjithë popujve. Zotëria në ta i pranoi të gjithë njerëzit. Përpara Hyjit askush nuk është i përjashtuar, askush nuk është i privilegjuar. O Zot, sot po të lutem për të gjithë popujt. Të gjithë ne jemi vëllezërit e tu, edhe pse nuk e pranojmë njëri-tjetrin. Ngrihemi njëri kundër tjetrit, ndërsa ti do që të gjithë të vijmë dhe të ndihemi se jemi një në shtëpinë tonë. Po të lutem që të jemi më shumë miq me njëri-tjetrin, që të mblidhemi rreth teje dhe të jetojmë të bashkuar.
5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. 6 Mori gamilesh do të të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit.
Ky profetizim i Isaisë plotësohet gjatë historisë së Kishës. Ajo është Jerusalemi i ri. Në të Hyji i mbledh të gjithë popujt. Të falënderoj, o Zot, së bashku me Tre Dijetarët e shenjtë për ardhjen tënde në mesin tonë. Të falënderojmë që u dëftove dhe deshe që të jesh së bashku me ne. Erdhe që ne të na sjellësh tek Ati dhe të na zbulosh lavdinë e tij. Të falënderoj që personalisht kam mundësi të të adhuroj.