MEDITIMI I DITËS – DASMA
Written by Radio Maria on April 25, 2018
Gjn 2, 1-12 DASMA
Kërkoj hirin: që të di që në nevojat e mia t’i drejtohem Marisë që të ndërmjetësojë!
2 1 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” 4 [E] Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” 5 Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Kur njerëzit e vizitojnë Tokën e shenjtë, nuk kanë mundësi ta shmangin Kanën, sepse ruan kujtimin e mrekullisë së parë të Jezusit të cilën na përshkruan Shën Gjoni. Të gjithë atëherë mendojnë në dasmën që u zhvillua aty dhe në çdo gjë që gjatë saj ndodhi.
Cili prej nesh nuk do të kishte dëshiruar që mos të jetë i pranishëm në atë dasmë së bashku me Jezusin dhe Marinë? Të gjithëve na pëlqejnë dasmat dhe na vjen mirë kur jemi të ftuar në dasmë dhe kur dikush prej të afërmve tonë martohet. Ndonjëherë krishterimin e kritikojnë duke thënë se në të nuk ka gëzim, por gjithmonë thërret në seriozitet dhe se Kisha e kundërshton harenë dhe të gjitha ato gjëra që njeriun e gëzojnë. Përkundrazi! Të gjithëve që flasin kështu dhe shkruajnë do të duhet t’u dërgonim këtë tekst dhe t’i thërrasim në dasmën e Kanës. Aty në dasmë është Jezusi. Aty janë nxënësit e tij. Ishte e ftuar edhe nëna e Jezusit. Ata gëzoheshin me të njëjtin gëzim siç gëzohen të gjithë njerëzit në dasmë.
Mirëpo, kësaj radhe ndodhi diçka e paparashikueshme. U harxhua vera. Mbi dy të rinjtë po përgatitej të binte turpi i madh. Ky turp pastaj do t’i përcillte si hije gjatë gjithë jetës së tyre. Me siguri janë përgatitur gjatë dhe kujdesshëm për dasmën e tyre. Ndoshta nuk kishin paraparë aq shumë miq? Ndoshta nuk ishin të pasur për të blerë verë të mjaftueshme? Kush e di pse ndodhi kjo? Gjithsesi, ishte një gjë shumë e papëlqyeshme. Ndoshta edhe të tjerët do të kenë hetuar se diçka po ndodh, por nuk dinin çfarë të bënin. Dy të rinjtë ndoshta nuk ishin aspak të vetëdijshëm se çfarë po e rrezikonte dasmën e tyre. Mirëpo, në mesin e atyre që po gëzoheshin në këtë dasmë ishte edhe një zemër e cila në mënyrë krejtësisht të veçantë po e përjetonte këtë gjë. Edhe Maria i shikonte të gjitha dhe me të gjithë po gëzohej. Me siguri u vinte në ndihmë sa herë që kërkohej ndihma duke dhënë kontributin e vet. Ajo çdo gjë e shikonte më shumë me zemër se sa me sytë truporë. Prandaj edhe reagoj e para. E ndjeu në brendësi situatën e dy të rinjve. Ajo përvetësoi vështirësinë e tyre dhe ndërmjetësoi në mënyrë serioze. Menjëherë, iu afrua Jezusit dhe ia paraqiti problemin. Për ne mbetet fshehtësi pyetja dhe biseda të cilën Jezusi ia drejton nënës së vet pas vërejtjes që bëri. Maria nuk u hutua, ajo është e qëndrueshme në ndërmjetësimin e vet dhe i beson Birit të vet.
O Mari, të falënderoj për ndërmjetësimin tënd në dasmë. Ti e hetove se diçka filloi të ndodhte, por nuk mbete duarkryq. Të gjitha i përjetove vështirësi dhe nevojë personale. Ke ndjeshmëri të madhe për të rinjtë dhe nuk do të lejosh që në një ditë kaq të veçantë të jetës së tyre të turpërohen para të tjerëve. Të falënderoj që ke sy dhe zemër për njeriun në nevojë. Ti gjithmonë mbete e tillë. Ti edhe sot ndërmjetëson në të gjitha vështirësitë tona duke u lutur për hiret për të cilat kemi nevojë. Të falënderoj që na dhe shembull se si duhet të besojmë në Jezusin i cili do dhe bën atë gjë që ia kërkojmë. Shumë shpesh ne nuk e gjejmë në vetvete këtë fe. Nuk dimë se është më mirë të lutemi. Ndërmjetëso për ne. Ndonjëherë e kemi më të lehtë të drejtohemi ty, që ti të ndërmjetësosh tek Jezusi. Të falënderoj që nuk u ndale pas atyre fjalëve që t’i drejtoi Jezusi e të cilat as sot e kësaj dite si kuptojmë plotësisht. Ti shkove deri në fund, sepse besove në të, sepse besove se ai do të bëjë çdo gjë që i kërkon. Në këtë rast po të lutem në mënyrë krejtësisht të veçantë për të gjitha çiftet e reja martesore kur në martesën e tyre të mungojë dashuria dhe besimi, kur të mungojë vlerësimi i njëri-tjetrit dhe biseda e sinqertë, gatishmëria për flijim dhe kompromis…. po të lutem për ta që të jenë të hapur para jetës së re që ta pranojnë me gëzim nga dora e Atit.
6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. 7 Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. 8 “Merrini tani u tha atëherë e çojani kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë e nuk e dinte nga vinte shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!” 11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. 12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.
Ne vërtetë nuk e kuptojmë plotësisht bisedën mes Jezusit dhe nënës së tij, por kuptojmë shumë mirë çdo gjë tjetër që ndodhi pastaj. Jezusi fillon veprimin. Uji në gjashtë shtamba shndërrohen me verë të dorës së parë. Jezusi të rinjve iu dhuroi rreth 600 litra verë që ishte shumë më e mirë se ajo që pinë deri atëherë. Këtë gjë e dëshmon duke u çuditur kryetari i tryezës. Edhe dhëndri pyet veten i çuditur çfarë ndodhi, nëse në ndonjë çast nuk i pëshpërit në vesh Maria duke e qetësuar për shkak të vështirësisë që po i kërcënohej. Kur Jezusi dhuron, dhurata e tij është e veçantë dhe e bollshme, e madhe dhe bujare.
O Zot, të falënderoj që shkove në dasmë dhe tregove se ty të pëlqen kur njerëzit gëzohen sinqerisht. Ti e di se jeta e tyre e përditshme është e rëndë dhe se këto çaste janë të nevojshme. Të falënderoj për dhuratën e verës. Na ndihmo edhe neve që kur të mendojmë se çdo gjë përfundoi, të besojmë se në atë çast mund të lindë diçka e re dhe e ripërtërirë, “vera e re”. Më ndihmo që të kem fuqi të ballafaqohem me të gjitha lodhjet dhe dëshpërimet e mia, me ato situata në të cilat jam i rrënuar dhe mendoj se erdhi fundi dhe nuk kam më shpresë. Me jep të besoj se ti je me mua në të gjitha nevojat e mia, se me mua është edhe Nëna qiellore me ndërmjetësimin e saj. Besoj në ty siç besuan edhe nxënësit e tu pasi që përjetuan mrekullinë në Kanë të Galilesë.